BallinaOP ED“Vaj retorika dhe medet qeverisja”

“Vaj retorika dhe medet qeverisja”

Nga Ardit Gjinali

Ky muaj politik po mbyllet nën rutinën e imponuar nga e keqja qeverisëse dhe që ndërthuret me një situate aspak të favorshme globale; e tilla që  është shenjuar nga fenomene dhe dukuri të pazakonta. Republika nuk mund të qëndrojë e pashenjuar nga ngjarjet apo dukuritë globale, por dukuria lokale e keqqeverisjes thellon efektet negative  të cilat  shtojnë praninë dhe ndikimin e tyre në jetën e çdo qytetari, pavarësisht përkatësisë të secilës formë.  Rrugëtimi  segmentar ndërmjet mungesës së bilancit dhe bilancit të zi  thellon dhe imponon  zhvillimin e një retorike të qëllimtë politike  të pazakontë për të zhurmuar, sfumuar, larguar vëmendjen dhe relativizuar  të keqen në sytë e aktorëve të tretë apo për të mjegulluar vëmendjen e qytetarit që vuan dhe ndjen në shpinën e tij shkelmin e arrogancës qeverisëse që reflektohet në dhunimin e parimit të transparencës dhe mungesës së llogaridhënies ndaj të tillit.

Raportet e njëpasnnjëshme të organizatave të pavarura ndërkombëtare  dëshmojnë regresin e thellë dhe të vazhdueshëm  në çdo tregues qeverisjeje; dëshpërimin e thellë shoqëror; të rinjtë e larguar apo dhe të tjerë që i kanë sytë nga toka, ajri dhe deti për të shpëtuar nga dallgët mbytëse të medet qeverisjes.  Raportet dhe sondazhet ndërkombëtare të publikuara gjatë  Gushtit të këtij viti janë shkundja më  e mirë për  pluhurin që shërben si mbulues  i  ndryshkjes të çdo segmenti efektiv qeverisjeje; –  janë kambanat e alarmit që kumbojnë fuqishëm  për të tashmen e rrezikuar dhe për të ardhmen në  kufijtë e së panjohurës negative; – mbeten paralajmëruesi që qetësia e rreme për shkaqe stinore nuk  shuan  shqetësimin e vertetë për pasojat përvëluese të praktikave keqqeverisëse që do të ndihen më së shumti gjatë dimrit të ftohtë, i tilli që nuk do të jetë vetëm stinor.

Humbja e fabulës  qeverisëse e shoqëruar me kultivimin e mosbesimit të thellë shoqëror  në planin e brendshëm dhe besueshmërinë e cënuar  në planin e jashtëm  janë shkaqet kryesore që KryeKreu thuajse çerek shekullor në pushtet  thërret në apel “retorikën e sapunit”-   një dëshirë e  pashprehur për të gjetur një sapun që të pastronte fytyrën e njollosur të një qeverisjeje që nuk mbulohet nga makiazhi i propagandës false; një sapun i pagjetur sepse  do të  shkrinte  në detin e madh të të pavërtetave të vazhdueshme që kanë shoqëruar rrugëtimin e kësaj qeverisjeje- një rrugëtim që ka nxirë faqen  e Shqipërisë, por as nuk skuq  apo nxin faqjen e mazhorancës, që mund të nxihet apo skuqet vetëm nga rrezet e pushimeve që janë të bollshme në ditë dhe jo vetëm  për të tillët, por të munguara për qytetarin e thjeshtë.

Ofshama njerëzore e artikuluar me një zë të ndrojtur në formën e përshpërimës  nën fjalinë “ Ah kë na hodhi fati politik” nuk mund të jetë dekurajimi dhe dorëzimi i qytetarit të thjeshtë përballë murit të mermertë të medet qeverisjes. Ofshama, psherëtima dhe përshpërima duhet  të shndërrohen në zërin e lartë  dhe  të  vendosur  që inkurajon dhe motivon një bashkim të madh  të ideve, vlerave, synimeve, energjive  pozitive  njerëzore; një  bashkim  i  madh  për  vlerat  më  të  mira  të lirisë dhe mirëqeverisjes.  Bashkimi  i  madh  për  ditë më të mira nuk është një thirrje rutinore, por një thirrje për të shkundur rutinën e së keqes që tenton të imponojë keqqeverisja përmes tentativës së vazhdueshme së të konsideruarit të të tillës  si një normalitet.  Bashkë sepse   ka ende shpresë…..

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular