BallinaIntervistaPërzgjedhja e KQZ në Parlament, Ivi Kaso: Ja formula që përfshin edhe...

Përzgjedhja e KQZ në Parlament, Ivi Kaso: Ja formula që përfshin edhe opozitën. Reforma mbyllet këtë javë po të…

Këshilli Politik i Reformës Zgjedhore pritet të rimblidhet këtë javë për t’i dhënë zgjidhje mënyrës se si do të përzgjidhen anëtarët e rinj të KQZ-së.

Në një intervistë për gazetën “Panorama” eksperti i PD-së në tryezën e Reformës zgjedhore, Ivi Kaso, tha se Opozita ka depozituar propozimin e saj në tryezë për formulën e përzgjedhjes së KQZ-së, e cila plotëson edhe pretendimin e maxhorancës për ta përqendruar procesin në Kuvend, por garanton edhe pjesëmarrjen e opozitës në proces. “Formula jonë e re adreson kërkesën e PS-së, e cila refuzoi përfshirjen e Avokatit të Popullit, siç ndodh për organet e drejtësisë, duke këmbëngulur që procesi të zhvillohej brenda Parlamentit.

Formulimi ynë i ri e risjell procesin brenda Parlamentit, por njëkohësisht garanton rolin dhe prezencën e opozitës në procesin përzgjedhës të kandidaturave”, u shpreh Ivi kaso. Më tej Kaso ka akuzuar maxhorancën se është tërhequr nga marrëveshja e firmosur më 5 qreshor në prani edhe të ndërkombëtarëve. E ndërkohë që këshilli po shkon drejt fundit për amendimin e Kodit Zgjedhor, opozita e re e ndarë në disa kampe në Parlament paralajmëron se nuk do të votojë draftin që do të vijë në Parlament. Por Kaso nuk e sheh këtë si një problem real.

“Është një teatër qesharak. Maxhoranca ka provuar në Kuvend se zotëron votat e nevojshme për çfarëdo lloj iniciative që ka dashur të ndërmarrë, qofshin këto edhe ato të perceptuara gjerësisht si antikushtetuese. Në këtë kontekst nuk besoj se do të ketë ndonjë problem për të siguruar votat e nevojshme për të respektuar angazhimet që ka marrë lidhur me miratimin e Reformës Zgjedhore përpara miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. ‘Rebelët’ janë vetëm disa aktorë që bëjnë lojën e regjisorit Edi Rama”, tha Kaso.

Z. Kaso, kur do të mblidhet sërish Këshilli Politik për të mbyllur draftin e Reformës?

Pas një pune intensive disamujore Këshilli Politik është pranë përfundimit të një pakete amendamentesh, të cilat prekin Kodin aktual zgjedhor dhe një seri ligjesh të rëndësishme. Prioritet javët e fundit ka qenë përkthimi në draft ligjor i dakordësisë së palëve mbi aspekte të rëndësishme të administrimit zgjedhor. Për fat të keq, në hartimin e zgjidhjeve dhe dispozitave konkrete maxhoranca është tërhequr nga dakordësia e shprehur edhe në prezencë të faktorit ndërkombëtar mbi institucionin më të rëndësishëm që administron dhe menaxhon procesin zgjedhor, pra mënyrën se si do të formatohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo, në vijim të tentativave të vazhdueshme të saj përgjatë këtij procesi për kapjen dhe kontrollin e administrimit të zgjedhjeve. Aktualisht opozita ka dhënë propozime dhe zgjidhje konkrete se si duhet të formatohet KQZ-ja në përputhje të plotë me angazhimet e marra nga palët në dokumentin e dakordësisë së datës 5 qershor. Jemi në pritje të reflektimit të maxhorancës mbi këto propozime dhe shpresojmë që fillimi i javës së ardhshme të sjellë zhbllokim të procesit, çka do të sillte dhe përfundimin e paketës së plotë në një kohë të shkurtër.

Aktualisht dimë që çështja e KQZ-së është më e nxehta: a ka ndonjë pikë tjetër pa mbyllur Këshilli?

Ka ende disa pika te tjera të cilat gjithashtu janë për t’u diskutuar dhe dakordësuar, veçanërisht aspekte që lidhen me përfundimin e plotë të zgjidhjeve për votimin e emigrantëve, roli i mediave në fushatën zgjedhore etj…

Opozita u tërhoq nga propozimi i saj i parë që anëtarët e rinj të KQZ-së të përzgjidhen jashtë Parlamentit. Tani, sipas formulimit të ri, garën do ta shpallë Parlamenti dhe do t’i administrojë Parlamenti. Pse keni zgjedhur këtë formulë? Çfarë garancish merr opozita me këtë?

Gjatë gjithë procesit ne jemi treguar të gatshëm për kompromis. Maxhoranca nuk ishte e gatshme të zbatonte për KQZ-në të njëjtën formulë konsensuale për zgjedhjen e anëtarëve të organeve të drejtësisë. Ajo ishte një formulë e certifikuar edhe nga Komisioni i Venecias. Formula jonë e re adreson kërkesën e PS-së, e cila refuzoi përfshirjen e Avokatit të Popullit, siç ndodh për organet e drejtësisë, duke këmbëngulur që procesi të zhvillohej brenda Parlamentit. Formulimi ynë i ri e risjell procesin brenda Parlamentit, por njëkohësisht garanton rolin dhe prezencën e opozitës në procesin përzgjedhës të kandidaturave. Në lidhje me garancitë nuk ka ndonjë gjë thelbësore më shumë sesa tani. Siç duhet ta keni vënë re, zoti Rama nuk ka ndonjë vullnet të spikatur për Reformën Zgjedhore. Deri tani janë harxhuar shumë energji, është bërë betejë absurde për të mbajtur garancitë që kemi, sepse zoti Rama po ndjek strategjinë “ose i kap të gjitha, ose rrimë siç jemi”. Kjo ndodhi edhe me komisionet e nivelit të parë. Kur vlerësoi se formula e mbështetur nga opozita dhe partnerët nuk i siguronte kapjen e komisioneve hoqi dorë nga zbatimi i rekomandimit të ODIHR-it për këto zgjedhje.

A përjashtohet opozita parlamentare me këtë formulë?

Me formulimin e propozuar nga ana jonë Parlamentit i garantohet roli i tij ligjor dhe tradicional në këtë proces. Është Parlamenti i cili në seancë plenare do të votojë kandidaturat dhe do t’i emërojë kandidatët për të kryer detyrat përkatëse në KQZ-në e riformatuar.

Në tryezën e Këshillit Politik është edhe znj. Hajdari, por sipas propozimit tuaj, asaj nuk i lini asnjë komisioner. A e pranon ajo këtë propozim?

Përcaktimi i partive propozuese të komisionerëve në të gjitha nivelet e administrimit zgjedhor është një proces ligjor, i detajuar në Kodin Zgjedhor, i cili nuk varet nga orekset e palëve, ose nga prezenca e tyre ose jo në tryezën e Këshillit Politik. Qartazi, Kodi Zgjedhor aktual e lidh këtë proces me rezultatin zgjedhor në zgjedhjet paraardhëse dhe kështu do të vazhdojë të jetë. Ashtu si dhe ne zgjedhjet e mëparshme, komisionet do të vijojnë të jenë të balancuara maxhorancë-opozitë.

Si i komentoni lëvizjet e fundit të deputetëve që erdhën nga lista e opozitës se nuk do të votojnë draftin konsensual?

Është një teatër qesharak. Maxhoranca ka provuar në Kuvend se zotëron votat e nevojshme për çfarëdo lloj iniciative që ka dashur të ndërmarrë, qofshin këto edhe ato të perceptuara gjerësisht si antikushtetuese. Në këtë kontekst, nuk besoj se do të ketë ndonjë problem për të siguruar votat e nevojshme për të respektuar angazhimet që ka marrë lidhur me miratimin e Reformës Zgjedhore përpara miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. “Rebelët” janë vetëm disa aktorë që bëjnë lojën e regjisorit Edi Rama, i cili ka ngelur vetëm dhe nuk do që të lejojë opozitën të dalë e bashkuar, ashtu siç e duan qytetarët.

A do të pranonit të shkonit në zgjedhje me kodin aktual?

Ne e kemi stërthënë që problemi nuk është i Kodit. Vetë OSBE/ ODIHR-i vlerësojnë se Kodi aktual Zgjedhor garanton standarde demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme. Pengesë është Kryeministri, që ligjin e zëvendëson me bandat, me presionin e tyre, me paratë e pista. Tani, mesa duket, as këto nuk i dalin për të qëndruar në pushtet dhe po përdor makinacione të dala boje me buratinët në Parlament. Me këtë Kod apo me një Kod të ri, ne do t’i fitojmë zgjedhjet, sepse qytetarët janë bashkuar dhe duan që ne të ndryshojmë për mirë vendin. Panorama

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular