BallinaKryesoreReforma në Arsimin e Lartë dhe Zgjedhjet ne Universitetet Publike

Reforma në Arsimin e Lartë dhe Zgjedhjet ne Universitetet Publike

Nga Romeo Gurakuqi

Jemi ne javen e konfirmimit presidencial te rektoreve te rinj te universitete publike ne Shqiperi. Hapi vijues do te jete konfirmimi i dekaneve dhe drejtuesve te departamenteve.
Te gjithe pyesin nese zgjedhjet e dyta universitare sollen ma me fund ndryshimin e shumepritur nga “Reforma”? A sollen keto zgjedhje ekipe te reja drejtuese, apo ende te njejtet njerez, qe per 30 vitesh nderrojne vendet dhe komandojne “filtrin universitar”, qendrojne te palekundur ne pozicionet komanduese?
Zgjedhjet në universitetet publike në Tirane përbëjnë një rast shumë të mirë per te gjithe, por para se gjithash për qeverinë, që të analizojë impaktin, që Reforma e vitit 2015 në IAL ka pasur në sistemin e shkollës së lartë dhe të kërkimit shkencor në tërësi.
Megjithese kane kaluar jave nga përfundimi i zgjedhjeve në universitetet e Tiranës, autoritetet vazhdojnë të heshtin rreth rezultateve, që ato kanë pritur, 5 vite pas “kurorëzimit” të projektit fillestar reformues. Asnje studim nuk eshte ndermarre nga departamenti i arsimit i Ekzekutivit dhe as nga Zyra Kryeministrore mbi impaktin praktik te reformes.
Projekti i ndryshimit filloi asokohe me pretendimin modernizues dhe nxites te konkurences mes universiteteve dhe vendosjes ne standarde europiane te sistemit ne tanesi. Por projekti fillestar u deformua në kulisat e Parlamentit prej Kastës Universitare të ndërthurur me Shumicën qeverisëse të asaj kohe.
Një numer pyetjesh shtroheshin ato dite para reformatoreve dhe po aq premtime modernizuese dhe kualifikuese u deklaruan nga Kryeministri i gjithëdijshëm, para studentëve, prindërve dhe opinionit publik të interesuar për një arsim cilësor në vend:
U premtua ndër të tjera, mbyllja e menjëherëshme e rrugës së mbajtjes për dekada në drejtim të intitucioneve, e të njejtëve drejtues, që ripërsëriteshin në pozicione duke ndërruar vendet, të mbeshtetur nga batalionet e të përkulurve dhe të bindurve të shtërpezuar, të rekrutuar me një synim të vetëm: mbajtjen e paprekur të struktures ekzistuese komanduese.
U premtua një verifikim i nepotizmit në sistemin tonë universitar.
U premtuan nene speciale që nxisnin konkurencën e brendshme departamentale, në aspektin e kërkimit të standartizuar shkencor dhe mësimdhënies në auditor, ndryshime që do të nulifikonin tarafet aktuale të universiteteve shtetërore. Sic te gjithe e dijme, keto tarafe te fortesh te markes akademike, kane amortizuar prej dhjetra vitesh mendimin, studimin dhe kerkimin shkencor, duke krijuar monopole në mobilitetin e profesoratit, duke krijuar rrethe të mbyllura dhe të korruptuara, që fshijne me nje shikim inatcoresh, hapësirat sfiduese të ekselencës së brendshme ekzistuese jo partiake dhe rruget e rekrutimit te ekselenteve te kthyer nga Perendimi.
U premtuan nene të posaçme për të zhbllokuar rrugët e integrimit dhe mundësitë e punësimit të diplomuarve nga kolegjet përëndimore etj.
U premtua konkurenca ndëruniversitare, skemë menaxheriale akademike dhe financiare të universiteteve publike, ngjashem me modelin anglo-sakson.
U premtua se universitetet shtetërore nga ai “moment historik” e mbrapa, do të funksiononin bazuar mbi kriteret e konkurrencës në tregun e lirë të arsimit të lartë dhe do të organizoheshin ne planin e brendshem, mbi bazën e modeleve funksionuese të universiteteve amerikane dhe britanike, që operojnë në një treg të rekrutimit të studentëve.
U premtua rritja e ndjeshme dhe pompim me para buxhetore i sistemit për të mundësuar startin e reformës.
U premtua rritja e dallueshme e pagave të pedagogëve të IAL publike, varësisht rankimit nacional, shkallës së kualifikimit të stafit pedagogjiko-shkencor dhe plotësimit të kushteve të vendosura nga ligji.
U premtua shndërrimi i IAL private nga sh.p.k., në Fondacione, që do të përdornin fondet e akumuluara, dhurimet, çekun e studentëve, fondet e përftuara nga fitimi i projekteve të kërkimit etj., për zgjerimin dhe përmirësimin e aktivitetit universitar, aktivitetit shkencor, përmirësimin e shpërblimit të pedagogëve dhe në funksion të qëllimit për të cilin janë licencuar. IAL private do të duhej të kishin detyrimin për të bërë transparencën e alokimit vjetor të fondeve.
U kërkua që pretendentët për të drejtuar institucionet universitare do të duhej të bëheshin objekt i vlerësimit nga ana e një Bordi Nacional Besimi për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë dhe Autoriteti i Dosjeve.
Të gjitha këto sepse Shqiperia dhe publiku i saj nuk kishte më nevojë për fasada reformimi në arsim, por kishte dhe ka ende, nevojë emergjente për arsim cilësor brenda vendit, në mënyrë që të përballet me të vërtetën dhe konkurencën e së paku vendeve ballkanike rreth nesh. Brezi i ri i Shqiperise i nxjerre jashte masivisht eshte nder te tjera produkt i degradimit te shkolles se larte.
Një muaj pas zgjedhjeve është koha për të bërë bilancet e mësipërme, duke filluar nga pritshmëria numër një: Çfarë rinovimi kanë pësuar universitetet, fakultetet, departamentet në zyrat drejtuese?
A mundësoi ligji i ri vendosjen e drejtimit akademik në duart e profesoratit të afirmuar ndërkombëtarisht?
A kishte zgjedhje të mirëfillta me konkurencë në njësitë bazë, apo diktate nga “kontrollorët” e përjetshëm të feudeve universitare dhe fjetje ne kompromise te paprincipta?
Shteti është rregullator dhe nuk mund të lejojë autonomi fiktive në sistem, që nuk është gjë tjetër veçse sundim i të paktëve te perhershem mbi Universitetin.
Qeveria më së pari ka për detyrë të garantojë konkurencën e lirë, çlirimin nga “kontrollorët pa limite” te hapësirës akademike dhe më pas ta japë, ta garantojë dhe ta kontrollojë respektimin ligjor të autonomisë për profesoratin në tërësi.
Qeveria e Edi Rames, edhe pse ka kaluar 5 vite nga Ligji i ri mbi IAL, nuk ia ka dale te realizoje asnjerin prej objektivave te trumbetuara me force me vitet propaganduese 2014-2015.
Universitetet shqiptare jane cdo vit dhe me shume te papreferueshem nga gjimnazistet me te mire te vendit, qe sot ndodhen ne radhe per vizat studimore prane ambasadave ne Tirane. Asnje statistike zyrtare nuk ekziston ne keto vite per gjimnazistet me te mire qe refuzojne sistemin e brendshem universitar.
Po ashtu, zoteruesit 30 vjecare te paketes kontrolluese te IAL-ve, ndodhen aty ku kane qene perhere, madje tanime te pajisur me karten e pacenueshmerise per shkak te autonomise.
Te shkolluarit ne Perendim ne keto 30 vite, ende nuk e kane mundesine per te qene pjese e ndryshimit, ne qofte se nuk kryejne “faljen” dhe bejne “betimin” para “bejlereve” te Kastes.
Bordi Nacional i Vleresimit te Profesoratit as qe duket ne horizontin e veprimtarise ekzekutive, ndersa shqyrtimi prane Autoritetit te Dosjeve nje proces i ngrire dhe i lene ne harrese per Universitetet dhe Akademine e Shkencave te RSH.
Nje pjese e universiteteve private me pronesi anonime, ose te deklaruar anonimesh, ruajne imunitetin e tyre per te mos dhene shpjegime per bilancet, stafet qe ndryshojne me muaj dhe njerezit e parlamentit, qe paguhen fiktivisht ne borderote e tyre ne kembim te mbrojtjes politike. Dhe nderkohe, ata vijojne te marrin studente nga regjistri i matures shteterore.
Ky eshte nje bilanc paraprak me sy te lire, i impaktit te ligjit mbi universitetet, qe po mpakem dhe mbyllen nen flamurin mbrojtes te autonomise.
Autonomia universitare ka nevojë për përpunime të mëtejshme në ligj dhe vëzhgime të përhershme nga institucionet e pavarura monitoruese të shtetit mbi universitetet.
Nderkohe qe deshtimi spektakular i Reformes duhet te jete nje shtyse per analize dhe korigjim sa me te shpejte, qofte edhe duke nderhyre vertikalisht ne pjeset e kalbura, permes nje ekipi te Elites Universitare me fuqi korigjuese. Nderkohe qe korigjimet me kryesore priten ne ligj, se paku duke shuar pranine e vjekcave ligjore, qe u futen naten e fundit te aprovimit te Reformes.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular