Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur me tone të ashpra sot kundër qeverisë dhe maxhorancës e cila sipas tij ështën jë regjim.
Ai tha se kriza ekonomike që po pllakos është kërcënimi numër një për mirëqenien tonë familjare, për ekonominë tonë kombëtare dhe mund të them dhe për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Basha foli për valixhe gati dhe e cilësoi Bashkinë e Tiranës lavatriçe të parave të drogës.
“Ndërkohë që janë hedhur dhe vërsulur përsëri me aferat e vjetra korruptive që nga koncesionet e reja që dhanë para dy javësh tek zaptimi i truallit të TK duke ia dhënë Bashkisë së Tiranës që është lavatriçe e parave të pista të drogës. Shumica dërrmuese e ndërtimeve në Tiranë financohen drejtpërdrejt nga paratë e drogës.
Me hir apo me pahir zhvilluesit janë sot të detyruar të pranojnë pastrimin e parave të pista të drogës përmes lavatriçes së pastrimit të parave që është bashkia e Tiranës. Por kryebetonieri bashkë e Edi Ramën po bëjnë ekzaktësisht të kundërtën e asaj që i premtuan qytetarëve të Tiranës, po zaptojnë çdo shesh të lirë, po kërcënojnë çdokënd që nuk i bindet vullnetit të tyre për të betonuar çdo hapësirë që ka mbetur në Tiranë. Kjo nuk është zgjidhje dhe jo vetëm që nuk e shpëton ekonominë por do e përshpejtojë krizën e sektorit të ndërtimit dhe të shitjeve të pasurive të patundshme. Nuk e meriton emrin qeveri është një regjim, i cili në grahmat e fundit e ka të skalitur në ballë dhe në valixhet që po bëjnë gati t’i marrin në largim e sipër atë që në mënyrë të pandërgjegjshme e projektojnë tek një grup shumica ortakësh të tyre, kap ça të kapësh. Kjo është qeveria kap ça të kapësh para se të ikë. Dëmi që po i shkaktojnë ekonomisë kombëtare dhe familjeve shqiptare është i pallogaritshëm dhe i parikuperushëm brenda një kohe të shkurtër nëse nuk ndalin aventurierizmin, hajdutërinë”, deklaroi Basha.