BallinaKryesoreEuropa i mbyll dyert Edi Ramës: Dështimi është i qeverisë

Europa i mbyll dyert Edi Ramës: Dështimi është i qeverisë

Dje Parlamenti holandez ka zhvilluar një seancë, lidhur me qëndrimin e këtij vendi anëtar që është shprehur kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë për mosplotësimin e kushteve. MAPO ka biseduar me Gledis Gjipalin, Afrim Krasniqin dhe Marko Bellon. Të tre njohësit e integrimit thonë se nuk mund të fajësohet Europa. Përgjegjësia është e qeverisë.

Nga Blerina Gjoka

Çelja e bisedimeve të Shqipërisë me Bashkimin Europian mund të shtyhet. Sinjali i parë ka ardhur nga Holanda, ndërsa pritet vendimi i 27 vendeve të tjera anëtare të unionit.

Parlamenti holandez zhvilloi dje një seancë pyetjesh me ministrin e Jashtëm Stef Blok pas propozimit të qeverisë për të votuar kundër çeljes së bisedimeve me Shqipërinë.

Qeveria holandeze ka përpiluar një raport me argumente për parlamentin e saj ku theksohet se Shqipëria nuk i ka përmbushur kushtet e vendosura në 24 mars të këtij viti, kur u mor vendimi historik për çeljen e negociatave.

E kundërta ka ndodhur me Maqedoninë e Veriut për të cilën Holanda ka hapur dritën jeshile.

Në progres-raportin e këtij viti të Komisionit Europian rekomandohej çelja e bisedimeve me thirrjen e mbledhjes ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së, por gjithsesi vendeve anëtare, që do të marrin këtë vendim në unanimitet u bëhej e ditur se vendi ynë nuk kishte ecur me hapat e premtuar në plotësimin e kushteve.

Theksi vendosej te mos ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, mungesa e dialogut për përmbylljen e Reformës Zgjedhore dhe dhënia e sinjaleve të forta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për Holandën në këtë drejtim nuk është bërë pothuajse asgjë që të bindë këtë vend që të ftojë Shqipërinë në një tryezë të përbashkët me BE-në, që do të shënonte zyrtarisht çeljen e bisedimeve për anëtarësim.

Por, në Tiranë, eksponentë kryesorë të mazhorancës qeverisëse e interpretuan vendimin e Holandës si problem që lidhet me skepticizmin e këtij vendi ndaj shqiptarëve dhe jo me detyrimet e qeverisë shqiptare për integrimin.

Deklarata më e fortë ishte ajo e kreut të grupit socialist Taulant Balla i cili tha se ne i kemi plotësuar detyrat tona, por Europa ka problemet e veta.

Më i rezervuar u tregua kryeministri Edi Rama i cili tha dje se duhet të presim të mos biem pre e lajmeve të pjesshme. Por dhe ai u fokusua teskepticizmi i përhershëm holandez.

“Holanda ka qenë gjithmonë skeptike, ama merreni shtypin holandez meqë jeni gazetar dhe të interesuar për Holandën, shikoni se si përdoren si gogol shqiptarët, që flitet për banda shqiptare të shpartalluara, pastaj kur shikon janë 2 shqiptarë dhe të tjerët janë belg, polak, është politike, elektorale, ka zgjedhje në mars sa për dijeni dhe bëni një studim tjetër, shikoni kalendarin e zgjedhjeve në BE, dhe qëndrimin e vendeve në raport me zgjerimin, nuk janë pa lidhje me njëri-tjetrin. Unë mendoj që duhet të presim deri në fund dhe nuk duhet të biem pre e lajmeve të pjesshme dhe që janë të parakohshme për të nxjerrë konkluzione, kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Holandën, unë kam një marrëdhënie të mirë me kryeministrin atje”, tha Rama.

Gazeta MAPO sjell analizën e ekspertëve të integrimit për këtë veto holandeze. Sipas tyre Shqipëria ka dështuar në plotësimin e kushteve të vendosura dhe nuk ka arritur dot të bindë vendet anëtare dhe të shuajë edhe skepticizmin e tyre.

Gjipali: Vendimi i Holandës, pasojë e dështimit tonë

Holanda është shprehur kundër çeljes së bisedimeve me Shqipërinë me argumentin se nuk ka plotësuar kushtet e vendosura më 24 mars, dhe ka dhënë miratimin për Maqedoninë e Veriut. Ishte i pritshëm ky vendim? A mund të ndiqet nga “Jo” të tjera të vendeve anëtare?

Vendimi i Holandës ishte një vendim i cili pritej në një farë mënyrë duke ditur skepticizmin e tyre për procesin e integrimit dhe për faktin që edhe sugjerimi i Komisionit Europian në raport linte disa hapësira për Shqipërinë. Në raportin e fundit të KE-së ishte e qartë se disa nga kushtet, si ajo e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese apo në lidhje me ecurinë e Reformës Zgjedhore në periudhën në vazhdim, nuk ishin të ezauruara, kështu që secili vend anëtar kishte hapësirën për ta vlerësuar sipas qëndrimit të tij përmbushjen ose jo. Shqipëria për fat të keq në këtë periudhë nuk ka arritur të prodhojë rezultate të shpejta me kushtet e mbetura, pra as me konfigurimin e Gjykatës Kushtetuese dhe as me çështjen e reformës zgjedhore. Kjo bën që kundërshtimi dhe argumentet e Holandës të kenë hapësirë për t’u shtuar kundërçeljes së bisedimeve.

A lidhet ky qëndrim specifikisht me mosplotësimin e kushteve nga ana e Shqipërisë, apo vetëm me skepticizmin ndaj integrimit të Shqipërisë?

Ka disa elemente në arsyetimin që mund të bëjmë për qëndrimin e Holandës. Qëndrimi i Holandës ka qenë i rreptë me gjithë vendet që janë në proces integrimi, por me Shqipërinë ka qenë dhe më strikte. Le të themi që ka pasur një kut vlerësimi më të ashpër edhe se vlerësimi i vetë Komisionit Europian. Kjo ka ardhur dhe nga presioni i brendshëm politik që ka në vëmendje çështje si lufta ndaj kriminalitetit dhe trafikimit të lëndëvenarkotike, apo kërkesës së azilantëve shqiptarë në Holandë, një element që nuk ka qenë për vendet e tjera. Por mos të harrojmë që të njëjtën gjë ka bërë dhe Franca një vit më parë.

Pse qëndrimi i Holandës lexohet nga mazhoranca qeverisëse si një skepticizëm ndaj shqiptarëve dhe jo si mungesë e plotësimit të detyrimeve të qeverisë ndaj procesit. Kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se qeveria i ka përmbushur detyrat për integrimin, çfarë vendimesh merr Brukseli nuk është në dorën tonë…

Ka vend për shumë interpretime për këtë vendimmarrje, por për fat të keq në këtë rast Shqipëria nuk kishte një raport 100 %pozitiv as nga komisioni që ne të mund të thoshim se i kemi plotësuar të gjitha kushtet. Mënyra si ishte formuluar raporti lë hapësirë për secilin vend ta interpretojë, pra Holanda nuk e ka pa të drejtë këtë arsyetim. E mira do të ishte që ne në rrugëtimin tonë të integrimit nuk duhet të jepnim arsye për të bërë interpretime jopozitive nga vendet anëtare. Por në këtë drejtim kemi dështuar. Nga ana tjetër, qëndron dhe fakti që BE ka njëfarë lodhjeje me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe problematikat e tyre, që kërkojnë vazhdimisht vëmendje.

Sa e rrezikshme do të jetë për ecurinë e integrimit ndarja nga Maqedonia e Veriut në këtë fazë?

Çdo ngadalësim në proces është kosto për imazhin tonë që duhet të punohet fort për ta rikuperuar qoftë në institucionet e BE-së dhe vendeve anëtare dhe qoftë për opinionin e tyre publik. Politikisht nuk është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe rajonin. Por, nga ana tjetër, secili vend do të eci vetë në rrugën e integrimit, kush më shpejt dhe kush më ngadalë. Çështja është të mos krijohet një largësi e madhe , e ne të vazhdojmë të jemi në të njëjtin grup me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut ku në të ardhmen të presim të na bashkohet dhe Kosova e Bosnja, e jo t’u bashkohemi ne atyre.

 

Marko Bello: Të keqen duhet ta kërkojmë te vetja

Qeveria holandeze i ka kërkuar parlamentit që të votojë kundër çeljes së bisedimeve me Shqipërinë me argumentin se nuk ka plotësuar kushtet e vendosura më 24 mars, nga ana tjetër ka dhënë miratimin për Maqedoninë e Veriut. Ishte i pritshëm ky vendim? A mund të ndiqet nga “Jo” të tjera të vendeve anëtare?

Bllokimi i Holandës tregon se Shqipëria ka vështirësi dhe nuk po i bind të gjitha vendet anëtare se është gati për nisjen e negociatave. Për mendimin tim, të keqen duhet ta kërkojmë te vetja. Çfarë nënkuptoj me këtë? Në radhë të parë ne duhet tëplotësojmë kushtin që është me të vërtetë kryesor: ngritjen e dy institucioneve të drejtësisë, Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese.

Kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se qeveria i ka përmbushur detyrat për integrimin, çfarë vendimesh merr Brukseli nuk është në dorën tonë. Sa qëndron ky pohim? Sa qëndron argumenti se Holanda është skeptike ndaj Shqipërisë?

Fatkeqësisht, Kryeministri Rama e shikon problemin te vendet anëtare, duke u mbështetur vetëm te rekomandimet e Komisionit Europian. Por të gjithë e dinë se e vërteta është ndryshe dhe se për të shkuar në finalizimin e procesit duhet të japin OK të gjithëparlamentet e vendeve anëtare. Sa kohë kjo nuk ndodh nuk mund të flitet për suksesin e procesit. Ashtu siç edhe duhet kuptuar se duke fajësuar të tjerët nuk shfajësohet vetja. Fakti qëMaqedonisë së Veriut i hapet drita jeshile, provon pikërisht çkathashë më sipër. Është e pafalshme të mos plotësohen ato kushte, të cilat një klasë politike më e përgjegjshme dhe njëQeveri që vendos interesat e vendit në plan të parë, do t’i kishte realizuar me kohë.

 

Afrim Krasniqi: Nuk janë përmbushur kriteret

Teza se ndonjë vend europian po mban peng Shqipërinë apo është kundër Shqipërisë dhe se kanë hallin e zgjedhjeve të tyre, është jo vetëm ushqim parademokratik për militantët e Facebook-ut, por edhe artikulim i pasaktë, provokues dhe abuziv. E vërteta është tjetër dhe shumë më e thjeshtë për t’u kuptuar: në mars 2020 BE vendosi të nisë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

Në dokumentin zyrtar theksohet se konferenca e parë do të ndodhë kur të plotësohen 6 kritere, duke i cilësuar nominalisht ato. Dy prej tyre, – kriteri për Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe vendimmarrëse, dhe kriteri për hetimin e vendimmarrjen mbi dosjet VIP që lidhen me krimin e organizuar dhe zgjedhjet, – nuk janë përmbushur ende. Shqipëria sot nuk ka gjykatë kushtetuese funksionale dhe vendimmarrëse dhe këtë e di çdo qytetar, përfshirë kryeministri, presidenti apo kryetari i opozitës. Shqipëria nuk ka asnjë person VIP të dënuar nga drejtësia dhe kjo është e njohur për këdo, ndërkohë që dosjet, akuzat, faktet janë aty, në pritje të hetimit dhe gjykimit.

Për më tepër, 6 kushteve qeveria shqiptare i krijoi vendit një pengesë të re, paketën antishpifje. E kritikoi BE dhe çdo zë civil në Tiranë, nuk u dëgjuam, më pas e kritikoi edhe Komisioni i Venecias. Mazhoranca pranoi rekomandimet dhe premtoi të bëjë ndryshimet, të cilat ende nuk kanë ndodhur.

Pra, kur thuhet se Holanda, Franca, Spanja, Danimarka dhe pjesërisht Gjermania, janë kritike ndaj bilancit jo të plotë për të shkuar në zhvillimin e konferencës së parë BE-Shqipëri, nuk kemi të bëjmë me temë të luftës politike e elektorale në këto vende, as me vende që janë kundër Shqipërisë dhe as me shtete që nuk duan të na shohin në progres e integrim. Tri prej tyre janë ndër vendet kryesore donatore të BE ndaj Shqipërisë dhe të gjitha ato na kanë votuar unanimisht më 25 mars 2020.

Autokratët e Tiranës, të cilët duan më shumë partinë se Shqipërinë, pushtetin personal sesa interesin publik dhe që mbajnë në këmbë një sistem propagande që të kujton periudhën përpara ’90, që nuk pranojnë as përgjegjësi dhe nuk bëjnë as transparencë dhe as llogaridhënie, – duhet të jenë të ndershëm me qytetarët e tyre, por edhe me vendet aleate perëndimore. Kushtet janë aty, bilanci nëse janë realizuar është publik, alibia e viktimizimit është në fakt ikje nga përgjegjësia dhe përballja me realitetin.

Ndaj miq, le të ikim nga tradita negative e shpikjes së armiqve imagjinarë në Berlin apo Paris, në Madrid apo në Kopenhagën, në Amsterdam apo në Athinë; problemi ynë është në Tiranë, ka qenë dhe është në Tiranë, dhe siç duhet, do të jetë edhe në të ardhmen në Tiranë. Shikoni ligjërimin politik në Tiranë: askush nuk flet për reforma apo integrimin, por me ligjërim konfliktual personal të duket se ca “djem problematikë” po e çojnë vendin në një përplasje tjetër të re! Kemi 2-3 individë “të fortë“, por jo institucione funksionale.

Një parlament serioz, një qeverisje serioze, një opozitë serioze, një media serioze dhe një shoqëri civile serioze në një shoqëri serioze do ta kishte kuptuar tashmë këtë dhe do të kishte reaguar me forma e mekanizma institucionalë e civilë, për të ndikuar në zgjidhjen e problemit, i cili si dje edhe sot është vetëm këtu, në Tiranë, duke na dhënë shfaqje ditore populiste marrëzish e batutash pa thelb, pa produkt, pa vizion dhe pa sens përgjegjësie ndaj shtetit, shoqërisë dhe qytetarëve. MAPO

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular