Partia Demokratike ka paditur në gjykatë për shpifje kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, për shpifjet e përsëritura kundër kryedemokratit, Lulzim Basha. Në padi argumentohet se Veliaj, si drejtues i fushatës së Partisë Socialiste për Tiranën, ka bërë 3 akuza konkrete, duke shpifur për kundërshtarin politik, me qëllim dëmtimin e imazhit të kryetarit Basha.
Padia konsideron si shpifje të Erion Veliajt 3 akuzat:
- Kryetari i PD-së u bë me 4 shtëpi gjatë tërmetit dhe pandemisë
- Kryetari i PD-së ka përfituar gjatë periudhës së fatkeqësisë
- Kryetari i PD-së ka ndërtuar kate pa leje
“Këto të pavërteta janë bërë me qëllim dëmtimin e reputacionit dhe dëmtimin e imazhit në mënyrë të qëllimshme. Këto deklarime shpifëse i përdor për të përfituar kredo politike përballë qytetarëve, si për vete dhe për PS-në”- shkruhet në padinë e ngritur për shpifje ndaj Erion Veliajt.