BallinaAktualitetGjunjëzohet shteti/21 të vdekur për një javë nga Covid 19

Gjunjëzohet shteti/21 të vdekur për një javë nga Covid 19

Vendi po shënon ditë pas dite shifra rekord infektimesh dhe vdekjesh nga koronavirusi. Vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar 3 viktima një 57 vjeçar nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 76 vjeçar nga Durrësi duke e çuar në 21 numrin e të vdekurve në javën e fundit (nga 72 gjithsej).

Edhe numri i të prekurve po rritet dita ditës duke arritur sot në 90. E çuditshme është se këta 90 janë konstatura vetëm pas zhvillimit të 362 testimeve çka lë të mendohet se shifra është shumëfish më e lartë. Nga informacionet e Lapsi.al, tamponët vazhdojnë të bëhen me kursim dhe në disa raste nuk i bëhen as bashkëjetuesve të personave që kanë rezultuar më parë si pozitivë.

Një lloj alarmi është krijuar edhe midis mjekëve të spitalit infektiv në Tiranë ku vendet e shtrateve po shkojnë drejt ezaurimit.

Aty aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. Ndërsa po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dy muajsh, rasi i parë i hospitalizuar, i prekur nga Covid19 nën kujdes nga stafi i pediatrisë infektive, në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën.  Sipas ministrisë së shëndetësisë mosha e të prekurve është ulur ndjeshëm dhe ajo ka arritur në 45 vjeç.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se ka pacientë të moshës 30-45 vjeç, që po shfaqin simptoma të rënda nga COVID.

“Sëmundja ka prekur në masën më të madhe moshat mbi 67 vjeç, por me simptoma të rënda ka edhe raste të reja nga 30 deri në 45 vjeç”, tha Manastirliu.

Pikërisht për këtë Ministria e Shëndetësisë ka bërë bën apel për më shumë kujdes.

“Kur dilni, qëndroni në distancë fizike prej të paktën 1.5 metër, lani shpesh duart, përdorni maska ose barriera mbrojtëse, dezinfektoni objektet dhe ajrosni ambientet ku qëndroni. Në rast se dyshoni se jeni i prekur nga Covid19 apo keni patur kontakte me persona të prekur, izolohuni. Në rast se keni shenja të sëmundjes, telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127. Telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë për këshillim psikologjik apo çdo informacion për Covid19” mbyllet apeli.

Megjithëatë ajo që nuk kuptohet është fakti se përse kur gjendja është më keq se në mars kur u mbyllëm dhe kur u izoluam, kur kryeministri dilte përditë në Facebook, kërcënonte me gjoba dhe burg, pra tani që kemi më shumë raste dhe vdekje, masat janë ulur krejtësisht, lokalet dhe baret nuk i zbatojnë ato dhe shteti është dorëzuar nga mbrojtja e qytetarëve. Edhe gazeta Tema që mbështet politikat qeveritare vërente sot në editorialin e saj se: “Të kaluarit nga ekstremi i mbylljes totale, në hapje totale me papërgjegjësi, është krim ndaj sakricës tre mujore që kemi bërë dhe një rrezik i shumëshuar për të ardhmen. E njëjta gjë duhet të vlejë dhe për zyrat e shtetit apo etikën e sjelljes në publik, të zyrtarëve të shtetit” shkruante Mero Baze.

Ndërsa në Facebookun e Ramës, prej nga na kallej data disa javë më parë, tani nuk gjen më asnjë fjalë për koronavirusin. Me sa duket qeveria ka kaluar nga izolimi maksimal në politikat e diskutueshme të “imunitetit të grupit”, sipas të vilave kush e ka për risk të vdesi le të vdesi. ©Lapsi.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular