BallinaEkonomiArlinda Muja: Kriza i ka bërë huamarrësit më të përgjegjshëm, kërkojnë shuma...

Arlinda Muja: Kriza i ka bërë huamarrësit më të përgjegjshëm, kërkojnë shuma më të vogla

Intervistë me Arlinda Muja, drejtore e përgjithshme e Kredo Finance

Kredo Finance ishte ndoshta institucioni financiar që u prek më shumë nga moratoriumi i pagesave të kredive, me më shumë se 17 mijë kredi të shtyra. Arlinda Muja, drejtore përgjithshme, thotë në një intervistë për revistën “Monitor”, se mbyllja e ekonomisë dhe moratoriumi e kushtëzuan tendencën e tregut të mikrofinancës edhe për muajt në vazhdim, për shkak të boshllëkut të likuiditetit të krijuar.

Ajo shprehet se situata është në përmirësim dhe kreditimi po rritet në mënyrë progresive çdo muaj. Sipas saj, klientët po tregohen më racionalë në vendimin për të marrë kredi dhe sot kërkohen shuma mesatarisht më të ulëta. Ajo mendon se do të jetë e pashmangshme që raporti i kredive me probleme për sektorin të arrijë në të paktën 15%, por me rritjen graduale të kredisë së re, ky tregues do të shkojë drejt përmirësimit.

Si u ndikua sektori i mikrofinancës nga pandemia? 

Treguesi që u prek më ndjeshëm ishte likuiditeti. Niveli i pagesave në vlerë absolute ra me 60%. Edhe masat që ne morëm, si për t’iu përshtatur moratoriumit, por edhe për të ndihmuar ata klientë që kishin vështirësi, dhanë impakt në këtë tregues. Ne kemi shtyrë 17200 kredi dhe besoj se jemi institucioni me numrin më të madh të kredive të shtyra, pa ngarkuar interesa apo kosto të tjera shtesë, për periudhën e shtyrë. Pavarësisht ndikimit të madh në kredidhënie tek shtresat e pashërbyera, ne si sektor nuk u përfshimë në skemat e garancisë apo në skema të tjera mbështetjeje.

Reagimi ynë i parë ishte ulja e kreditimit, së pari për të shmangur një kreditim jo të përballueshëm nga klientët tanë – të cilët u përballën me humbje të vendit të punës ose reduktim të të ardhurave – por gjithashtu edhe për shkak të rënies së likuiditetit e së fundi, kjo lëvizje ishte pjesë e ruajtjes së eficiencës së kostove. U përpoqëm të ulnim në minimum ato kosto që nuk ishin të domosdoshme.

Për shkak të uljes së mobilitetit dhe kufizimit të orarit të lëvizjes, nga ana strukturore na u desh të ndërmerrnim disa hapa. Hapi i parë ishte tkurrja e pranisë fizike në ato qytete të cilat ne kishim përfaqësi me më shumë se një degë. Si pasojë u detyruam të shkurtonim atë pjesë të stafit i cili i përkiste këtij ristrukturimi.

Ajo që u treguam shumë të kujdesshëm ishte që të mos linim pa praninë tonë asnjë qytet ku shërbimi ynë ishte i konsoliduar. Më pas, lobimi për të mos qenë pjesë e moratoriumit të dytë na ndihmoi, jo sepse ne nuk vijuam të ofronim ndihmë tek klientët në vështirësi edhe pas qershorit, por sepse u shmang mesazhi që askush nuk duhet të paguajë. Pas qershorit, ndihmuam ata klientë që realisht nuk kishin mundësi të paguanin. Në këto raste, ne treguam fleksibilitet, për t’iu përgjigjur asaj që ishte aftësia e tyre reale paguese dhe për të ruajtur një historik pozitiv të tyre si kredimarrës.

Si paraqitet ecuria e biznesit të kompanive të mikrofinancës pas hapjes së ekonomisë? 

Pas mesit të korrikut, ne iu kthyem rritjes së kreditimit. Duke parë përmirësimin e kërkesës, ne vendosëm t’i kthehemi gradualisht pozicionit tonë aktiv në kredidhënie. Aktualisht, vërejmë që kërkesa është rritur ndjeshëm. Mund të themi që kërkesa është në nivelet e 80%, krahasuar me periudhën para krizës. Por, ajo që vërejmë është se në muajt e fundit përmirësimi i kërkesës është i shpejtë dhe i ndjeshëm. Këtu i referohem kryesisht kërkesës si numër aplikimesh.

Ndërsa, pozitive për mendimin tim është se klientët po tregohen më të matur në shumat që kërkojnë. Kredia nuk është luks, që duhet ta marrësh sepse mund ta marrësh. Kredia është nevojë dhe përllogaritje e kostove që ti mund të marrësh përsipër në kohë, për të paguar këstet. Njerëzit kanë filluar ta mendojnë dhe kjo krizë i ka ndihmuar të jenë më të përgjegjshëm. Kjo po reflektohet edhe në cilësinë e kredive. Kreditë e dhëna pas muajit korrik po shfaqin një cilësi më të mirë se ato të dhëna në muajt para krizës së COVID-19.

Si është reflektuar deri tani kriza në cilësinë e portofolit të kredisë?

Përkeqësimi ka qenë i pashmangshëm, për vetë ndikimin që kriza ka pasur në ekonominë e individit. Falë një pune të palodhur dhe të pandërprerë informuese që stafi ynë bën tek klientët, raporti i kredive me probleme për mikrofinancën ka qenë i ngjashëm me sistemin bankar, i cili duhet theksuar është shumë më i ngurtë në financim sesa sektori i mikrofinancës. Personalisht, parashikoj që viti do të mbyllet pranë nivelit të 14-15%. E shoh të vështirë të ngelemi poshtë këtij niveli.

Por, këtu duhet të llogarisim mekanizmin e përqindjes së kredive me probleme. Nëse e shohim në vlerë absolute, nuk kemi ndonjë ndryshim të madh të gjendjes së kredive të këqija. Por, nëse e matim si raport me portofolin total të kredisë, ka një rritje më të dukshme, sepse portofoli është tkurrur. Pra, faktori që ka ndikuar më shumë është frenimi i kredisë së re, sesa rritja e kredive të këqija në vetvete.

Duhet të kemi parasysh se portofoli i mikrofinancës është afatshkurtër. Nëse ne nuk e ripërtërijmë portofolin, kemi një rënie me 5% çdo muaj. Kjo natyrisht që ndikon ndjeshëm edhe dinamikën e raportit të kredive me probleme. Ndaj, mendoj se rritja graduale e kreditimit do të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll edhe të treguesit të kredive me probleme.

Rritja e kredive me probleme është sigurisht kosto, jo vetëm për shkak të kostos direkte të kredisë që vonohet, por edhe për shkak të kostove që duhet të angazhosh për të mbledhur kreditë që nuk kthehen. Na është dashur të angazhojmë burime shtesë për të trajtuar shtyrjen e kredive, por edhe ndjekjen e kredive të pakthyera.

 

A ndërmori Kredo shkurtime stafi?

Kredo Finance po aplikonte një strategji zgjerimi agresive edhe në fillimin e këtij viti dhe kishte në plan që të arrinte të hapte 100 degë fizike në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kjo strategji është e kuptueshme duke qenë se ishim në vitin e dytë operacional, ishim pothuajse në çdo qytet. Nuk jemi larguar nga asnjë qytet, por kemi ulur numrin e degëve në disa prej tyre.

Për shembull, në Tiranë kishim 15 pika dhe kemi lënë 7. Sot kemi 36 degë, nga 58 që kishim para krizës. Shkurtimet e stafit prekën vetëm degët e mbyllura. Faktori i dytë i rëndësishëm në përcaktimin e largimit të stafit ishte fakti i heqjes së turnit të dytë për shkak të kufizimeve në orare. Ne u detyruam të mos qëndronim hapur gjatë turnit të ditë.

Prandaj, me kufizimin e lëvizjeve, natyrisht që duhet të shkurtonim oraret e operacioneve dhe të punonim vetëm me një turn. Ende sot, shumica e degëve punojnë me një turn, me përjashtim të atyre që kanë fluksin më të madh të kërkesës. Mendoj se në nëntor do të kthemi në orarin e mëparshëm dhe do të rrisim gradualisht edhe numrin e punonjësve, duke i dhënë sigurisht përparësi kthimit të atyre që u detyruam të shkurtonim. Ndërkohë, në zyrat qendrore, në përgjithësi tek njësitë kryesore, nuk kemi bërë shkurtime, përkundrazi, kemi shtuar staf, për t’iu përgjigjur nevojave të punës me shtyrjet dhe ristrukturimet.

 

Sa të gatshme janë sot institucionet e mikrofinancës për të kredituar dhe për të marrë përsipër rrezik?

Ne duam t’i përgjigjemi kërkesës së tregut, por sigurisht me kujdesin që dikton situata aktuale. Nuk do të kthehemi menjëherë në standardet e aplikuara në periudhën para shpërthimit të krizës. Duhet të krijojmë një ide më të qartë të masës në të cilën kriza ka prekur kapacitetin pagues të klientëve.

 

Sa ka ndikuar kriza në shtrëngimin e burimeve të financimit të aktivitetit të mikrofinancës?

Për fat të keq, ne nuk gjetëm mbështetje nga burime të tjera, qofshin skema të qeverisë shqiptare apo nga partnerë të jashtëm, siç mund të kenë institucione më të konsoliduara të mikrofinancës. Ne si Kredo Finance kemi dëshirë dhe qëllim që të rrisim financimin dhe duke qenë se vetë tipologjia e kredisë që ne japim mbart më shumë risk, ne jemi të gatshëm dhe të aftë të kalojmë dhe një krizë tjetër të tillë eventuale. Në këtë situatë, sigurisht që ka rreziqe dhe jemi gati t’i marrim përsipër. Mendoj se ekonomia do të rimëkëmbet vetëm duke vijuar kreditimin.

Duke qenë se ne jemi një kompani e bazuar në informacion, ne kemi shprehi tonën që të zhvillojmë anketime të ndryshme. Në anketimin tonë të fundit rreth pritshmërive të bizneseve mbi rimëkëmbjen post-COVID na rezulton se 40% e bizneseve kanë një plan për rimëkëmbje dhe ai përfshin kreditimin për të krijuar hapësira apo mundësi lëvizjeje. Ne besojmë në një zinxhir dhe nëse ky zinxhir shkëputet në hallkën e financimit të ekonomisë, dalja nga kriza do të jetë e vështirë dhe shumë e gjatë.

 

Cilat janë sfidat kryesore për institucionet e mikrofinancës në rrugën e daljes nga efektet e krizës që ka shkaktuar pandemia?

Mendoj se janë tre elemente që ne si mikrofinancë, por edhe sistemi financiar më gjerë, duhet të fokusohemi.

E para është teknologjia. Do të duhet të investojmë seriozisht, edhe për sa i takon lobimit, për të thelluar dixhitalizimin e shërbimeve tona. Ne si Kredo kemi plane të mëdha për dixhitalizimin, por ndryshimin nuk mund ta sjellë vetëm një institucion. Duhet të mundësojmë nënshkrimin e kontratave në distancë. Në veçanti, ne si mikrofinancë duhet të investohemi që publiku dhe institucionet të na njohin më mirë, për kontributin që japim në ekonomi.

Në vendet e zhvilluara, mikrofinanca i shërben vetëm 5% të popullsisë. Në një ekonomi si kjo e jona, nevoja për shërbimet e mikrofinancës është shumë më e madhe, sidomos tek segmentet më të vështira për t’u financuar nga sektori bankar. Ne sot mbështesim 68% të kërkesave për kredi. Duhet të njihemi dhe të mbështetemi për këtë kontribut që japim.

Një element i tretë, shumë i rëndësishëm, është edukimi financiar. Kemi shumë për të bërë në këtë drejtim, që publiku të përvetësojë më mirë mënyrën sesi duhet t’i zgjedhë produktet financiare dhe si t’i balancojë nevojat e veta me alternativat që ofron tregu. Nëse rrisim nivelin e edukimit financiar, ne sigurisht që do të ulim edhe rrezikun në aktivitetin tonë. Ulja e riskut më tej rrit kapacitetin financues për individët dhe bizneset dhe mbështet rritjen ekonomike.

Duket sikur sfida për mikrofinancë është vetëm gjetja e fondeve, por mendoj se nëse ne arrijmë të adresojmë çështjet e mësipërme, edhe sigurimi i financimeve për aktivitetin tonë do të jetë më i lehtë. Investitorët ndërkombëtarë ekzistojnë, ata mbështesin fort sidomos kreditimin për bujqësinë. Më vjen keq që shumë fonde garancie për bujqësinë nuk janë shfrytëzuar maksimalisht.

Po t’i ishin kaluar mikrofinancës, do të ishin përdorur 100%, pasi mikrofinanca e njeh mirë këtë sektor dhe ka qenë në shërbim të saj prej shumë vjetësh, nëpërmjet financimit me shuma të vogla pa burokraci që bëhen barrë shtesë për klientin. Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular