BallinaAktualitetShembja e Teatrit/Flutura Açka: Disa artistë u blenë me dhurata, disave u...

Shembja e Teatrit/Flutura Açka: Disa artistë u blenë me dhurata, disave u nxorën dashnoret!

spot_img
spot_img

Shkrimtarja e njohur, Flutura Açka ka zbërthyer takimin e një ditë më parë të kryebashkiakut, Erion Veliaj në një familje të Kombinatit, ku foli për vendimin e shembjes së Teatrit Kombëtar.

Ajo shkruan se, prej muajsh Veliaj kishte një fushatë për të përçarë artistët dhe se disa prej tyre u thërriten në dreka, e kafe, madje iu blenë dhe dhurata.

Kurse për kundërshtarët, Açka thotë se: “kishte nisur një fushatë të tërë përçarjeje dhe denigrimi për kundërshtarët, se kishte kurdisur një aparat të tërë malinj që të rrëmonte të kaluarën e tyre, familjen, fisin, miqësitë, prejardhjen, gratë, dashnoret, dëftesat e shkollave, dëshmitë e penalitetit”.

NGA FLUTURA AÇKA

Mister pupuliti

Dje rastësisht më zuri syri një video të vizitës së Kryebashkiakut të Tiranës në një familje shqiptare, nga ato të shpeshtat e stilit “plagium” të tij, për të cilat jo shumë dekada më parë dënoheshe në Itali. Pasi e kishte hequr maskën e tij të shtrenjtë FFP2 (apo FFP 3, të cilën po ta vësh në Europë sot në publik, gjobitesh, sepse ruhen vetëm për ekipet mjekësore që përballen drejtpërdrejt me Covid-19), me një tortë në dorë, tek përqafonte zonjën e mirë të shtëpisë që po vizitonte, i foli edhe për Teatrin Kombëtar dhe i kërkoi asaj miratimin popullor të shembjes dhe madje sakatoi me të edhe me zhurmën që kishte bërë Teatri Kombëtar tek “thyente hundën” para forcës së tij, mu ashtu siç meritojnë ndërtesat e shëmtuara.

Madje shtoi me sigurinë prej “Alice and Bob” se asnjëri prej atyre që janë kundër shembjes, nuk kanë qenë ndonjëherë në teatër! Po i fliste një njeriu, që jo për faj të saj, mund të mos kishte qenë ndonjëherë në teatër dhe as e dinte se ç’është teatri si koncept, si një nga helikat e padukshme të ADN-së së njerëzimit.

Një natë më parë e kisha parë në një studio me një copë pupuliti në dorë tek kafshonte ajrin që nxirrte nga nxitimi se mos i harronte justifikimet që do të përdorte për gjëmën që i kishte bërë teatrit, në një nga ato shoë të mbrëmjes ku thirren shpesh për t’u pastruar politikanë, të cilët në mëngjes janë në shkallët e gjykatës a në derë të prokurorisë, studio ku kanë rast të kërcënojnë gazetarët.

I foli asaj nëne të mirë me një ngazëllim të paparë, a thua se po vinte drejt e nga ceremonia e inaugurimit të Teatrit të ri Kombëtar. Por atë që nuk i tha asaj nëne – e cila, ngaqë e ka televizorin argëtim, mendon se ata që dalin më shpesh në televizor janë burra më të mirë prej krejtve – ishte se deri te dita e krimit të shembjes së Teatrit Kombëtar, ai kishte bërë disa krime të vogla dhe të mëdha njërin pas tjetrit. Se kishte nisur emisarë prej muajsh e muajsh me fletushka nëpër festivalet teatrorë për të intimiduar aktorë që të firmosnin kundër teatrit. Se bashkë me vrapin për shembjen e teatrit, kishte nisur një fushatë personale mjalti me ata që besonte se mund t’i blinte, se i thërriste për kafe e dreka nëpër saletet e fshehta të një hoteli të njohur në qendër, u blinte dhurata, mbase edhe ndonjë zarf.

Se kishte nisur një fushatë të tërë përçarjeje dhe denigrimi për kundërshtarët, se kishte kurdisur një aparat të tërë malinj që të rrëmonte të kaluarën e tyre, familjen, fisin, miqësitë, prejardhjen, gratë, dashnoret, dëftesat e shkollave, dëshmitë e penalitetit, gjithçka që ai duket se e ka mjeshtri për të ndërtuar alibitë e tij, për të përbaltur “armiqtë” që vendosën të qëndrojnë dhe të mos shiten. Nuk i tha asaj nëne të mirë se ishte betuar para shefit të tij të bënte dorëzaninë për ta shembur Teatrin Kombëtar, jo ngaqë ishte trim, por se mori garancinë se do të ishte atavizma e tij në politikë. Nuk i tha se kishte përdorur qindramijë policë të të gjitha skuadrave, skuadriljeve e strukturave që njihen në këtë vend kundër një grushti artistësh e njerëzish të paarmuar, të cilët nuk mendojnë si ai. Nuk i tha se kishte shkruar natën si cubat, si kusarët për ta zënë në grackë ndërgjegjen dhe psikikën e aq njerëzve të lidhur si me frymën e tyre me atë teatër.

Nuk i tha se kishte thirre orën e tij të ligë për të tërhequr zvarrë një grusht idealistësh që kishin filluar ta donin atë ngrehinë më shumë se shtëpinë e tyre, pikërisht se ishin trembur se mos e humbnin. Nuk i tha asaj nëne se nuk kishte pritur që të gdhihej mirë, as të thaheshin lotët e atyre që qanin para rrënojave (dhe që janë qytetarë të tij që duhen respektuar), për të dalë e folur e për të bërë protagonistin edhe në një ditë të tillë zie për kulturën dhe historinë shqiptare. Nuk i tha asaj nëne se për herë të parë në atë broçkullitje të radhës, të mbushura me gënjeshtra, mesazhet që e kishin shoqëruar online kishin qenë të gjitha negative, absolutisht negative. Nuk i tha se për herë të parë edhe ata njerëz që ishin mësuar të hapnin statuse anonime, ku hynin dhe i bënin fërtele kundërshtarët e tij, atë ditë ishin topitur, pasi edhe ata ishin mërzitur, sikur zogjtë, sikur pemët, sikur insektet, sikur gurët e atij teatri në të gdhirë të asaj të diele tinzare.

Nuk i tha asaj nëne se po atë ditë në një nga gazetat me të mëdha europiane, akti i tij ishte quajtur “akt nazist” dhe se i kishte shqetësuar ata “miqtë e tij” europinë, të cilët nuk harronte t’i doroviste me pemë të ngulura kuturu në emër të tyre. Nuk i tha se kishte gënjyer duke thënë se shembja e Teatrit Kombëtar ishte vendimi më i vështirë i jetës së tij, aq i vështirë, sa nuk kishte pritur as dhjetë ditët ligjore për ta shembur.

Nuk i tha asaj nëne se sa gjurmë të pista kishte lënë tek nxitonte për t’ua prishur shtëpinë artistëve, nga të cilat nuk e shpëton dot më asnjë drejtësi, sigurisht nëse ka drejtësi diku ky vend. Se i kishte shtyrë kompanitë celulare që të shkelnin të drejtat e njeriut dhe t’ua këputnin valët asaj shpure artistësh të zënë në grackën e lodhjes atë natë. Se një ditë më parë kishte folur për mola dhe krimba që po ia hanin vlerën e çmuar brenda atij teatri, por që të nesërmen i zuri pa kurrfarë dhimbjeje e respekti nën rrënoja. Nuk i tha se kishte pritur një çast shkujdesjeje të Opozitës për ta shembur teatrin dhe se nëse nuk ia gjente anën Opozitës, e cila deri tani i kishte hedhur vetëm ca shashka, atëherë po, mund të kishte probleme me gjithë këto marifete prej marifetçiu “që nuk ia hedh njeri” (siç i përbetua para copës së pupulitit që e kishte marrë me vete në studio). Nuk i tha se mund ta kishte punën pisk nëse Opozita bënte një premtim publik për ta çuar deri në fund drejtësinë ndaj inkuizitorëve të Teatrit Kombëtar.

Nuk i tha se ka një mik “armik të popullit” që rreh, dhunon, zvarrit, helmon, verbon shqiptarët që protestojnë, pasi ka pirë edhe ai “drogën e pushtetit”. Nuk i tha se ai parku që pretendon se ka bërë brenda parkut të madh, ia nxorri kallp Koronavirusi, ngaqë nuk i hyri kujt në punë, siç do t’i kishte hyrë po të kishte bërë me ato miliona parash dhjetëra parqe të vegjël mes pallateve. Nuk i tha se ai sheshi që lëvdon prej ngrehaluci, është i vetmi në llojin e tij për një kryeqytet europian, i tillë, që ditën i duken zorrët mes ferrave dhe natën është i pakalueshëm prej mungesës së dritave nëpër shkurrishtat. Nuk i tha asaj nëne të mirë se tek ai stadium që ai e shet si koloseun e Tiranës, edhe bari refuzon të mbijë dhe është një ndërtim agresiv dhe i pabukur. Nuk i tha se kishte fyer me një cinizëm të pacak Europa Nostra-n si njëfarë OJF-je pa rëndësi, duke harruar se prej njërës së atyre gjërave pa rëndësi u kishte mbirë edhe ai vetë në derë shqiptarëve. Nuk i tha se nën rrënojat e teatrit kishte mbetur edhe flamuri shqipar që qëndrestarët e mbanin përherë aty. Sa gjëra nuk ia tha dot asaj nëne të mirë ai.

Sepse, sikur ta kishte bërë këtë, ajo do t’i kishte thenë: “Po të paska dalë kallaji, mor djalë!”. Ose, sipas gjuhës së preferuar të tij dhe të shefit të tij: “Të paska dalë pupuliti, mor djalë!”.

Pas këtyre gënjeshtrave që i tha asaj nëne, ajo u ngrit dhe i bëri një kafe bojëkafe, sepse ajo e di se kafet e zeza duhen vetëm për të mbledhur zemrën, dhe ky “çun garip” nuk kishte bërë asgjë për të qenë i pikëlluar, edhe pse kishte pikëlluar me egon e pushtetit të tij të pakontrolluar, me pangimjen e përjetshme të tipit mafioz, me përuljen latyritëse ndaj shefit, me sigurinë diabolike të plebeut, me mijëra e mijëra e mijëra shqiptarë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular