Një 61-vjeçar që u gjet i vdekur në oborrin e banesës së tij ditën e mërkurë në Tiranë, rezulton të jetë vrarë duke u rrahur nga fqinji i tij 37 vjeç.
Ngjarja fillimisht është menduar si vdekje natyrale nga familjarët e Dorian Latollarit, i cili u gjet përmbys dhe i gjakosur te hundët. Duke qenë se ai pinte alkool vazhdimisht, të afërmit kanë dyshuar për ndonjë hemorragji apo ishemi dhe kanë lajmëruar ambulancën.
Por në fakt, nuk ka rezultuar ashtu. Mjekët kanë konstatuar dëmtime trupore që ishin shkaktuar nga ndonjë objekt i fortë. Nisur nga këto rrethana, është lajmëruar Policia.
Në vendin e ngjarjes, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.3 që kanë nisur verifikimet e nevojshme, pyetjen e të afërmve. Hetimet kanë zbuluar se në fakt, bëhej fjalë për një vrasje. Janë shoqëruar disa persona, mes të cilëve edhe ish-ushtaraku Fatmir Demiri, fqinj i viktimës, që më pas rezultoi të ishte autor i ngjarjes. Ai ka pranuar se e ka rrahur Latollarin, pasi i kishte sharë nipin, por sipas tij nuk ka pasur dijeni se ai ka humbur jetën. I dyshuari ka treguar se pasi 61-vjeçari është rrëzuar në tokë, e ka lënë aty dhe ka ikur.
ARRESTIMI
Policia e Tiranës tha dje se është ndaluar një 37- vjeçar për veprën penale të vrasjes, i dënuar më parë për dezertim nga shërbimi ushtarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.3, me marrjen e njoftimit se në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, në oborrin e banesës, shtetasi Dorian Latollari, 61 vjeç, ishte gjetur pa shenja jete, menjëherë kanë organizuar punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.3, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune të mirorganizuar dhe hetimeve intensive, bënë të mundur zbulimin e ngjarjes dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasin Fatmir, 37 vjeç, banues në Tiranë.
37-vjeçari e ka pranuar autorësinë dhe është shprehur se për disa konflikte të mëparshme, (dyshohet për konflikte pronësie) me vetëpërgjegjësi ka goditur me sende të forta, duke i shkaktuar vdekjen shtetasit 61-vjeçar. Megjithatë, burimet thanë se hetimet po vijojnë ende për të mësuar më shumë rreth rrethanave të ngjarjes, apo motiveve që sollën vrasjen e Dorian Latollarit.
PANORAMA