BallinaKryesoreMimmo Imbrogno arbëreshi nga Kalabria, rrëfen projektet si President i Shoqatës dhe...

Mimmo Imbrogno arbëreshi nga Kalabria, rrëfen projektet si President i Shoqatës dhe grupit “Vëllezërit Arbëreshë”

spot_img
spot_img

Civita, është qyteti ku Presidenti i grupit “Vëllezërit Arbëreshë” Mimmo Imbrogno jeton. Eshtë krijuar në vitin 1467 nga familje arbëreshe, mbi një fshat që më parë e kish emrin Castrum-Sanctis -Salvadoris. Me luftën nga saraçenët e Siçilisë e më pas me tërmetin, u shkatërrua dhe nuk kishte me jetë aty.
Mbreti Ferrante di Aragona, ja dha këtë vend princit Gjergj Kastrioti, për ndihmën e luftën që bëri kundër turqve. Sot janë 50 bashki funksionale, e 30 komuna e 3 nënkomuna janë në Kalabri, ku  ka më shumë Arbëreshë, por ka shumë si dhe në Siçili, Abruzo, Molise, Basilicata, Pulia. Arbëreshët (shqiptarët) aty ende nuk i kane humbur traditat, i kultivojnë aty dhe fal dhe personazheve simpatike të cilët gjejnë kohë nga përditshmëria e tyre për të promovuar kulturën shqiptare aty dhe jo vetëm. Njëri prej tyre është Presidenti i grupit “Vëllezërit Arbëreshë” Mimmo Imbrogno, një italian me prejardhje shqiptare, një artist i vërtet, por që i rreh zemra për Shqipërinë, për artin dhe kulturën tonë.

Në një interviste për startnews.al, President i  Shoqates dhe grupit “Vëllezërit Arbëreshë” Mimmo Imbrogno rrëfen krijimin e Shoqatës dhe grupit, na tregon kur ka qenë për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë dhe emocionet e vizitës së tij, rrëfen aktivitetet artistike në trojet shqiptare dhe jo vetëm por dhe në Kalabri dhe Zvicër. Në vijim gjatë intervistës Mimmo Imbrogno flet dhe për projektet në të ardhmen.



Si mundët të krijonit grupin “Vëllezërit Arbëresh”? A ishit të angazhuar me muzikë në Itali para krijimit të këtij grupi? Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri dhe në Kosovë?

Së bashku me gruan dhe vajzën time, para se të krijonim grupin “Vëllezërit Arbëresh”, ne ishim gjithashtu pjesë e një grupi në Frascineto, grup i quajtur “Arbëria”. Me këtë grup bëmë shumë koncerte në Kalabri dhe gjithashtu në rajone të tjera të Italisë, e për herë të parë me këtë grup, ne ishim në Shqipëri, në Vlorë në vitin 2011, për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit, të drejtuar nga z.Sejmen Gjokoli. Ishte një emocion i madh, që shkonim në tokën amë e putha tokën me zemër plot, kur arrita.
Në vitin 2012 ishim të ftuar për një koncert në Kosovë, në Prishtinë në Bulevardin e madh kryesor “Nënë Terezë” ku u prezantuam me shumë sukses e atmosferë emocionuese, e një tjetër koncert në Teatrin e Pejës. Me 17 artistë të grupit, interpretuam repertor me këngë arbëreshe dhe  këngë shqipe.

Plus përvojës me këtë grup “Arbëria”, një grup tjetër u krijua nga unë e Maria Cristina në 2015, grupi “Dashuria” me vajza e djem të rinj arbëreshë që këndojnë arbërisht e shqip.
Në FIRMO (komunë tjetër arbëreshe) grupi ynë me artistë të rinj “Dashuria”, me pjesmarrjen në konkursin e vitit 2016,u vlerësua me  “ÇMIMIN E PARE”
Po në vitin 2015, krijuam dhe filloi aktivitetet kulturore, dhe grupi “Vëllezerit “Arbëresh”, grup që  shënon e vazhdon me prezantime të shumta.


A mund të na thoni nga kush është krijuar grupi dhe aktivitete dhe koncertet ku keni marrë pjesë në Kalabri dhe shtete të tjera dhe bashkëpunimet që keni pasur për të promvuar muzikën dhe traditën arbëreshe?

Eshtë i përbërë nga Maria Cristina Imbrogno -soprano (sekretare e grupit), Emiliana Oriolo -mezosoprano, Daniela Fusha-violiniste,Filomena Gabriele-flaut ,nga koristët :Caterina Zaccaro,  Francesco Durante, Michele Greco, nga Leonardo Pugliese Saksofon, Pasqualino Mitidieri-fizarmoniçist, zv.President i grupit Camillo Maffia -fizarmoniçist, President i grupit Mimmo Imbrogno-solist e kitarë.
Me këtë grup kemi marrë pjesë në ngjarje të ndryshme kulturore jo vetëm në Kalabri, por  jashtë Italisë.
Në Kroaci (Zagreb) ishim të ftuar nga z.Shuip Ziberi për festën e flamurit në 2015 ku filloi dhe puna bashkëpunuese me artistë shqipëtarë dhe shqipëtarë nga Kosova.
Koncerti yni ishte në bashkëpunim me sopranot e mirënjohura Bernardina Mjeda dhe Lajde Mjeda dhe pianistja Mariana Blace. Një  tjetër  koncert u bë  gjithashtu në 2016  me pjesëmarrjen e Bernardina dhe Lajde Mjeda e Andrea Delcic -piano.
Në Sirnach të Zvicrës morëm pjesë në kremtimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, me të nderuarin Antonio Bellusci dhe shumë personalitete të rëndësishëm të komunitetit shqiptar dhe nga diaspora, ishim të ftuar nga Misioni Katolik Sirnach e nga Don Albert Demaj, plus të ftuar për koncert nga shoqata “Arbëresha” në Sirnach.
Pas aktivitetit në Sirnach, Ermira Lefort, artiste-pianiste në Zvicër, u prezantua me  grupin tonë dhe propozoi idenë e një projekti artistik të përbashkët.

Kjo ide  shumë interesante që na propozoi, me titullin “Nga antika arbëreshe – tek lirika shqiptare” u realizua me një projekt muzikor-koncertal të përbashkët, me artistë të grupit “Vëllezërit Arbëreshë” dhe artistë shqiptarë.
Koncerti i parë i këtij projekti, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë z.Alessandro Tocci dhe Mimmo Imbrogno, u prezantua në qytetin  (Kalabri) 2018 me rastin e “VALLJE”, një festë e rëndësishme arbëreshe, për fitoren më të madhe të Skënderbeut, në vitin 1460 e  që festohet me këngë e valle arbëreshe, kostume e atmosferë vëllazërore e mbresëlënëse.
Koncerti i përbashkët arbëreshë e shqiptare, në “Kështjellën e Krujës” në Civita, ishte një event i mirëpritur dhe me shumë emocion,ku artistet shqipëtare u nderuan dhe me “CERTIFIKATE MIRENJOHJE” nga Bashkia e qytetit.
Ky koncert i “Vëllezërve Arbëreshë” bashkë me artistë shqiptarë Ermira Zyrakja-Lefort, pianiste, Moza Nazarko-këngë e Volfi Haxhiaj-violinë , ishte risi prezantimi i sukseshëm, kur u mbajt gjithashtu në ST-Julien-Francë, me ftesë e mbështetjen e Shoqatës “ILIRIA” të Luljete e Shaip Deda.
Shumë vëllezër shqiptarë nga diaspora dhe nga shtete të tjera, ishin të pranishëm e këndonin nga salla bashkë me ne, këngët përmbyllëse tonat, këngë të mirënjohura shqipëtare.
Këngët arbëreshe dhe lirikat shqipëtare,”i bashkonte” trashëgimia e gjaku shqipëtar. Gjithashtu me sukses u prezantua ky projekt-koncert ,me bashkëpunime të tjera organizative,në Friburg e Gjenevë të Zvicrës. Në vijim këtyre bashkëpunimeve, sopranoja e grupit “Vëllezërit Arbëresh” Maria Cristina Imbrogno, mori pjesë në koncertin e 3 vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës në Aarau të Zvicrës në 2019 bashkë me artiste nga Shqipëria e kosova.



A keni mundur të nxirrni këngë në gjuhën shqipe të grupit “Vëllezërit Arbëresh”?

Në 2020 u realizua CD me “Këngë liturgjike shqip”, ku 2 solistë të grupit “Vëllezërit Arbëreshë” Maria dhe Mimmo Imbrogno, kënduan dhe regjistruan 9 këngë te kesaj CD, kënduar vetëm shqip. Ideator për këto 2 projekte cilësore ishte z.Prend Pren Kola.
Për grupin tonë është gjithashtu një sukses që solistja e  grupit,soprano Maria Cristina është fituese e çmimit të parë të “Festivalit Kombëtar të Këngës Arbëreshe “2017, ku interpretoi (krijimin muzikor në gjithë komponentët), të 4 artistëve të tjerë arbëreshë. Një tjetër çmim të parë fitoi edhe në “Konkursin Rajonal për të Rinj” këtë verë të vitit 2020.

A keni projekte që prisni të realizohen?

Tre artistë  të grupit arbëresh, janë në proçes e duke realizuar një këngë , me tekst të një autori shqiptar. Eshtë festa “VALLJE” që do realizohet përsëri vitin e ardhëshëm, me inciativën e bashkisë CIVITA, Proloco di Civita, me ndihmën Mimmo Imbrogno gjithashtu për informacione, ftesa e publicitet, do jetë një organizim me idenë e një pjesmarrje sa më të gjërë nga Shqipëria, Kosova, trevat e diaspora mbarëshqipëtare.
Së fundmi, nga “PEGASI” shqiptar me President z.Kristaq.F.Shabani mu propozua  të drejtoj filialin e krijuar “PEGASI”-Arbëreshë të Italisë. Një strukturë bashkimi i krijuesve arbëreshë, nga gjitha fushat letrare e kulturore e afirmimin me publikime e aktivitete.
Më entuziazëm është ideja e zgjerimit të bashkëpunimit dhe prezantimeve të grupit “Vëllezërit Arbëreshë” me vëllezërit tanë shqiptarë e në Shqipëri dhe Kosovë, ku projekte të tjera janë dërguar tashmë dhe ne jemi duke pritur të realizohen mbas kësaj periudhe të pandemisë.
Ju falenderoj për bisedën, median STARTNEWS e gjithë Arbëreshët e shqiptarët, i përshëndesim me zemër.

   

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular