BallinaOP EDKapitullimi i kryeministrit përballë “mafias” së inceneratorëve

Kapitullimi i kryeministrit përballë “mafias” së inceneratorëve

Nga Red Varaku

Kryeministri u përpoq ta degradonte debatin e mbrëmshëm në një debat ku të mbizotëronin argumentet teknike, ku të flitej përgjithësisht për nevojën që ka sot Shqipëria për inceneratorë.
Kjo me qëllim shmangjen nga debati i vërtetë që përfaqëson kjo aferë për opinionin publik, fshehjen dhe mbulimin e një korrupsioni të trefishtë ekonomik, politik dhe mafioz që do të na kushtojë 550 milion euro nga buxheti i shtetit (75 milion euro ndërtimi dhe 480 milion euro pagesa për PPP-të në 10 vitet e ardhshme).
E para, për të mbuluar të vërtetën që ky konçesion nuk është tjetër vetëm se një mekanizëm ku praktikisht shteti shqiptar i “dhuron” me prokurim të drejtëpërdrejtë miliona euro fonde publike një kompanie të paracaktuar, pa garë, pa eksperiencë, brenda një dite, pa marrë asnjë shërbim në kēmbim. Në një vend vetëm pak normal i gjithë zinxhiri përgjegjës për këtë “hajdutllëk” do të ishte sot ne qeli.
E dyta, për të fshehur faktin që nëpërmjet këtij koncesioni mazhoranca po shpërblen hapur bandën e Lushnjës për shërbimet e saj elektorale. Ndaj, ai iu shmang me dinakëri përgjigjes për akuzën e drejtëpërdrejtë që lideri i opozitës z. Basha i drejtoi në lidhje me emrat e përfituesve të këtij konçesioni.
E treta, për të fshehur vullnetin politik kriminal të kësaj mazhorance, e cila po shpenzon paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë në një ofertë të pa kërkuar, kur vendi ndodhet praktikisht në buzë te greminës dhe sistemi shëndetësor në prag të kolapsit për shkak të pandemisë.
Pra, kryesore në këtë debat, nuk janë argumente teknike, fjala vjen përse Shqipëria ka nevojë për mënyra se si duhet të asgjësojë plehrat, sepse të gjithë jemi dakort që problemit të plehrave i duhet dhënë një zgjidhje.
Kryesore në këtë debat, është mënyra si po “dhurohen”, kujt po i “ dhurohen” dhe pse po “dhurohen” 550 milion euro nga buxheti i shtetit (75 milion euro ndërtimi dhe 480 milion euro pagesa për PPP-të në 10 vitet e ardhshme) në këtë kohë krize ku ndodhet sot vendi, përmes të cilave Shqipëria do t’i mund t’i përgjigjej nevojave urgjente që kanë qytetarët shqiptarë.
Tani të vazhdosh përkundër radiografisë së korrupsionit, që e pamë të gjithë mbrëmë dhe paralajmërimeve të opozitës, është ose guxim i madh, i cili ose vjen nga një detyrim i fortë që i ke këtyre individëve, ose nga një indiferencë e madhe për atë çfarë u ke premtuar qytetarëve.
Në fakt, e para është e vërtetë! Ky kryeministër ka kapitulluar përballë detyrimit që ka për “mafien” e inceneratorëve dhe bandën e Lushnjës të cilët e sollën dhe po e mbajnë akoma në pushtet, sepse për qytetarët jo vetëm nuk e ka vrarë ndonjëherë mendjen, por i ka përdorur gjithmonë si mish për top për të realizuar qëllimet e tij.
1
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular