BallinaKryesorePremisat e dështimit të dialogut në Bruksel dhe Washington

Premisat e dështimit të dialogut në Bruksel dhe Washington

Nga Alma Lama

Prej fillimit të luftës së vitit 1998-1999, Kosova ka kaluar nëpër disa proçese negociatash dhe dialogu me Serbinë. Negociatat më të tensionuara padyshim ishin ato në Rambuje, ndërsa forcat serbe në terren kryenin krime makabre, dhe Millosheviqi tallej me shtetet më të fuqishme në botë, që e paralajmëronin se do ta sulmonin ushtarakisht nëse nuk i jepte fund krizës në Kosovë.

Në këto negociata, Kosova nënshkroi marrëveshjen që siguronte autonominë dhe largimin e forcave serbe, ndërsa Millosheviqi refuzoi. Historia dihet, Kosova fitoi lirinë pas bombardimeve të NATO-s ndërsa Serbia u detyrua të nënshkruajë kapitullimin.

Pas disa vitesh të administrimit ndërkombëtar, mosmbajtjes së fjalës për referendumin pas tre vitesh dhe ngjarjeve të dhunshme të marsit 2004, Kosova u fut në një proçes tjetër ndërkombëtar, që ishte ai i përcaktimit të statusit. Pas raundesh të shumta bisedimesh me Serbinë, përfaqësuesit e Kosovës morën përsipër në mënyrë të njëanshme respektimin e marrëveshjes së arritur gjatë proçesit të Vjenës, ndërsa Serbia refuzoi edhe këtë herë të nënshkruante marrëveshjen.

Procesi i tretë ku palët janë përfshirë në biseda të nivelit të lartë është “dialogut i Brukselit,” për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe në këtë dialog që në të vërtetë ka qenë një proçes i gjatë dhe i vështurë negociatash, që ka zgjatur mbi 8 vite, dhe ku janë nëshkruar mbi 30 marrëveshje në fusha të ndryshme, sipas një vlerësimi të përgjithshëm, Kosova ka bërë shumë konçesione, ndërsa Serbia prej vitesh refuzon zbatimin e shumicës së tyre.

Kemi mbërritur kështu në fazën e katërt të dialogut, i cili kur ai zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së më shumë duket si vazhdimësia e dialogut të mëparshëm, ndërsa kur tentohet të zhvillohet në Washington, me ftesë të presidentit Trump, duket një moment i ri, që duhet t’i vendosë kapak marëdhënieve konfliktuale mes dy vendeve, dhe kjo nuk mund të ndodhë pa njohje reciproke.

Dhe pikërisht kjo gjendje konfuze bën të domosdoshme shtrimin e disa pyetjeve themelore: Në çfarë faze bisedimesh është Kosova sot në raport me Serbinë? Po zhvillon dialog apo negociata, pasi këto nuk janë dy koncepte të njejta? Po e zhvillon atë me ndërmjetësimin e Brukselit apo Washingtonit?  Çfarë kuptimi kanë bisedimet e Brukselit, a është kjo vazhdimësi e dialogut të nisur me 2011? Nëse po, çfarë masash kushtëzuese ka ndërmarrë Brukseli për të detyruar Serbinë që të zbatojë marrëveshjet e arrituara? Nëse nuk e detyron dot, çfarë kuptimi ka të vazhdojë të njëjtin proçes? Cila është platforma e re e ndërmjetësueseve europianë, për të arritur rezultate të tjera në këtë dialog, cili është synimi, afatet, objektivat?

Vijmë te dialogu në Washtington: është folur për nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve për të zgjidhur një konflikt jo dhe aq të thjeshtë sa i duket të emruarit Special të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell, i cili është evidente se nuk i njeh problematikat e rajonit dhe mprehtësinë e tyre.  Cila është paltforma e Washingtonit? A është ky proçes i ndarë nga ai që po zhvillon BE-ja? Si do reflektojë ky proçes në raport me Kosovën dhe agjendën e saj europiane, nëse këta të fundit nuk përfshihen? A është ky një proçes që ka për qëllim njohjen e Kosovës nga Serbia dhe zgjidhjen e konfliktit,  apo thjesht një vazhdimësi e dialogut të “për normalizimin e marëdhënieve” por sipas tyre nëpërmjet investimit në ekonomi?

Pyetje të tjera më të detajuara mund të renditen pafundësisht, por ka dy fjalë të vetme që mund ta përmbledhin të gjithë proçesin që po ndodh aktualisht mes Brukselit dhe Washingtonit e që ka lidhje me Kosovën:  konfuzion dhe dështim.

Pse?

Në radhë të parë, për shkak të raporteve të administratësTrump në raport me BE-në, që janë shoqëruar me probleme, rivalitete dhe mosmarrëveshje, Kosova është vënë në sanduiç dhe i duhet të zgjedhë mes Ëashintonit dhe Brukselit, në vend që të ishte e kundërta, që dy kryeqytetet të koordinoheshin siç kanë bërë në të shkuarën.

Aleanca veriatlantike që ka qenë fondamentale në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, është po kaq esenciale në zgjidhjen e përfundimtare të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë. Përballë tyre duhet të mbetet Rusia dhe interesat e saj malinje në rajon.

Ky raport dhe nisja e sforcuar e dialogut, si nga BE-ja për shkak të rivaliteteve me SHBA-në, dhe si nga SHBA-ja më shumë për shkak të proçesit zgjedhor atje dhe nevojës për një sukses të administratës Trump, përbën premisën e parë për dështim.

Premisa e dytë është se deri tani nuk ka pasur asnjë përgaditje serioze në asnjërin nga kryeqytetet. Nuk ka një platformë nga Bashkimi Europian, përveçse një tentatinë për të rikthyer fytyrën,pasi u angazhuan për të ndalur aventurat e presidentit të Kosovës dhe Serbisë për ndryshimin e kufijve, gjë që duhet vlerësuar pozitivisht.

Ndërsa në Washington, situata është edhe më konfuze, pasi flitet për një plan ekonomik si ofertë për zgjidhejn e mosmarrëveshjeve, por që merr në konsideratë disa modele të Kinës për zonat e lira, gjë që duket tepër jorealist, ndërsa problemet politike sipas Grenellit, ia lënë në dorë Europës.  Vetë i dërguari Special i Shtëpisë së Bardhë aktualisht është i përfshirë në mënyrë intensive në fushatën elektorale të presidentit Trump, dhe vështirë të jetë thelluar në planet për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, përsa i përket proçesit të njohjes reciproke. Kjo është premisa e dytë e dështimit.

Përtej kësaj, presidenti Trump në politikën e jashtme ka marrë kritika të forta për qasjen e tij, pas dështimit spektakolar me Korenë e Veriut, prishjes së marrëveshjes bërthamore me Iranin, lënien e Sirisë në duart e Rusisë, pas vendimit të papritur për terheqjen e trupave, braktisjen e partnerëve në terren kundër ISIS-it, ushtrisë kurde dhe lënie dorë të lirë Turqisë për interesat e veta, acarimit të raporteve Izrael-Palestinë pas përkrahjes së njwanshme tw Izraelit. Së fundi ka shënuar një sukses me nëshkrimin e marrëveshes mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara pwr njohje, por sërish, kjo nuk ka sjellë ndonjë dobi në rastin e raporteve me palestinesët. Duke pasur parasysh këtë qasje, pa strategji apo me strategji të gabuar, pritshëmritë për Kosovën dhe zgjidhjen e konfliktit me Serbinë, duken pesimiste, edhe pse Kosova është një projekt amerikan.

Pavarësisht nga këto, përfaqësuesit e Kosovës duhet të lëvizin në tehun e shpatës, për të mos nënshkruar asgjë që nuk është në interesin e Kosovës apo që mund të cënojë atë që është arritur në negociatat e Vjenës, por nga ana tjetër duhet të ruajnë marëdhëniet e shëndosha me SHBA-në, që është një interes strategjik afatgjatë.

Problemi tjetër madhor është se dialogu në Brukel dhe Washinton po zhvillohen në hijen e një gabimi historik që ka bërë presidenti i Kosovës, ku në negociata të fsheta me homologun e tij serb, është marrë vesh për shkëmbime territoresh, skenar për të cilin ka folur shumë herë edhe publikisht. Edhe pse ky skenar dështoi, pasojat janë të pariparueshme, pasi ai për interesat e tij personale për të shpëtuar nga akuzat e Gjykatës Speciale, i bëri të cënueshëm kufijtë e Kosovës, të cilët me Pakon e Ahtisarit ishin deklaruar të paprekshëm.

Frika që ka ngjallur ky skenar tek populli i Kosovës, e ka devalvuar plotësisht besimin dhe reputacionin e çfarëdolloj dialogu apo negociatash me Serbinë në këtë moment, nëse jo edhe për një kohë të gjatë. Asnjë marrëveshje nuk do të gjejë miratim publik, përkudrazi ky i fundit do të mbarset me dyshime dhe nuk përjashtohet rasti me tensione politike dhe etnike.

Dhe kjo është premisa tjetër e dështimit, pasi asnjë marrëveshje që nuk gjen mbështetje mbarë popullore, nuk mund të imponohet, as të jetë jetëgjatë.

Dhe vijmë kështu tek skena e brendshme politike në Kosovë, e cila ështe tepër e përçarë, e papërgatitur, me një qeveri që ka problem legjitimitetin. Është evidente se Lwvizja Vetëvendosje si partia më e fuqishme sot për sot në elektorat dhe që pritet të forcohet edhe më tej kurdo që të mbahen zgjedhje, do të kundërshtojë çfarëdolloj marrëveshje, veçanërisht pas raporteve të tensionuara me ambasadorin Grenell, i cili me qasjen e tij të ashpër dhe jo fort diplomatike, u bë shkaktar i rrëzimit të qeverisë Kurti, as 50 ditë pas marrjes së pushtetit.

Nga ana tjetër me një president nën peshën e një aktakuze shumë të rëndë për krime lufte që pritet të konfirmohet së shpejti, e bën pozicionin e Kosovës të brishtë përballë Beogradit. Për këtë arsye dështoi takimi i Washingtonit me 27 qershor, kur Prokuroia Speciale publikoi njoftimin për një aktakuzë kundër tij, gjë që e detyroi presidentin të zbresë në mënyrë të turpshme nga avioni e të kthehet në shtëpi. Pavarësisht se ai nuk do të jetë pjesë e takimit të thirrur me 2 shtator në Washington, Kosova po përballet me pasojat e një pozicioni të dëmtuar ndërkombëtarisht.

Duke pasur parasysh këtë situatë, është shumë e vështirë të mendojmë se përpara vetes kemi një moment historik në Kopshtin e Trendafilave të Shtëpisë së Bardhë. E në Bruksel, jo se jo, pasi ata nuk  kanë folur për ndonjë afat kohor dhe aktualisht vetëm sa e kanë lehtësuar Serbinë përsa i përket kapitullit 35, i cili kishte të bënte me marëdhëniet fqinjësore, në kuadër të një ridizajnimi të proçesit kushtëzues të BE-së.

Faktori tjetër i rëndësishëm është Serbia me qasjen e saj të painteresuar për të zgjidhur problemin me Kosovën. Vuçiç megjithëse po tregohet një lojëtar i zhdërvjellët në diplomaci duke treguar gadishmëri për tu ulur në tryezë me Kosovën si në Washington, ashtu edhe në Bruksel, ai në vazhdimësi ka theksuar se “Kosova nuk mund të marrë gjithçka, ndërsa Serbia asgjë”. Me këtë devizë ai e ka bërë të qartë se procesin e Vjenës e ku Kosova bëri konçesione të mëdha ndaj serbëve të Kosovës,  nuk e merr parasysh, por kërkon që Serbia të marrë diçka tani, që do të ishte p.sh. veriu i Kosovës, të cilën ia serviri në pjatë tinëzisht ndaj popullit të tij, presidenti Thaçi. Pas kësaj, siç është shprehur në qarqe të larta diplomatike, ai s’ka pse të kërkojë më pak, meqë i është ofruar territor.

Nga ana tjetër, Vuçiç në vazhdimësi ka luajtur mes Moskës e Përendimit, duke balancuar interesat, por së fundi edhe duke blerë armatim të rendë prej Rusisë, dhe duke iu shërbyer drejtpërdrejt interesave ruse në rajon. E interesi rus, është që rajoni i ballkanit të vuajë nga konfliktet e mospajtimet, jo të zgjidhë konfliktet e t’i bashkohet BE-së.

Vështirë që presidenti serb ka këllçe të ndërmarrë ndonjë hap për njohjen e Kosovës, edhe sikur të dojë, pa aprovimin e Putinit. Kjo pra e bën të pamundur ndonjë sukses në dialogun e shumëpërfolur.

Si përfundim, as kriza e pandemisë dhe kokëdhimbjet që ka shkaktuar në të gjithë botën, e në radhë të parë në Washington e Bruksel, që përjetoi krizën e rëndë të arsyeve të ekzistencës së unionit, nuk janë në favor të një vëmendje të shtuar për rajonin, por për ruajtjen e status quosë.

I mbetet Qeverisë së Kosovës të vlerësojë drejt momentin politik, gjeopolitik, dhe diplomatik, përveç përmbajtjes së marrëveshjeve që mund të serviren në ditet e ardhshme,  përpara se të hedhë ndonjë firmë që mund të ketë pasoja afatgjata.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular