BallinaAktualitetA po e djeg Basha SPAK-un me skandalin për inceneratorët

A po e djeg Basha SPAK-un me skandalin për inceneratorët

Lulzim Basha ka ndryshuar strategji? Nëse ndjenja e përbashkët e të gjithë opozitarëve është se Edi Rama i ka kapur të gjitha institucionet e drejtësisë, përfshirë edhe atë që u propogandua nga ndërkombëtarët si tmerri që do ti shpinte të korruptuarit në burg, SPAK-un, lideri i PD po bën sikur i beson ende atij duke i bërë thirrje për të vepruar.

Në qendër të këtij aksioni ai ka vënë skandalin e inceneratorëve.

Prej disa ditësh me radhë, Lulzim Basha del para publikut dhe herë përmend me emër nominalisht shefin e SPAK, Kraja, herë përmend milionat e që vazhdojnë të avullojnë si pasojë e moveprimit të prokurorisë dhe herë ironizon me faktin se prokuroria flet edhe për shenjat e gishtave që u kapen hajdutëve të rëndomtë, por nuk ka gojë për të hapur për peshqit e mëdhenj.

“Zotërinj të SPAK, ju inkurajoni vjedhjen! Ju inkurajoni hajdutërinë e parave të shqiptarëve! Ju bëheni bashkëpërgjegjës që shqiptarët të mos kenë masa lehtësuese që kam tre javë që i përsëris ditë për ditë!

Për shëndetësinë, për vogëlushët dhe mësuesit, për shqiptarët e shpunësuar, për biznesin që nuk po mban dot kokën mbi ujë.

Sot është koha mos ta kyçni, por ta hapni gojën dhe të tregoni se kur keni ndërmend t’i kyçni në pranga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, për shkak të të cilëve shqiptarët janë të vetmit në Ballkan që nuk merr dot mbështetje nga taksat që ka paguar sepse taksat vazhdojnë të vidhen nga ky grup kriminal” tha sot ai.

Duke iu përmbajtur një batute që bëri pak ditë më parë, se “SPAK nuk ka aspak” ai këmbënguli: “për çdo krim, ka një komunikim, një lloj transparence. Tregohen veprimet që bën prokuroria, si marrja e shenjave të gishtave, apo pyetja e dëshmitarëve. Vetëm për këtë supërvjedhje nuk ka asnjë të dhënë”.

Në fund, të qershorit organizata “Nisma Thurje” bëri një denoncim në SPAK për koncesionin e inceneratorit të Fierit me dyshimin se aty ishte shkelur barazia në tendera. “Të nxitur nga ngjarjet e bëra të ditura së fundmi që të njëjtën personazhe që marrin pjesë në afera në Zimbave ku u klasifikuan si të paligjshëm dhe nisi një ndjekje penale për një aferë të ngjashme si kjo, menduam se do ishte rasti më i mirë për ti kërkuar prokurorisë dhe gjithë organeve të reja të drejtësisë, të tregojë se dhe në Shqipëri, drejtësia do të funksionojë” tha atëherë përfaqësuesi i saj, Pano Soko.

Në fund të gushtit mediat njoftuan se Prokuroria e Posatshme Antikorupsion i kishte nisur hetimet për tre inceneratorët, madje se me mbledhjen e dokumentacionit të tyre po merrej prokurori Dritan Prençi. Që atëherë nuk ka pasur më asnjë njoftim.

Në valën e denoncimeve të reja, opozita -, burime pranë së cilës pretendojnë se kanë gjetur edhe kompanitë guackë që vërtetojnë pronësinë e një njeriu të vetëm në të tre koncesionet-, bëri edhe dy denoncime të tjera.

Por përsëri nga tempulli i vendosjes së drejtësië, nga ku do hetoheshin peshqit e mëdhenj askush nuk ka pëshpëritur.

Pikërisht për këtë shefi i opozitës vazhdon ta luajë gishtin në plagën që rrjedh qelb mbi margaritarin e kurorës së re të institucioneve të dala nga reforma në drejtësi.

Edhe Basha edhe opozitarët e dinë se SPAK, që deri më tani nuk është marrë me asnjë peshk të madh, por ka arrestuar vetëm të vdekur apo të arratisur, i ka duart e lidhura.

Por, këtë herë lideri i opozitës ka ndryshuar strategji. Ai bën sikur beson dhe e fton SPAK-un të hetojë mbi një krim për të cilin ai nuk duket se ka këllqe.

Qëllimi i Bashës nuk është ta vërë në punë, por ta vërë në provë. Synimi i tij është të na kujtojë përditë, atë që po e kuptojnë gjithnjë e më shumë njerëz. Që drejtësia është e kapur. Dhe për këtë nuk ka shembull më të mirë sesa pasiviteti dhe memecëria e SPAK, për skandalin e inceneratorëve. ©Lapsi.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular