BallinaKryesoreKostot e pandemisë në arsim

Kostot e pandemisë në arsim

Në fillimin e shkollës, familjet shqiptare u përballën këtë vit me kosto shtesë, për shkak të shpenzimeve ekstra si maska, dezinfektues, formularë dhe tarifa më të larta transporti, nga fondet e veta. Por kostot më të larta do të vijnë nga cenimi i cilësisë së dijeve nga mësimi me orar të reduktuar dhe njohuritë e humbura gjatë karantinës. Sipas studimeve, COVID-19 do t’i kthejë arritjet arsimore në Shqipëri një dekadë më pas

Si në çdo fushë tjetër, pandemia e COVID-19 ka dhënë ndikim negativ edhe në sektorin e arsimit. Këtë vit, familjet me fëmijë në shkollë po përballen me kosto shtesë të transportit dhe logjistikës së re (maska, dezinfektues, deklarata, etj.) prej rregullave që kërkon situata e pandemisë, ndërsa çmimet për pajisjet shkollore janë rritur.

Kostoja më e madhe që rrezikon të mos shlyhet për dekada me radhë do të vijë nga cenimi i dijeve. Mësimi online gjatë karantinës dhe orari i kufizuar në shkollë në nisjen e vitit të ri ka krijuar hendek në cilësinë e njohurive, duke rrezikuar që mungesat të mos kompensohen në periudha shumë të gjata.

Eksperti i çështjeve arsimore, Ndriçim Mehmeti, shprehet se, mësimi me turne për një orar 25-30 minuta për orë mësimi, do të thotë se nxënësi nuk merr sasinë e duhur të dijeve, nuk ka ndërveprim mes tij dhe mësuesit, ndërsa ky i fundit lodhet e rraskapitet për asgjë.

Në shkolla mbizotëron një atmosferë e rënduar psikologjike. Mësuesit, në presionin e ngarkesës mësimore dhe frikës nga infeksioni, e kanë nisur të stresuar këtë vit. Në të njëjtën situatë janë edhe fëmijët që shkojnë në shkollë dhe familjet e tyre për shkak të orareve të paqarta dhe vështirësive për të kuptuar lëndët në pak minuta.

Shumë familje duhet të paguajnë shtesë shërbimet e kujdestarisë për fëmijët si pasojë e mësimit me turne. Shpenzimet për të blerë pajisje kompjuterike për të mbështetur mësimin në distancë janë rritur.

Protokollet e shëndetit parashikojnë mbyllje të klasave dhe shkollave në raste të përhapjes së COVID-19 në mjediset shkollore, duke nënkuptuar rikthimin e mësimit online. Kjo pasiguri ka rritur shpenzimet e familjeve të nxënësve, për pajisje shtesë që kërkon mësimi në distancë si kompjuterë, tablet, tavolina dhe mjete të tjera që lehtësojnë këtë proces. Anketat globale kanë zbuluar se pandemia ka vënë në vështirësi financiare dy në pesë familje për të përballuar blerjen e infrastrukturës shkollore.

Ndërsa Banka Botërore ka përllogaritur se fitimet e munguara nga puna (për një person në shkollë) në të ardhmen janë vlerësuar 2,833 dollarë amerikanë në vendet me të ardhura të ulëta, 6,777 dollarë amerikanë në vendet me të ardhura të mesme ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe 21,158 dollarë amerikanë në vendet me të ardhura të larta.

Kthimi në shkollë, “tarifat” e reja

Çmimet e shërbimeve të transportit të fëmijëve në shkollë u rritën së paku me 20% në këtë vit të ri shkollor, për shkak të rritjes së volumit të punës, sipas të dhënave nga tregu. Mësimi me turne e ka dyfishuar punën për linjat e transportit të fëmijëve, duke i vënë ata përballë kostove shtesë që duhet të përballohen duke rritur çmimet. Përveç kostove të transportit, logjistika e re duhet të përballohet edhe nga familjet.

Çdo ditë, fëmijët duhet të paraqiten në shkollë me maskë, dezinfektues dhe me një formular të posaçëm. Maska, e cila mund të jetë tekstil dhe shumëpërdorimshe, kushton 200 lekë në javë, po aq edhe dezinfektuesi, 200 lekë në javë, pasi përdoret për të sterilizuar edhe tavolinën dhe karrigen. Fëmijët janë të ngarkuar të plotësojnë çdo ditë një formular që deklarojnë gjendjen e tyre shëndetësore, i cili kushton 40-50 lekë në ditë ose 200 lekë në javë.

Në javë, kostot shtesë për një fëmijë në shkollë, vetëm për shkak të pandemisë, arrijnë deri në 1000 lekë, pa përfshirë transportin. Në vendet e tjera të Europës dhe rajonit, shpenzimet e krijuara nga pandemia, i ka mbuluar shteti. Eksperti Mehmeti tha se, Kosova, Italia, Greqia i kanë furnizuar mësuesit dhe nxënësit me maska dhe dezinfektues falas. Qeveria e Republikës së Kosovës për mbarëvajtjen e mësimit, në përputhje me zbatimin e protokollit anti-COVID-19, ka miratuar për arsimin 12.5 milionë euro, për këtë vit shkollor, përveç fondeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si donacionet e organizatave të huaja për arsimin.

Pandemia ndryshon shportën e shpenzimeve për arsimin

Pandemia e ka ndryshuar shportën e shpenzimeve në arsim, sipas vëzhgimeve vendase dhe ndërkombëtare. Në këtë fillim viti shkollor dhe gjatë pandemisë kur u mbyllën shkollat, prindërit kanë shpenzuar më shumë për pajisje informatike, transport dhe logjistikë se sa në veshje dhe pajisje shkollore.

Sipas të dhënave të INSTAT për tregtinë me pakicë, u pa se gjatë muajve të karantinës, sidomos në prill, që përkon me izolimin e plotë, shitjet e kompjuterëve shënuan rritje. Të dhënat e INSTAT tregojnë se volumet e shitjeve kanë pësuar ulje me ritme dyshifrore, përveç pajisjeve kompjuterike.

Sipas të dhënave zyrtare, në muajin prill, shitjet e pajisjeve kompjuterike u rritën me 17.4% me bazë vjetore, ndërkohë që pësuan rënie të fortë grupet e tjera. Sektori më i goditur në prill ka qenë tregtia e veshjeve, e cila pësoi rënie me 87% në raport me një vit më parë, ndërsa thuajse gjithë dyqanet ishin të mbyllura.

Tendenca në rritje e shitjeve të kompjuterëve u vu re edhe në këtë fillim vit, sipas një vëzhgimi në pikat e shitjes. Shumë prindër po blejnë pajisje teknologjike me qëllim që fëmijët të ndjekin programe mësimore në distancë, për të kompensuar deficitet nga orët e reduktuara në shkollë dhe në rast të rikthimit të mësimit online.

Kostot në dije, një dekadë hapa pas

Sistemi arsimor në Shqipëri, edhe para pandemisë, ishte i brishtë, me lidhje të dobët në tregun e punës dhe me hendek në cilësinë e njohurive në raport me mesataren e Europës, sipas sistemit të vlerësimit global të njohurive PISA. Banka Botërore, në një analizë të posaçme për ndikimin e pandemisë së koronavirusit në arsim, thotë se aftësitë e nxënësve shqiptarë rrezikojnë të kthehen në nivelet e vitit 2012.

Mungesa e përvojës nga ana e trupës mësimore për të dhënë mësim në distancë, aksesi i kufizuar në internet, shpejtësia e ulët e internetit dhe mungesa e infrastrukturës dixhitale janë disa nga mangësitë që kanë ulur cilësinë e mësimdhënies në distancë. Nisja e shkollës me orar të reduktuar cenon rikuperimin e dijeve të humbura dhe përthithjes së programit të ri.

Një vlerësim i rezultateve të PISA të 2018-s tregon se, mesatarisht, 50% e nxënësve në Shqipëri nuk marrin aftësitë bazë të nevojshme për të funksionuar në mënyrë efektive në një treg modern pune, në krahasim me 23% në vendet e OECD-së.

Mbyllja e shkollave për katër muaj dhe mësimi me orar të kufizuar rrezikon të ulë me 16 pikë rezultatet e nxënësve nëse do të ushtrohej një test i PISA. Ndërsa mbyllja e shoqëruar me mësim në distancë do të ulte rezultatet në një testim PISA me 9%, lajmëroi Banka Botërore.

Hendeku i aftësive mësimore do të rritet pasi nxënësit nga familjet e varfra kanë më pak mundësi të përfitojnë nga mësimi në distancë. Për të njëjtat vite shkollë, familjet e varfra do të kenë njohuri mësimore dy vite më pak se familjet e pasura. Kjo diferencë do të jetë disi më e ulët në vendet e tjera të rajonit, për shkak se ato kanë akses më të madh në internetin me shpejtësi të lartë.

Por Shqipëria po përballet me sfida për shkak të mangësive në infrastrukturë. Shkollat u hapën në masa të rrepta të distancës fizike në klasa dhe në oborre. Në Shqipëri, kjo praktikë është e vështirë, veçanërisht në Tiranë për shkak të mungesës së mjediseve shkollore, të cilat janë të mbingarkuara edhe për kushtet normale. Mbyllja e shkollave pati dy humbje të mëdha. Së pari shumë nxënës nuk mësuan asgjë të re dhe së dyti, ata harruan edhe atë që kishin mësuar.

Humbjet ekonomike, 6777 USD për nxënës

Humbjet gjatë gjithë jetës nga dijet e munguara, për shkak të pandemisë, llogariten 6777 dollarë për fëmijët dhe studentët në sistemin arsimor shqiptar, sipas Bankës Botërore, në një kërkim të posaçëm në rang global në lidhje me kostot që ka sjellë mbyllja e shkollave gjatë pandemisë.

Banka analizoi kostot e mbylljes së shkollës gjatë COVID-19 për të ardhurat gjatë gjithë jetës për vendet me të ardhura të ulëta, të mesme dhe të larta, për arsimin e mesëm dhe të lartë, si dhe në botë në tërësi.

Fitimet e munguara nga puna (për një person në shkollë) në të ardhmen janë vlerësuar 2,833 dollarë në vendet me të ardhura të ulëta, 6,777 dollarë amerikanë në vendet me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria, dhe 21,158 dollarë amerikanë në vendet me të ardhura të larta. Në nivel global, humbja është 20 404 dollarë amerikanë për një person në shkollë aktualisht.

Humbjet mund të duken një çmim i menaxhueshëm në luftën kundër COVID-19 në nivel individual. Po të ngarkohet në një vit, e gjithë kostoja e humbjeve në PBB varion nga 43 deri në 61% në vendet me të ardhura të ulëta, 15 – 22% në vendet me të ardhura të mesme dhe 6 – 9% në vendet me të ardhura të larta. Në rang global, humbjet e ardhshme përfaqësojnë 12 – 18% të PBB-së aktuale vjetore.

Tek të diplomuarit në universitete, humbjet vjetore në rang global llogariten 725 dollarë në vit, ose 18 mijë dollarë gjithë jetës. Të diplomuarit me shkollë të mesme do të humbasin 363 dollarë në vit dhe gati 9,000 dollarë gjatë gjithë jetës, ndërsa të arsimuarit në nivelin e ulët do të kenë humbje vjetore 272 dollarë dhe 6,700 dollarë gjatë gjithë jetës.

Shtresat më të goditura

Programi i Kombeve të Bashkuara analizon se goditjet pandemike COVID-19 në sistemin arsimor do të kenë ndikim negativ afatshkurtër dhe afatgjatë.

Ashtu si në shumë vende të tjera, sistemi arsimor i Shqipërisë nuk u ndërtua për të trajtuar mbylljet e zgjatura, si ato të imponuara nga pandemia COVID-19. Vlerësimet e OKB sugjerojnë se përqindja e nxënësve të dobët ka të ngjarë të rritet me rreth 8% për shkak të mbylljes së shkollës nga mesi i marsit deri në qershor.

Kjo do të thotë që pandemia do të thellojë sfidat e barazisë për studentët më të rrezikuar. Një vlerësim i fundit mbi ndikimin e COVID-19 në mirëqenien e fëmijëve nga World Vision në Shqipëri ka zbuluar se 1 në 10 fëmijë nuk mund të ketë qasje në aktivitete arsimore në internet, ndërsa kjo është e vërtetë për 1 në 2 fëmijë me aftësi të kufizuara. Për më tepër, një studim kombëtar mbi përvojën e fëmijëve në internet, i kryer nga UNICEF Albania, gjatë 2018-2019, ka zbuluar se aftësitë dixhitale të prindërve janë shumë më të ulëta se ato të fëmijëve.

Humbjet më të mëdha në njohuri për shkak të pandemisë do t’i kenë individë me sëmundje kronike, personat me aftësi të kufizuara, viktima të dhunës në familje, të komunitetit rom dhe egjiptian, të prekurit nga tërmeti dhe njerëzit që jetojnë në zona të thella rurale. Këto grupe përfaqësojnë njerëz të margjinalizuar, që priren të jenë të papunë ose varen shumë nga ekonomia informate, me mundësi të kufizuara për t’u përshtatur me teknologjinë.

Pandemia COVID-19 ka rritur rrezikun për të shfrytëzuar fëmijët për punë, pasi shumë familje shohin që të ardhurat dhe burimet e tyre të jetesës u zvogëlohen.

Shqipëria veproi ndryshe, shkurtoi fondet në arsim

Në muajin korrik të këtij viti, qeveria e rishikoi buxhetin e shtetit, duke shkurtuar ndër të tjera me 1% fondet për arsimin. Kjo përqindje është 3,3 milionë euro, shumë e cila do të ishte e mjaftueshme për të përballuar blerjen e dezinfektuesve ose maskave.

Përkundër këshillave të institucioneve ndërkombëtare, si OKB dhe Banka Botërorë, për rritje të fondeve në arsim për të përballuar kostot shtesë që ka krijuar pandemia, qeveria shqiptare ka vepruar në të kundërtën. Kostot shtesë janë faturuar te prindërit dhe mësuesit. Trupa arsimore, edhe pse punon me ngarkesë të dyfishtë, ende nuk është e qartë për pagesën, pasi Ministria e Arsimit në ditët e para të hapjes së shkollës nuk ka lëshuar asnjë udhëzim për këtë qëllim.

Ndrydhe kanë vepruar vende të tjera në Europë, madje edhe Kosova ka miratuar 12 milionë euro shtesë për të përballuar nevojat shtesë, për shkak të pandemisë. Përvoja nga recesione të mëparshme tregon se, me goditjen e buxheteve qeveritare, goditen edhe shpenzimet për nxënës për frymë.

Në shkallë të ndryshme, sistemet arsimore në Ballkanin Perëndimor duhet të shpenzojnë në mënyrë më efikase, por disa, si Shqipëria dhe Kosova, duhet të investojnë më shumë edhe në sistemet e tyre, këshillon Banka Botërore. Mundësimi i një buxheti arsimor të përshtatshëm për të siguruar kushte minimale për të menaxhuar kostot shtesë pas COVID-19 do të jetë kritik për të siguruar që nxënësit të kapin nivelin e duhur dhe që të parandalohen pabarazi të mëtejshme.

Në të njëjtën kohë, shtetet mund të rivlerësojnë financimin aktual të shkollave, përfshirë formulat financuese në përmirësimin e efikasitetit, dhe financimin suplementar për kompensimin e numrave të konsiderueshëm të nxënësve të cenueshëm. Është e rëndësishme të ngushtohet hendeku ndërmjet pabarazive urbane dhe rurale që mbizotërojnë në të gjithë rajonin. Por Shqipëria duket se ka vepruar në të kundërt të këtyre udhëzimeve përderisa ka shkurtuar fondet për arsimin dhe ka rritur financimet për rrugët gjatë rishikimit të fundit të buxhetit.

2007-2018, shpenzimet e familjeve për arsimin u dyfishuan

Pesha e shpenzimeve për arsimin në buxhetin e familjeve shqiptare nga 2007 në 2018 gati është dyfishuar, edhe pse numri i fëmijëve që ndjekin shkollën po ulet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2007, shpenzimet për arsimin zinin 1.7% të buxhetit të familjes, ndërsa në vitin 2020 zunë 3%.

Me këtë nivel shpenzimesh, familjet shqiptare harxhojnë për arsimin e fëmijëve edhe më shumë se vendet e pasura të BE-së në krahasim me buxhetin që kanë. Të dhënat tregojnë se shpenzimet më të larta për arsim i kanë familjet në Qarkun e Kukësit, Tiranës, Fierit, Vlorës etj., ndërsa shpenzimet më të ulëta i kanë familjet nga Dibra, Elbasani dhe Shkodra.

Një familje në Kukës ka shpenzuar mesatarisht 6.1% të buxhetit të saj për të arsimuar fëmijët. Shpenzimet më të larta për arsimin në këtë qytet lidhen me numrin më të madh që kanë familjet dhe shpenzimet e larta për transport për shkak të distancave të largëta me shkollat. Familjet në Tiranë i dedikuan arsimit, 4,3% të buxhetit të familjes, 1,3 pikë përqindje, ose më shumë se mesatarja kombëtare. Një pjesë e madhe e këtij buxheti shkon edhe për ndjekjen e kurseve dhe programeve plotësuese.

Gjatë vitit 2018, familjet shqiptare çuan në konsum 704 miliardë lekë nga të cilat 21 miliardë lekë, ose 170 milionë euro, shkuan për të mbuluar shpenzimet arsimore. Kjo shumë është sa 50% e fondeve të buxhetit të shtetit që iu dedikuan arsimit në vitin 2018, që ishin rreth 40 miliardë lekë.

Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit. Ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD-së jepnin në atë kohë. Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara kanë dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet në vendet e rajonit. Nga të dhënat e detajuara nga Ministria e Arsimit mësohet se 1% e PBB, nga 3.1%, financohet nga pagesat e familjarëve nëpërmjet tarifave direkte.

Mësimi në distancë, funksionon akademia.al

Në Shqipëri funksionon tashmë një platformë online mësimore falas. Në www.Akademi.al, shpjegohen programet mësimore në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm. Ky portal është ngritur nën kujdesin e UNICF dhe ofron 5000 video me shpjegime në të gjitha lëndët, të cilat mund të aksesohen falas.

Burimet nga Ministria e Arsimit pohojnë se, kjo platformë mund të aksesohet aktualisht nga nxënësit, të cilët nuk arrijnë të përthithin të gjithë programin gjatë orëve të reduktuara mësimore.

Videot e përgatitura nga një staf i përzgjedhur mësuesish nga i gjithë vendi, janë të aksesueshme nga të gjithë nxënësit me krijimin e një llogarie në platformë, pa asnjë kosto./MONITOR

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular