BallinaOP ED“SHUMICA” ME E-MAIL E RAMËS KUNDËR TEATRIT KA MARRË VIRUS

“SHUMICA” ME E-MAIL E RAMËS KUNDËR TEATRIT KA MARRË VIRUS

Nga Ilir Nikolla

Nuk duhet shumë vëmendje për të perceptuar se ç’ka parasysh Edi Rama kur thotë “ne jemi shumica e ne vendosim”. Është thënë e stërthënë mijëra herë se shumica, sado e kristaltë qoftë, nuk të jep të drejta të pakufizuara, prandaj edhe sistemet demokratike mundohen t’i dalin para rrezikut të keqpërdorimit të së ashtuquajturës “shumicë”, duke zbatuar sa të munden më shumë demokracinë direkte, pra konsultimin e të gjithë trupës zgjedhore, a me proces votimesh politike e vendore, a me referendume për çështje të karakterit të veçantë.
Por në piruetat që bën Edi Rama për shumicën e tij, spikat keqpërdorimi i këtij termi, sa më i vetmuar e më në zgrip që të gjendet. Vetmia e tij elektorale në 2009-n u kamuflua me shprehjen “përtej të majtës e të djathtës”, ndërkohë që pas 2017-s, vetmia që rrodhi nga rrënimi i procesit zgjedhor nisi të kamuflohej me shprehjen “Rama ka koalicion me popullin, prandaj s’ka nevojë për ndonjë aleat”.

Vijim i këtij manipulimi propagandistik është edhe keqpërdorimi i termit “shumicë” kur vjen rasti tek vetmia e padurueshme në të cilën Edi Rama gjendet sot, qoftë në temën e vështirë të kryerjes së një reforme konsensuale zgjedhore, qoftë në gjetjen e një legjitimiteti të munguar për të prishur godinën e Teatrit Kombëtar.
Sa i përket reformës zgjedhore, ai e ka lidhur kalin tek gardhi i opozitës së emëruar në parlament, prandaj e di edhe vetë se beteja për një ligj të njëanshëm zgjedhor është aq e pamundur, saqë s’ja vlen shumë të investohet në atë betejë. Pikërisht prej kësaj bindjeje, ai hoqi dorë brenda ditës nga kërcënimet që lëshoi në konferencë shtypi se do të përjashtonte opozitën nga procesi i numërimittë votave dhe do të merrte nën kontroll Kolegjin Zgjedhor, pasi këto ishin edhe rekomandimet e ODIHR-it dhe ngarkoi Damian Gjiknurin të thoshte se deklaratat e kryeministrit nuk ishin kushtëzime të PS-së.

Edhe më e dëshpëruar duket situata sa i përket prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Rama e mbron vendimin me një të pandehur shumicë, që s’guxon ta legjitimojë as me një vendim special në parlamentin që e kontrollon vetë e as me një referendum të qarkut të Tiranës. Në vend të këtyre masave që mund të ofronin njëfarë legjitimiteti para komunitetit ndërkombëtar dhe mund të forconin disi falangat shtetërore në përplasjen e prishme me protestuesit, Edi Rama e delegon përgjegjësinë e një institucioni kombëtar tek një “këshill bashkiak”, që s’ka kurrfarë legjitimiteti. Disa vëzhgues politikë flasin se delegimi i kompetencës është në fakt një kurth për Erion Veliajn, por në stadin ku jemi, ky delegim flet pikë së pari për falsitetin e “shumicës” që predikon Edi Rama. Kjo “shumicë” s’rri dot në këmbë, ajo s’mbahet kurrkund, është thjesht një leckë që tundet në erë, me shpresën se kamikazi i bashkisë, me irracionalitetin e vet, do të mund të arrijë atë që arsyeja nuk e rrok e që kalemxhinjtë e aparatit kryeministror e kanë klasifikuar si të pamundur për t’u bërë.

“Shumica” që Edi Rama thotë se përfaqëson është një tregues dobësie, një patate e nxehtë e një ndotje toksike që po synohet të groposet në rrënojat e pushtetit lokal të kryeqytetit. Kjo “shumicë” s’ka guximin as të shfaqet në publik, as të mblidhet në seancë plenare, por vetëdeklarohet “via e-mail”. Kjo e-shumicë është përfundimi i merituar për një taraf oligarkësh që kandisen që paratë e vjedhura t’i harxhojnë për t’u mbrojtur a për t’u fshehur, sepse kanë frikë të dalin rrugëve. Nëse Edi Rama pretendon se përfaqëson një shumicë, në rastin e Teatrit Kombëtar, ai është i detyruar ta çertifikojë atë me një referendum, përndryshe e-shumica e tij, sado qesharakësisht të mbulohet me lojëra elektronike prej Gramoz Ruçit dhe parlamentit të tij të emëruar, më shumë herët sesa vonë, do të shembet nga virusi i rezistencës, ilaçi më i çertifikuar sa herë dikush synon t’i imponohet vullnetit të shumicës së vërtetë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular