BallinaKryesoreShteti tribal i Ramës si kartel

Shteti tribal i Ramës si kartel

NGA LUÇIANO BOÇI 

Në kulmin e pandemisë Covid-19, Presidenti meksikan iu sul karteleve të drogës, duke u bërë apel atyre të mos shpërndanin pako ushqimore, por t’u jepnin fund krimeve. Deklarata kërkonte të zhvlerësonte humanizmin fals të karteleve me pako gënjeshtare, ndërsa vetë shteti meksikan ishte i përqendruar dhe i angazhuar në mekanizmin e mbështetjes financiare për qytetarët.

Kartelet e drogës në ketë vend, duke përfituar nga situata e panikut, vrapuan të marrin simpatinë e njerëzve. Për këtë madje, stampuan në kutitë e ndihmave të shpërndara edhe logon e kartelit.

Mijëra kilometra larg nga Meksika, në zemër të Europës përsëritet pothuaj e njëjta skenë.

Po ndryshe nga Meksika ku ka shumë kartele, në Shqipërinë europianiste ka vetëm një kartel. Kartel gjigant i strukturuar.

Ai është vetë shteti që ka ndërtuar regjimi i Ramës. Karteli-shtet i drejtuar nga partia, ngjashëm me sekuencat meksikane, u sul me qese në duar për t’u marrë mendjen njerëzve dhe nesër mbështetjen politike.

Pamjet e ofruara nuk dallonin absolutisht nga ato që vinin nga vendi problematik.

Por ndërsa atje shpërndarësit ishin “ushtarët” e karteleve, në Shqipëri pjaca ishte më e lartë.

Pakot shpërndaheshin me kamera me vete, nga vetë “shefat” e kartelit. Shefi në disa raste ishte ose kryetar bashkie, ose deputet, ose drejtues i lartë politik.

Madje, i angazhuar drejtpërdrejt në këtë ndërmarrje ishte vetë kryeshefi i kartelit, i cili herë pas here dilte me deklarata krenarie, duke manipuluar marramendshëm edhe numrin e pakove. Filozofinë e qeses, vetë Rama e njeh mirë dhe e ka përdorur sa herë i është dashur sipas parimit: një qese – katër vota, në ditët e zgjedhjeve politike dhe lokale.

Më e turpshmja e gjithë kësaj situate ishte se pakot minimaliste, që shërbenin sa për një ditë bukë, u dorëzuan vetëm në ato dyer ku më parë ishte vendosur shenja e partisë karteliste.

Ndryshe nga kartelet meksikane që kaluan kufirin e zonës së tyre të influencës, duke dhënë pako jashtë territoreve që kontrollonin, karteli-shtet i Ramës u soll me gjakftohtësi të plotë, duke i shërbyer vetëm tribusë se tij politike.

Listat bëheshin në bashkitë e emëruara dhe destinacioni ishte vetëm politik. Gjithçka u shndërrua në një parafushatë elektorale, ku buzëqeshjet, deklaratat u derdhën lumë dhe ku histerizmi pushtetar ishte i dalë kufijve, moralit e etikës. Për pasojë, shumë familje “kundërshtare” të kartelit u braktisën në fatin e tyre, duke i refuzuar edhe ekzistencën.

Po tribalizmi nuk mbaron këtu.

Në një kronikë u paraqit një kryetar bashkie, i cili kishte arritur me ndikimin e tij per sonal, të siguronte pako nga një kompani e njohur. Ngrefosja e tij ishte e llahtarshme. Tribuja lokale e tij ishte më e avantazhuar kësisoj, më e favorizuara në raport me të tjerat, falë tij. Kamerat e TV-ve e shpërndanë lajmin sikur të kishte ndodhur mrekullia.

Kjo shpërtheu dhe garën tribale brenda tribusë.

Pas kësaj, drejtuesit më të lartë politikë të kartelit, kudo në territoret e tyre, deputetë, kryetarë të çfarëdollojshëm, filluan të trysnojnë biznesin për pako të tjera e duke i kërcënuar nëse iniciativat i ndërmerrnin vetë ose në bashkëpunim me organizata humanitare. Këto pako i shpërndanin me fytyrat e veta me buzëqeshje deri në ngërdheshje të stampuara nën maskat profesionale, në një garë tribale, se kush e kush të merrte sa më shumë pikë. Tributë që kishin përfaqësues të fortë arritën të rrëmbejnë më shumë pako. Ndërsa ato, përfaqësuesit e të cilëve brenda Parlamentit, partisë, qeverisëkartel nuk i llogarit kush, ngelën me ca numra pakosh sa gishtat e dorës.

Ndërkohë, shteti-tribal hoqi dorë nga çdo detyrim financiar ndaj biznesit, njerëzve dhe vazhdonte e vazhdon ende mashtrimin spektakolar. Vetë kryekartelisti luante lojën “çilmbyll” me qytetarët dhe zbriste e shtonte numrat e të infektuarve sipas prognozës politike. Ndërsa thasët e milionave i dorëzonte lirshëm te klientela, që është elita reale e tribusë politike dhe e cila furnizon kartelin me oksigjen. Pikërisht me këto Rama ndan pasuritë që u takojnë këtyre njerëzve, të cilëve u fali qese me bukë njëditore brenda. Jo vetëm kaq. Sipas dhe mënyrës së sjelljes së karteleve që shpërndajnë qese e rrisin shpërndarjen e krimit e të drogës, kryekartelisti, në kulmin e bamirësisë së tij false, dha sihariqin e sanksionimit të krimit me veshje ligjore. Atë të legalizimit të kanabisit. Ngjashmëria është perfekte. Asnjë ndryshim nuk gjen midis qeverisë së Ramës dhe një karteli droge meksikan në formë dhe në përmbajtje.

Askund tjetër nuk u pa një sjellje e tillë tribaliste. Asnjë vend fqinj apo europian nuk i gënjeu qytetarët e tij me qese të pariciklueshme me ushqime të skaduara ose afër skadencës. Kurrkund nuk pati skena të neveritshme televizive, përpos në Meksikën e karteleve me “ushtarët” e bindur e të paguar, ku kryetari i bashkisë apo i grupit parlamentar, apo deputetë të dilnin me qese në duar për të dëshmuar mëshirën e tyre false, por ndërkohë për të mbuluar detyrimin e vërtetë që mbartnin ndaj njerëzve.

Qeveritë e vendeve të tjera, përfshi Kosovën e vogël, secili prej tyre sipas aftësisë ekonomike, përcaktoi shuma parash për çdo kategori dhe çdo qytetar. Sepse kjo duhet të jetë fytyra e vërtetë e një shteti humanitar.

Shteti humanitar nuk është shtet qesesh. Vetëm shtet-karteli i Ramës realizoi këtë tallje gjigante tribale me qytetarët e këtij vendi, të masakruar nga lufta e interesave ekonomike, brenda tribusë-kartel që akoma fatkeqësisht drejton vendin.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular