BallinaOP ED “Rrugëhumburit e së vetmes rrugë”

 “Rrugëhumburit e së vetmes rrugë”

Nga Ardit Gjinali

Slogani  elektoral famëkeq  “ E vetmja rrugë” i përdorur nga opozita e kohës gjatë  fushatës së vendoreve 2011 ishte parathënia për mendësinë absolute të enturazhit politik që do të fitonte të drejtën për të qeverisur pas dy vitesh nën sloganin mashtrues “Rilindje”; evokim i një periudhe historike ku elita e vërtetë kombëtare  kontribuoi thelbësisht duke sakrifikuar gjithçka përfshirë dhe të mirat personale  në funksion të misionit kombëtar;- një pasqyrë e kundërt e akteve së  pseudo-elitës së Rilindjes së gënjeshtërt që e ka shndërruar sfidën e qeverisjes nga mision dhe angazhim në një garë për të përmbushur orekset e grykësisë të segmenteve të veçanta  politike dhe ekonomike, gjithashtu.

Rrugëtimi i  mbrapshtë qeverisës për qytetarin dhe Shqipërinë është në përpjestim të zhdrejtë me mbarësinë që ka kapluar element të shtet-pushtetit  duke u imponuar përdhunshëm si “të vetmit” që mund të qeverisin pavarësisht humbjes së rrugës.  Rruga e humbur nuk mund të gjehet përmes kilometrave të përshkuar nga KryeKreu  nën rehatinë e logjistikës së bollshme qeveritare; kilometrat për  propagandën dhe imponimit të konsideruarit si të prekshëm  realitetin në 3-D  janë të ndryshëm nga rradha e vërtetë kilometrike e Kakavijë/Kapshticës; rradhët kilometrike dhe metrike në secilën pikë kufitare të Republikës  ku  bashkëqytetarët  me  fytyra të zbehta dhe të  trishtuara, me ankthin dhe pasigurinë e së ardhmes  presin  vulosjen e vrazhdë  së mjetit të identifikimit që shënon largimin e padëshiruar nga vendi i tyre; largim në kërkim të një jete më të mirë, në kërkim të gjetjes së rrugës që nuk e kanë humbur ata, por keqqeverisja.

E sotmja është pasqyra e “të vetmëve”  që kanë humbur “të vetmen rrugë” – Shqipëria e së sotmes nuk ngjason me të njëjtën e së djeshmes së afërt; është shumë më pak demokratike,  tregues ekomomikë të përkeqësuar, nivel demokracie të renditur nën mesataren, profesionistë të secilit zë ekspertize të larguar, besim i munguar  i segmenteve të shoqërisë ndaj segmenteve të politikës, angazhim  dhe pjesëmarrje e shkurajuar në proçeset demokratike;-  shumëçka  e premtuar ka mbetur në sirtarët e dyllosur të harresës, të tillët  të hedhur diku rrugëve  për të çliruar ndopak shpinën e kërrusur të një pushteti të përhumbur në mëkatet e tij.

Historia njerëzore ka dëshmuar urtësisht që mëkati nuk  fshihet dhe fshehja e  të parit të shtyn djallëzisht drejt kryerjes së një spiraleje të tillësh  që të vrasin “gjumin politik” dhe atë njerëzor, gjithashtu. “Retorika e gjumit”  e përdorur nga ekipi i mëkatarëve për të shigjetuar dhe stigmatizuar opozitën politike dhe liderin e saj është treguesi i qartë i  dëshirës së pashprehur  për të gjetur sërish gjumin e vrarë prej misionit të tradhëtuar dhe rrugës së humbur qëllimshëm, por  të  pagjetur prej qetësisë së prishur  që të shkakton  vrasja e gjumit ; “retorika e gjumit” është rikthyer  duke u rrekur që  ti japë   zë  një ekipi pa zë, pa ide, pa përmbajtje dhe formë të cënuar.

Virusi kombëtar i keqqeverisjes ka dëmtuar dhe kanosur trupin e Shqipërisë, por  pavarësisht  tentativave të vazhdueshme nuk mund të tjetërsojë shpirtin e së njëjtës;- shpirtin e qëndresës, rezistencës, besimit, shpresës dhe  vullnetit për ndryshim .

Vullneti për ndryshim qëndron në shpirtin e çdo shoqërie të shëndetëshme demokratikisht dhe i tilli  tejkalon  plagët të shkaktuara nga mekanizmi djallëzor  i qeverisë; garanton një shërim kombëtar dhe shoqëror duke krijuar kundëtrupat e nevojshëm kundër autokracisë dhe prirjeve të autoritarizmit. Bashkimi i madh i faktorëve politikë dhe shoqërorë  do të materializonte vullnetin për ndryshim dhe do të ishte fillimi i vërtetë i ndërtimit së  udhës së shpresës, besimit dhe ndryshimit të qënësishëm; i rrugës së gjetur dhe shpresës së fituar , i angazhimit dhe përfshirjes aktive në një Shqipëri të ditëve më të mira. Bashkë sepse ka ende shpresë….

 

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular