BallinaEkonomiÇfarë po ndodh me transporti urban dhe si do t’i mbijetojë pandemisë,...

Çfarë po ndodh me transporti urban dhe si do t’i mbijetojë pandemisë, kërkesat e operatorëve

Flet Kostandin Foni, drejtor i Transportit Publik i linjës Kombinat-Kinostudio në kompaninë “Shega-Trans”

“Humbja për të gjithë operatorët e linjave urbane të Tiranës llogaritet 3 milionë euro në muaj”

Transporti urban në Tiranë ende nuk është “shëruar” nga pandemia. Prej 3 muajsh, ky shërbim ende është i mbyllur, ndërsa operatorët janë përgatitur për rinisjen e punës, por kanë disa kërkesa financiare. Por, mbyllja e punës jo vetëm që është kthyer në një makth për qytetarët që duhet të ecin të paktën 60 minuta në ditë për të shkuar në punë, por edhe për operatorët të cilët thonë se humbjet për Tiranën llogariten 3 milionë euro në muaj.

Drejtori i Transportit Publik i linjës Kombinat-Kinostudio në kompaninë “Shega-Trans”, Kostandin Foni, në intervistën për “Monitor” thotë se ky biznes e ka të pamundur të rezistojnë nëse do të punojnë me reduktim të kapacitetit, pasi të ardhurat e tyre mbulohen vetëm nga shitja e biletave dhe abonetë.

Për periudhën e pandemisë, zoti Foni propozon dy opsione që duhet të ndiqen me rifillimin e punës të transportit urban në Tiranë. Së pari, sipas tij, një opsion mund të jetë zbatimi i modelit të Kosovës, ku pagesa e operatorëve të kryhet sipas kilometrave. Ai gjithashtu sugjeron se transporti publik për një periudhë të caktuar mund të punojë falas dhe shpenzimet mund të rimbursohen nga shteti.

Cilat janë efektet e pandemisë te transporti publik, ku aktiviteti është pezulluar prej 3 muajsh?

Me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë së Tiranës, transporti i pasagjerëve është ndërprerë që nga 11 marsi, për shkak të Covid-19. Edhe sot që flasim për transportin publik, ende nuk ka nga Ministria e Shëndetësisë një protokoll për hapat që duhet të ndiqen për funksionimin e këtij shërbimi.

Ashtu siç kanë vepruar edhe bizneset e tjera, ne i kemi të qarta masat që duhet të marrim, për këtë kemi skicuar gjithashtu një model për autobusët. Në vendet e rajonit, përveç Kosovës, nuk është ndërprerë transporti publik, pasi në këto vende ky shërbim subvencionohet nga shteti, paguhet për kilometër nga bashkitë dhe qeveria qendrore. Në Shqipëri, të ardhurat e operatorëve, kryesisht në Tiranë ku është përqendrimi më i madh i transportit publik, janë nga biletat dhe abonetë.

Në kontratë, kemi të përfshirë edhe kategoritë që përfitojnë udhëtimin falas dhe asnjëherë nuk jemi subvencionuar për këto kategori. Kjo do të thotë se, nëse do të ndiqet një protokoll ashtu siç mund ta kërkojë Ministria e Shëndetësisë, të ruhet distanca dhe të ketë reduktim të kapacitetit të pasagjerëve, operatorët e kanë të pamundur të rezistojnë, për të mbuluar shpenzimet e shërbimit.

Çfarë sugjeroni, si duhet të funksionojë transporti publik me qëllim që edhe pasagjerët të jenë të mbrojtur nga virusi, por edhe operatorët të mos dëmtohen financiarisht?

Kryeministri deklaroi se brenda muajit maj do të ketë një vendim për datën se kur do të rihapen operatorët dhe se si do të funksionojnë transporti publik në vend. Ne jemi të gatshëm të fillojmë që nesër, duke ndjekur edhe masat e sigurisë dhe të distancimit, por problem mbetet ana ekonomike se si do të funksionojë shërbimi. Nëse hapja e transportit publik do të lejohet me kushtet e mëparshme, që operatorët të mbulojnë të ardhurat nga bileta dhe abonetë, është e pamundur të mbijetojnë dhe të mbulojnë shpenzimet e tyre.

Ne kemi paraqitur disa alternativa dhe opsione se si duhet të funksionojë transporti qytetas në këtë kohë pandemie, siç e ka edhe Kosova, të cilin e ka hapur prej 2 javësh transportin publik. Në Kosovë funksionon që operatori paguhet në bazë të kilometrave për shërbimin që ofron. Ne kemi sugjeruar që të ndiqet modeli i Kosovës dhe operatorët të paguhen në bazë të kilometrave, ndërsa pjesa e të ardhurave të menaxhohet nga bashkia.

Pasagjeri do të vazhdojë të përdorë biletën dhe abonenë, por nëse do të jetë elektronike, apo siç ka qenë më përpara ku prania e faturinove dhe kontrollorëve nuk është e domosdoshme, duhet të përcaktohet nga bashkia dhe qeveria. Një tjetër sugjerim është që për një periudhë të caktuar, deri në rimëkëmbjen e ekonomisë, transporti publik, mund të funksionojë falas dhe operatorët të rimbursohen nga shteti për të mbuluar shpenzimet, jo të realizohen fitimet e mëparshme. Edhe ne kërkojmë që transporti publik të rinisë me këto kërkesa, pasi janë një numër i konsiderueshëm operatorësh që kanë pezulluar punën prej gati 3 muajsh.

A keni ndonjë shifër se sa janë humbjet në transportin qytetas për shkak të pezullimit të punës?

Humbja për të gjithë operatorët e Tiranës llogaritet 3 milionë euro në muaj. Nga operatorët e transportit publik, në këtë periudhë nuk është ndërprerë pagesa e kësteve të kredive, ndërkohë që amortizimi i mjeteve dyfish, pasi nuk janë në lëvizje. Në këtë shifër janë të përfshira edhe pagat e punonjësve që aktualisht nuk po punojnë. Humbja për transportin publik të Tiranës është e konsiderueshme, ku janë të punësuar një numër i madh punonjësish, që nga shoferët, faturinët, punonjësit e ofiçinave dhe lavazheve, administratës për të cilët puna është pezulluar.

Ju u shprehet se masat anti-COVID vënë në vështirësi financiare operatorët e transportit publik, por a do të kërkohet rishikim i çmimit të biletës për të mbuluar humbjet?

Ulja apo rritja e çmimit të biletës nuk vendoset nga operatorët, vendimi merret nga bashkia dhe qeverisja qendrore. Ne nuk po kërkojmë rritje të çmimit të biletës, por kërkojmë subvencionim pa përfshirë fitimet, me qëllim që transporti publik të rinisë punën. Është absurde që në këtë situatë të kërkohet rishikimi i çmimit të biletës për të marrë fitimin e munguar.

Po siç e theksova më lart, ende Ministria e Shëndetësisë nuk ka nxjerrë një protokoll të posaçëm, se si duhet të funksionojë ky shërbim. Një autobus me gjatësi 12 metra duke ruajtur distancën mund të marrë 25 pasagjerë, nga 100 që është kapaciteti. Diferenca është ¼ e pasagjerëve më pak se kapaciteti në kohë normale. Pra nëse do të kërkohet të zbatohet ky protokoll, ku autobusët të funksionojnë me 25% të kapacitetit të tyre, atëherë 70% të subvencionohet, ose të paguhemi në bazë të kilometrave të itinerarit.

A mendoni se urbanët në Tiranë përmbushin kushtet higjieno-sanitare për të rinisur punën në kohë pandemie?

Te shërbimi i transportit publik ka ende vend për të kryer përmirësime, në çdo kohë, jo vetëm në periudhë pandemie. Për sa i përket linjës Kinostudio-Kombinat, kushtet e autobusëve janë të higjenizuara, po ashtu ka edhe staf mjekësor. Autobusët çdo ditë lahen dhe dezinfektohen përpara se të dalin për shërbim. Dezinfektimi do të vazhdojë, por duhet thënë që është një kosto ekstra që u ngarkohet operatorëve.

Po për transportin e mallrave, si ka ndikuar pandemia në kompaninë tuaj?

Transporti ndërkombëtar i mallrave, gjatë periudhës së pandemisë ka punuar me kapacitet të reduktuar. Në muajt mars-prill, është punuar me rreth 25-30% të kapacitetit të flotës dhe me staf të reduktuar. Transportet gjatë kësaj periudhe, kryesisht kanë qenë për produktet ushqimore dhe ato farmaceutike.

Gjate muajit maj, ka filluar të ndihet një shtim i fluksit të transporteve që shkon në rreth 60% të kapaciteteve tona, por shqetësimi më kryesor ngelet mungesa e eksporteve, ku për shkak të pandemisë, shumë biznese prodhuese shqiptare, kanë ndaluar së prodhuari dhe eksportuari, por dhe shumë biznese jashtë Shqipërisë, ku furnizohen prej bizneseve shqiptare, kanë qenë të mbyllura. Për sa u përket transporteve detare dhe tokësore me kontejner, situata ka qenë më favorizuese dhe transportet nuk janë ndalur në asnjë moment.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular