BallinaAktualitetAmbasada amerikane porosit aplikantët për Lotarinë: Përfshini të gjithë familjarët, edhe nëse...

Ambasada amerikane porosit aplikantët për Lotarinë: Përfshini të gjithë familjarët, edhe nëse s’udhëtojnë me…

Vetëm pak ditë pasi është hapur lotaria për në tokën e premtuar, Ambasada Amerikane në Tiranë ka sqaruar një tjetër rregull për të gjithë qytetarët që bëhen pjesë e saj.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të “Facebook”, përfaqësia e SHBA-ve në vendin tonë nënvizon se aplikantët duhet të përfshijnë të gjithë personat që figurojnë në certifikatën familjare, pra, bashkëshorti/ja si dhe fëmijët nën moshën 21-vjeçare.

Rregulli vlen dhe në rast se këta të fundit nuk do të udhëtojnë me ta, pasi aplikanti të shpallet fitues.

“Nëse po aplikoni për lotarinë amerikane 2022, ju duhet të përfshini bashkëshortin/en dhe të gjithë fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç, edhe nëse ata nuk do të udhëtojnë me ju”. Që prej së mërkurës së javës që shkoi, të gjithë ata që duan të jetojnë e punojnë në Amerikë, kanë nisur aplikimet për lotari, të cilat do të qëndrojnë të hapura deri më 10 nëntor.

DETAJET E APLIKIMIT

Aplikimet duhet të dorëzohen në rrugë elektronike në uebfaqen e Vizave të Shumëllojshmërisë Elektronike (E-DV) deri në afatin e lartpërmendur.

“Asnjë aplikim i vonë apo në letër nuk do të pranohet. Ligji lejon vetëm një aplikim për secilin person gjatë periudhës së regjistrimit. Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për të zbuluar aplikimet e shumëfishta. Nëse paraqisni më shumë se një kërkesë, do të skualifikoheni. Kjo faqe në internet nuk bëhet aktive për dërgimin e një regjistrimi deri në datën dhe kohën e specifikuar në faqen e internetit të Udhëzimeve DV.

Udhëzimet e hollësishme për plotësimin e formularit të hyrjes në internet përfshihen në Udhëzimet për DV”, thekson Departamenti Amerikan i Shtetit në udhëzimin e detajuar për lotarinë, i cili, veç të tjerash, shton që aplikanti kryesor duhet të ketë një arsim të shkollës së mesme, ekuivalentin e tij ose dy vjet përvojë pune të kualifikuar siç përcaktohet në dispozitat e ligjit të SHBA.

“Nëse nuk keni as arsimin e kërkuar, ose përvojën e kualifikuar të punës, nuk keni të drejtë për një vizë diversiteti. (Vetëm ju, si aplikanti kryesor, duhet ta plotësoni këtë kërkesë. Bashkëshorti dhe fëmijët tuaj nuk duhet ta plotësojnë këtë kërkesë.) Ju duhet të konsideroni të mos ndiqni një aplikim për DV nëse nuk plotësoni arsimin kualifikues ose kërkesat e përvojës së punës të shpjeguara më poshtë si dhe ju nuk mund të keni të drejtë për një vizë diversiteti dhe çdo tarifë që paguani për aplikimin për vizë nuk do të rimbursohet”, theksohet në njoftim.

Çdo vit, Departamenti i Shtetit kryen një përzgjedhje të rastësishme të aplikantëve, bazuar në caktimin e vizave në dispozicion në secilin rajon dhe vend, nga të gjitha hyrjet e regjistruara.

Aplikantët do të duhet të presin deri në pranverë për ta marrë vesh nëse janë shpallur ose jo fitues.

Sidoqoftë, përzgjedhja nuk garanton marrjen e vizës. Të gjithë do t’u nënshtrohen kushteve të tjera që paraqiten në udhëzim, ose kërkesave të përshtatshmërisë siç i cilëson ambasada.

KOSTOJA

Si çdo vit tjetër, aplikimi është pa kurrfarë kostoje financiare dhe sugjerohet të kryhet nga vetë personi, pa ndërmjetës.

“Ju inkurajojmë fuqimisht që të plotësoni vetë formularin e hyrjes, pa një “Konsulent për Visa”, “Agjent për Visa” ose ndihmës tjetër që ofron ndihmë. Nëse dikush tjetër ju ndihmon, duhet të jeni i pranishëm kur përgatitet hyrja juaj, në mënyrë që të mund të jepni përgjigjet e sakta për pyetjet dhe të ruani faqen e konfirmimit dhe numrin tuaj unik të konfirmimit”, nënvizon Departamenti Amerikan i Shtetit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular