BallinaKryesoreKryebashkiakët raport sekret te Rama për drejtorët sipas rajoneve, kush rrezikon të...

Kryebashkiakët raport sekret te Rama për drejtorët sipas rajoneve, kush rrezikon të largohet para zgjedhjeve

ARISTIR LUMEZI/ Partia Socialiste do të “pastrojë” krerët e drejtorive në qarqe, puna e të cilëve nuk gjen mbështetje te qytetarët. Kryesocialisti Rama mblodhi dje në selinë rozë 12 drejtuesit politikë të PS-së në qarqe, duke nisur komunikimin e përjavshëm me ta deri në zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Edi Rama ka kërkuar nga krerët e qarqeve që objektivi i PS-së në këto zgjedhje duhet të jenë 74 mandate ose rreth 800 mijë vota, të cilat do t’i japin mandatin e tretë me një siguri në qeverisje, pa pasur nevojë për mandate të tjera në Parlament.

Mësohet se Kryeministri e ka vënë theksin në dhënien përgjigje të shqetësimeve të qytetarëve ndaj shërbimeve që ata marrin nga zyrat e shtetit. Duket se kryesocialisti ka vendosur që pastrimin ta nisë nga qarqet, aty ku funksionojnë drejtoritë e rëndësishme rajonale, siç janë ato të tatimeve, doganave, arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.

Mësohet se Kryeministri ka marrë një raport konfidencial nga kryebashkiakët, të kërkuar prej tij për performancën e drejtorive rajonale që funksionojnë në bashkitë e tyre. “Për të marrë të paktën 74 mandate në zgjedhje, duhet të masim performancën e drejtuesve dhe deputetëve në çdo qark”, mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen e djeshme.

Sipas Kryeministrit, përmirësimi i qeverisjes dhe mesazhi që duhet t’u japë qytetarëve duhet të fillojë nga zyrat e shërbimeve në çdo qark. Kreu socialist u ka kërkuar drejtuesve të tij politikë në qarqe që të përgatisin për mbledhjen e ardhshme një raport mbi problematikat që kanë qarqet dhe çdo bashki, përmes të cilave qytetarët nuk kanë gjetur zgjidhje dhe se cili në gjykimin e tyre ka qenë shkaku që ato nuk kanë gjetur zgjidhje, kur PS-ja drejton pushtetin qendror dhe atë vendor në të gjithë vendin.

Platforma

Masat kufizuese për shkak të Covid-it e kanë detyruar selinë rozë që të adoptojë një mënyrë të re komunikimi me strukturat e saj, por dhe me elektoratin.

Për shkak se grumbullimet e njerëzve në fushatat elektorale tashmë janë të pamundura, socialistët do të ngrenë një platformë dixhitale komunikimi. Ky komunikim synon që të përdoret për strukturat socialiste, por edhe elektoratin e gjerë.

Vlerësimet e performancës së deputetëve, drejtuesve vendorë, të zgjedhurve partiakë do të zhvillohet përmes kësaj platforme. Platforma do të jetë një tjetër filtër, nga ku selia rozë do të kalojë performancën e deputetëve aktualë, pa përjashtuar vlerësimin e strukturave të PS-së në bazë, kryebashkiakët, por dhe drejtuesit politikë në qarqe. Takimi i djeshëm shënoi nisjen e punës organizative deri në dhjetor të këtij viti, nga ku do të nisë më pas zyrtarisht fushata elektorale.

Deri atëherë, selia rozë dhe i gjithë shtabi elektoral në PS do të kenë një tablo më të qartë të personave që nuk i janë përgjigjur si duhet programit qeverisës të saj, se cilët janë ata që do të largohen dhe cilët do duhet t’i zëvendësojnë, por dhe kandidaturave që do të freskojnë listën e kandidatëve të saj për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Dhjetë ditë më parë, kryesocialisti bëri disa ndryshime në drejtimin politik në qarqe, duke marrë vetë drejtimin e qarkut të Durrësit, ndërsa në Tiranë caktoi kryebashkiakun Erion Veliaj. Po ashtu, në Shkodër Rama caktoi Ilir Beqjan, pas largimit të Ditmir Bushatit dhe dorëheqjes së Valdrin Pjetrit. Në Kukës, kryesocialisti caktoi Safet Gjicin, kreun e Bashkisë Kukës, ndërsa riktheu në Lezhë ish-ministren e Arsimit, Lindita Nikolla. PANORAMA

DREJTUESIT E PS NË QARQE

Tiranë Erion Veliaj
Durrës Edi Rama
Elbasan Taulant Balla
Fier Gramoz Ruçi
Vlorë Damian Gjiknuri
Shkodër Ilir Beqja
Dibër Olta Xhaçka
Korçë Niko Peleshi
Gjirokastër Bledi Çuçi
Berat Blendi Klosi
Kukës Safet Gjici
Lezhë Lindita Nikolla

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular