BallinaBotaZgjedhjet presidenciale në SHBA: Çfarë pritet të sjellë një fitore e Biden...

Zgjedhjet presidenciale në SHBA: Çfarë pritet të sjellë një fitore e Biden ose Trump për Britaninë

Në vitin 2016, u fol për paralelizma mes zgjedhjes së Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara dhe referendumit në Britani për largimin nga Bashkimi Europian, pasi të dyja këto ngjarje, shiheshin si fitore për politikat populiste, raporton The Guardian.

Katër vite më vonë, Presidenti Trump po lufton të rizgjidhet sërish, ndërsa sondazhet e radhisin atë pas rivalit demokrat Joe Biden. Ndërkohë Britania po i afrohet fundit të periudhës së tranzicionit për Brexit-in në fund të këtij viti.

Gazetari Henry Ridgwell dhe shumë të tjerë thonë se e ardhmja e Britanisë pas Brexit-it mund të jetë e lidhur ngushtë me rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane të 3 nëntorit

Ditën kur Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian, Donald Trump – në atë kohë kandidat republikan për president  mbërriti në klubin e tij të golfit në Skoci me një mesazh në mbështetje të Brexit-it.

“Njerëzit duan t’u rikthehet vendi i tyre”, tha Donald Trump në qershor 2016.

Pas më shumë se katër vitesh, Britania është më në fund në prag të ndarjes me Bashkimin Europian. Qeveria britanike i ka kthyer sytë nga Shtetet e Bashkuara me shpresën për një marrëveshje të re tregtare që do të nxiste ekonominë e saj.

“Trump-i ka qenë një mbështetës i Brexit-it, por mendoj se qeveria britanike ka kuptuar tashmë nga negociatat e saj tregtare me Shtetet e Bashkuara se nuk ekziston dreka falas. Sa më shumë qasje që Mbretëria e Bashkuara dëshiron në tregun amerikan, aq më shumë do t’i duhet të ofrojë lëshime, në formën e koncensioneve për standartet.”, thotë Ian Bond, i Qendrës Europiane për Reformimin Europian, transmeton abcnews.al

Sidoqoftë, një fitore e Donald Trump-it do të ishte rezultati më i mirë për Britaninë, ndërsa ajo largohet nga Bashkimi Europian, thotë Robert Oulds, drejtor i Grupit Bruges, ku janë anëtarë disa ligjvënës pro-Brexit-it.

“Ekziston një kandidat në zgjedhjet presidenciale amerikane që është angazhuar për një marrëveshje të mirë tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, dhe ai është Presidenti Donald Trump. Prandaj kjo është shumë e rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar, nuk është vetëm çështje preferencash politike.

Vendet e punës dhe mundësitë për Mbretërinë e Bashkuar vërtet do të varen tek rizgjedhja e Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara”, thotë Oulds.

Por, mediat britanike njoftuan këtë javë se qeveria konservatore e Boris Johnson po përpiqet të ndërtojë marrëdhënien me sfiduesin demokrat Joe Biden, një kritik i dikurshëm i Brexit-it, i cili udhëheq në sondazhe.

Biden paralajmëroi rishtazi Britaninë se nuk do të ketë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, nëse Brexit-i rrezikon paqen në Irlandën e Veriut.

“Avantazhi do të ishte një marrëdhënie e mirë dhe një përqasje më e favorshme për institucionet transatlantike, si NATO-ja. Disavantazhi me Biden-in do të ishte se ai ka lidhje shumë të forta me komunitetin irlandezo-amerikan; ai është vetë pinjoll i komunitetit irlandezo-amerikan, (kështu që) Biden do të kishte ndoshta një linjë shumë më të ashpër me britanikët, për sa i përket detyrimeve të tyre në Marrëveshjen e Tërheqjes (nga BE-ja) dhe protokollin me Irlandën e Veriut, se sa ç’do të kishte Trump-i”, tha Bond, transmeton abcnews.al

Disa ligjvënës konservatorë , si Daniel Finkelstein, anëtar i Dhomës së Lordëve në Britani po shpresojnë për një fitore të Biden.

“Mendoj se do të ishte shumë më e rëndësishme për pozitat e konservatorëve nëse do të mund të riafirmohej republikanizmi i zakonshëm i pas Luftës, në vend të këtij lloji republikanizmi shqetësues populist i Donald Trump. Mposhtja e tij mendoj se do të ishte pjesë e rizbulimit të këtyre vlerave nga partia konservatore britanike”, tha  Finkelstein.

Britania po përballet me një Brexit të pasigurte,  në mesin e efekteve shkatërrimtare të pandemisë së koronavirusit. Rezultati i zgjedhjeve amerikane mund të luajë një rol të madh në të ardhmen e vendit, ndërsa përpiqet të hapë rrugë të reja, jashtë Bashkimit Europian./ abcnews.al

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular