BallinaUncategorizedRreth librit "Ndjesi shpirti" të poetit Zeqir Hysa, mësuesit dibran nga Golloborda/Nga...

Rreth librit “Ndjesi shpirti” të poetit Zeqir Hysa, mësuesit dibran nga Golloborda/Nga Vullnet Mato

Nga Vullnet Mato – shkrimtar – “Personalitet i Shquar”.

Duke lëçitur me kujdes librin e pestë të poetit të talentuar gollobordas, Zeqir Hysa, të titulluar “NDESI SHPIRTI” kupton qysh në faqet e para, se ky bard i lirik, me prodhimtarinë e begatë të penës së tij të mprehtë, që shpërndan prej vitesh jehona të pandërprera, është zëri gjëmimtar i maleve bubullues të krahinës famëmadhe dibrane. Ndjesitë e këtij poeti me intelekt të spikatur artistik, janë ndjesitë e thella të shpirtit të popullit të tij trim e liridashës në shekuj, siç e ka njohur historia shqiptare, atë zonë të mburojës luftarake krenare, të pushkës, çekiçit dhe sqeparit ndërtimtar.

Banues vitet e fundit në kryeqytet, duket sikur Zeqir Hysa ka zbritur në Tiranë, nga lartësitë e qashtra malore të Shqipërisë Lindore, dhe pikërisht nga mali i dashur Krijoshi për të përkundur shpirtin e popullit të tij, pranë ndjesisë madhore të dëgjesës shqiptare. Ai troket pareshtur në shtypin e shkruar dhe në dridhmat eterike të internetit, me lirikat e ngrohta, por tepër te shqetësuara, për fatet e Gollobordës dhe të gjithë Shqipërisë.

“Dëgjoni, o popull shqiptar, -thotë ai me tingujt vibrues të penës së tij poetike,- erdhi koha! plot një shekull ndarë, /tani pritet vetëm mundësia,/ja erdhi dhe fermani, për bashkim nga perëndia,/ të ribashkohen trojet, të ribashkohet Shqipëria.

Dhe në poezinë tjetër për dy Dibrat, sjell kujtesën: /Dibra e mbuluar, me gjuhë e me flamur,/ që nga Ilirët, ngritur si kala e fort me gurë,/zbukuruar në gjoks, me shqipe në kraharor,/pjesë e trupit shqiptar të bashkuar si tabor.

Vendlindja e paharruar dhe mali i “shenjtë” Krijoshi mbeten për autorin një burim i përhershëm frymëzimi me kujtimet nostalgjike të jetës së dëlirë në natyrën bujare me njerëz të mirë.

Nga ky mal e nga këto vende, morëm emër,/që në jetë të jetëve, si epos historia flet gjatë,/emra fushash, kodrash malesh, me mbiemra,/formojnë fjalën e artë “Gollobordë” që mbart.

Në një varg lirikash për dashurinë autori Zeqir Hysa ngre problemin e besnikërisë dhe të fisnikërisë në dashurinë e pastër, për të mbajtur premtimin e dhënë, përballë ndërhyrjeve të mashtruesve në ndjenjat e çiftit të dashuruar.

Në shpirtin tim u formësove si lule,/e unë shpirtin ta dhashë ty, pa ndjesi frike,/po ti ma çove zemrën në polin e ngrirë,/ndër lulesh e bukur,të lutem qëndro besnike!

Një numër të konsiderueshëm e bëjnë poezitë me temën e gjendjes aktuale ekonomike, shoqërore e politike të vendit, ku autori e dëshmon veten si poet i që përjeton shpirtërisht hallet dhe shqetësimet e popullit të tij.

Gollobordë, vend i trimave, i traditave si epos,/ku veshjet, ngjyrëylberëshe, vallet fisnikërojnë,/ku mërgimtarët , kohërave, nga dhimbja e kohës,/të larguar me vite në kurbet e në ëndrra lëngojnë.

Ndërmjet lirikave te shumta bie ne sy elegjia për ikjen e parakohshme nga jeta te një shprese të pashuar.

Jam i sigurt se sytë e tu ia ke dhënë fluturës,/trupin ia fale tokës, që kurë nuk do ta tresë, /se ti dije të japësh dashuri, të japësh shpresë, /sytë e tu fluturues do më mbeten në kujtesë.

Në përfundim të këtij vlerësimi të shkurtër, duhet theksuar, se poeti i shquar Zeqir Hysa, në këtë vëllim poetik të ri, dinjitoz, ka bërë hapa të ndjeshëm, për të ngritur nivelin e tij artistik në lartësi të dukshme.

Mbetet, lexuesit dashamirës, që do ta marrin në dorë këtë libër poetik bashkëkohor, të shprehin ndjesitë dhe vlerësimit e merituara për këtë poet të dalë nga vlaga e tokës dibrane.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular