BallinaOP EDShqipëria mes varfërisë dhe pseudodemokracisë

Shqipëria mes varfërisë dhe pseudodemokracisë

Nga Kolindo Vjerdha

Marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Tiranë ndaj protestuesve të lind ideja se po jetojmë një fasadë. Ato vërtetuan edhe njëherë këtë pseudodemokraci që është instaluar në këtë vend e për të cilën askush nuk flet. Në mes të Tiranës dhunohen protestues, dhunohet fjala e lirë, dhunohet e drejta për të kundërshtuar e mbi të gjitha dhunohet dinjiteti i njeriut. Gra që merren zvarrë rrugëve, skena këto që nuk do t’i shkonin vetëm regjimeve diktatoriale. E pra një gjë të tillë e pamë të gjithë e prap reagimi mungon. Pushteti autoritar e ka zanafillën pikërisht tek kjo heshtje e jona, ku i kemi lënë gjithmonë të bëjnë çfarë të duan me ne e tani po marrim pasojat e veprimeve tona.
Kuptohet që ndryshimi i sistemeve nuk është i lehtë e kur mendon që është kaluar afro gjysëm shekulli në diktaturë kjo e vështirëson edhe më shumë. Sot pas 30 vitesh nuk mund të flasim më për tranzicion, por për dështim. Ne kemi dështuar në implementimin e demokracisë. U zhytëm në reforma e që sot na lanë pa gjykata. Ankimet enden rrugash e më pas themi pse ekziston vetëgjyqësia. Kur nuk ke kolona të forta të shtetit e një gjyqësor që nuk ecën sipas linjave të politikës nuk duhet të pretendosh më shumë as nga sjellja e popullit. Ndonëse jemi në një situatë pandemie kjo nuk përligj faktin që nuk duhet protestuar. Po Izraeli ku mijera njerëz mbushën sheshet, po në SHBA ku nuk rreshtin protestat, po në Gjermani që në po të njëjtën ditë u zhvilluan protesta kundër masave të marra për shkak të pandemisë, ndonëse shumë më të lehta se në Shqipëri? Ne për fat të keq jemi shumë larg këtyre vendeve.
Sot njerëzit jetojnë në varfëri. E nëse dikush e mohon këtë thjesht gënjen. Një shumicë e madhe njerëzish janë pa punë, të tjerë jetojmë vetëm me të ardhurat që marrin pa patur mundësinë të vendosin diçka mënjanë. Kjo është varfëria. Këtu është vrarë shtresa e mesme sepse të ardhurat e kësaj shtrese janë thjesht për të mbyllur shpenzimet. E përsëri ka vetëm heshtje dhe largime nga vendi. Duket se shqiptarët kanë frikë. Kur sa herë ngrënë zërin ia kujtojnë vendin e punës e bukën e gojës normal që do të heshtin. Kjo është pseudodemokracia. Para botës tregojmë fasadën, por realiteti flet ndryshe. Nuk do shumë mend ta kuptosh këtë mjafton të shohësh fshatrat që janë boshatisur. Edhe pse shqiptarët largohen papunsia ngelet e lartë.
Ne vazhdojmë e diskutojmë për këto probleme, por në fakt ka të tjera më të mëdha. Dinjiteti i njeriut dhe të drejtat që gëzon janë themeli i një demokracie. E kur këto cënohen siç ndodhi ditë më parë e që ka ndodhur për vite me radhë, nuk ia vlen më të diskutohet për taksa e tendera e konçesione. Ata janë problematika të një vendi normal, por ne nuk e meritojmë ende atë status. Duhet të ndreqim themelet sepse duket se nuk i kemi ngritur të forta. Shqiptarët kuptojnë dhe e dinë realitetin, mjafton t’i dëgjosh kur nuk ka kamera as funksionarë përreth. Aty e kupton Shqipërinë e vërtetë. Populli e lë veten të shtypet sepse e di se nuk ka diçka mënjanë dhe i nevojitet ajo rrogë e papërfillshme e marrë nga shteti.
Të drejtat nuk mjafton t’i fitojmë një herë dhe pastaj t’i gëzojmë në vazhdimësi, por duhet çdo ditë të punojmë për t’i gëzuar ato. Në Shqipëri duket qartazi që këto të drejta po cënohen. Çdo intelektual, çdo i ri, çdokush që mendon të jetojë në këtë vend duhet të reagojë sepse duhet njëherë e mirë të shkëputemi nga e kalura, e cila duket se na ndjek pas. Kjo pseudodemokraci duhet të marrë fund sepse nuk vazhdohet më me një shtet fasadë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular