BallinaOP EDTrump-Biden nën këndin shqiptar dhe sidomos atë të PS dhe PD

Trump-Biden nën këndin shqiptar dhe sidomos atë të PS dhe PD

spot_img
spot_img
Nga Fitim Zekthi – 

Ideali i iluminizmit, mes shumë të tjerash ishte edhe prodhim i një shoqërie në të cilën të gjithë njerëzit do të kishin informacion të plotë mbi politikën dhe qeverisjen, mbi jetën dhe shoqërinë, mbi ligjin dhe institucionet dhe kësisoj do të kishim  një sistem qeverisës që do të prodhonte ‘liri, barazi, vëllazëri’ etj.

Njerëzit do të ishin ‘zotër’ të politikës dhe të qeverisjes  dhe për shkak të informacionit të plotë  (apo gjasme dijes) do të vinin dhe hiqnin, do të zgjidhnin qeverinë që ishte më e mira, do ti detyronin partitë dhe qeveritë të jepnin llogari. Një rol të pazakontë do të kishte në vënien në jetë të këtij synimi media. Ai ‘ideal’ prodhoi revolucionin jakobin, prodhoi komunizmin dhe fashizmin etj.

Ai ideal ka prodhuar sot media pa fund dhe të papërgjegjshme të cilat iu krijojnë idenë njerëzve se ata dinë shumë ose dinë shumëçka në mos gjithçka. Njerëzit nga që shohin lajme tërë ditën, nga që shohin copëra lajmesh në portale, ngaqë janë të zhytur në media apo në botën e internetit mendojnë se dinë mjaftueshëm mbi viruset, mbi fenë, mbi terrorin, mbi vrimat e zeza, mbi kushtetutën e  SHBA-së, mbi mënyrën se si funksion BE-ja dhe institucionet e saj, mbi sistemet zgjedhore etj dhe japin mendim me kompetencë të lartë mbi të gjitha.

Kjo është ndoshta mënyra më perverse me anë të të cilës ideali iluminist i cili që në krye të herës ka synuar të prodhojë tirani dhe synon ta bëjë të pashkulshëm pushtetin e tiranëve, po arrin të skllavërojë njerëzit. Ai u krijon atyre idenë se ata dinë shumë ose shumëçka ndërkohë që ata nuk dinë asgjë dhe janë thjesht lodra të këtij lumi gjigant informacioni.

Librat, dija e thellë, studimet e gjera mbi historinë, ligjin, filozofinë, fizikën, qeverisjet, politikën etj janë sot gjithnjë e më të pakta dhe ata që i marrin seriozisht këto duhet të vuajnë tërbimin e gjithë atyre që kanë informacion copa, copa prej lajmeve dhe bëjnë sikur zotërojnë dijen fundore.

Kështu ndodh  kur flitet për homoseksualitetin, kur shprehen mbi  nëse ai është i lindur apo jo, nëse kurohet apo jo, nëse shkaktohet nga faktorë psikosocialë apa ka një gen gay. Njerëz  të shumtë gati të gjithë kanë një mendim, gati të gjithë flasin me siguri pa lexuar asnjë libër, pa njohur asgjë nga gjenetika, psikoanaliza, apo sociologjia apo feja.

Kur ndodhi grushti i shtetit në Turqi sapo u dha lajmi të gjithë kishin një mendim. Shumë thonin e bëri Erdogan, shumë thonin e bëri Gulen, shumë të tjerë thonin e bëri ushtria qemaliste etj. Askush nuk dinte gjë tamam mbi historinë e Turqisë, mbi rolin e ushtrisë, mbi qemalizmin, mbi Gulenin, mbi kapacitetet e qemalistëve apo të Gulenit, mbi sistemin politik turk, mbi kushtetutën dhe ligjet e Turqisë, mbi antropologjinë kulturore dhe politike të Turqisë dhe të turqve, mbi përthyerjet gjeopolitike në rajon, mbi  ideologjitë kontarstuese në Turqi etj.

E njëjta gjë për debatin mbi sistemin  zgjedhor. Gjithkush kishte një mendim se cili është më i miri pa lexuar asnjë politilog apo teoricien të politikës mbi përparësitë e sistemit mazhoritar, mbi ndikimin e tij në sistemin partiak, mbi sjelljet e tij në vendet ku ai zbatohet prej dekadash, mbi aftësitë apo paaftësitë e tij për të përfaqësuar në mënyrë të drejtë njerëzit, mbi ndikimin tek qeverisja.

Shumëkush as ia kishte idenë  se çfarë sjell sistemi zgjedhor mazhoritar me një raund dhe ku ndryshon nga ai me dy raunde, si reagon apo çfarë pasojash sjell në qeverisje sistemi proporcional i pastër, cilët politologë e mbrojnë dhe pse dhe cilët e kundërshtojnë, në cilat vende ka sukses dhe ku jo e me radhë e me radhë.

Të gjithë u turrën pas berihasë që prodhoi Rama me Hajdarin dhe Murrizin dhe me ca ‘aktiviste civilë’ dhe shprehën mendimin e tyre. E njëjta gjë ndodh për hapjen e negociatave, e njëjta gjë për faktorët që kanë prodhuar krizë në ekonomi dhe papunësi. E njëjta gjë u shfaq rëndë edhe për zgjedhjet në SHBA.

Këto zgjedhje duket se përfshinë çdo shqiptar. Pjesa më e madhe as ia kanë idenë se cili është roli i shteteve në drejtimin e procesit zgjedhor, cili është roli i gjykatave të shteteve në këto procese, cila është demografia e shteteve, cila është përqindja e pjesëmarrjes sipas grupeve sociale historikisht dhe cila është tani, cilat shtete lëvizin dhe pse, cili është roli i senatit dhe sa për qind e tij është në zgjedhje, cili është roli i Dhomës së Ulët, cilat janë korrentet ideologjike tek republikanët dhe tek demokratët, cilat korrente dominojnë, cilat shtete patën karantinë të fortë dhe si ndikoi ajo tek ekonomia, si ndryshon papunësia apo çështje të tjera nga njëri shtet në tjetrin etj.

Megjithatë shqiptarët u përfshinë fuqimisht. Në këtë mënyrë reaguan edhe shumica e politikanëve apo njerëzve që jetojnë përmes politikës apo me politikë. Megjithatë në lidhje me këtë kategori pati edhe një aspekt tjetër mjaft të rëndësishëm që lidhet me interesin e tyre personal në politikë.

Njerëzit e të majtës në Shqipëri ishte e dukshme që e  urrenin presidentin Trump. Ka qenë e dukshme gjithnjë. Shumica e bënin këtë për shkak të formimit të tyre që sido që të jetë nuk e pranon kurrë dikë që shan komunizmin apo socializmin, nuk e pranon dikë me një retorikë të tillë konservatore dhe kundër të majtës sa presidenti Trump.

Vetë Rama bëri gjithçka në këto katër vite që të afrohet me presidentin Trump edhe për shkak të sulmit që i bëri atij në garën e para katër viteve. Rama gjeti kompani lobimi si Ballad Partners afër njerëzve që mund të afronin tek presidenti. Rama njohu i dyti në botë pas SHBA qeverinë Huan Guaidos në Venezuelë, apo përshëndeti i dyti në botë vrasjen e gjeneralit Sulejmani nga amerikanët vetëm e vetëm që të tregonte zell etj…Rama megjithatë nuk foli këtë herë. Kur tërë bota e përshëndeti presidentin Biden ai iu bashkua atyre.

Gjithsesi pjesa më e madhe e të majtës siç u bë deri dje me presidentin Trump për arsye servilizmi po ashtu do të jetë po për arsye servilizmi me presidentin Biden. Në thelb dominon servilizmi.

Kryetari i opozitës Basha ka qenë mjaft i kujdesshëm. Ai i ka parë marrëdhëniet me SHBA si diçka që e transhendojnë PD-në apo PS-në, të majtën apo të djathtën. Është e dukshme se Basha është afër me Biden dhe me demokratët po aq sa ishte me Trump dhe me republikanët dhe kjo vetëm për shkak të faktit që për një politikan shqiptar marrëdhëniet me SHBA-të nuk janë çështje interesi meskin personal apo çështje dallimesh ideologjike që ndajnë apo stëndarjnë demokratët apo republikanët.

Marrëdhëniet me SHBA, me presidentin amerikan nuk mundet kurrë të shihen si mundësi për të mbajtur një pushtet, nuk mund të reduktohen në një gjë kaq fyese. Kjo nuk është vetëm cinike dhe u ulët por edhe e dëmshme. Në këtë sens ndryshimi i Bashës me Ramën është themelor.

Nga pozicione të tjera të njerëzve të zakonshëm gjithkush ka të drejtë të ketë simpatitë e tij dhe ti ketë publike. Unë për shembull gjithë jetën time të vetëdijshme mbi politikën dhe ideologjitë kam qenë përkrahës i fortë i republikanëve. I kam përjetuar me trishtim humbjet e Bob Dole në 1996, të MC Cain në 2008, të Romney në 2012 dhe me shumë gëzim fitoret  e Bush në 2000 dhe të Trump në 2016.

Sipas meje republikanët përfaqësojnë gjënë politike më të mirë në botë. Nuk ka një parti, nuk ka një forcë politike që bart më mirë dhe më fort në botë idetë e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor se sa republikanët. Demokratët nga viti në vit po kthehen në bartësit kryesorë të problemeve të të majtës dhe të moralit që mbron e majta.

Relativizmi kulturor,  politika e identitetit, sulmi mbi historinë dhe traditën po kthehen në pikat bazë ku rri sot e majta në SHBA. Ama vetëm kaq, simpati, si për ekip futbolli, si për Juventusin apo Bajernin e Munihut. Kaq na takon ne në këtë cep të botës.

Nuk ka asgjë të keqe të kesh simpati për një parti, për një ide, për kandidat por të zhytesh kaq rëndë, të bëhesh kaq emocional sa të urresh apo dashurosh fuqishëm një kandidat kryesisht për shkak të nevojës tënde për pushtet është e papranueshme. Nuk na takon ne të mbushim përplot me sharje apo me urrejtje qoshet tona të internetit kundër presidentit Trump dhe ti mbushim ato më lëvdata apo edhe urrejtje për kandidatin Biden.

Me këtë sjellje, me këtë urrejtje për Trump dhe me këtë servilizëm për Biden nga ana e të majtës sonë (mediokre është lëvdatë po ta quash) po tregojmë se eksperimenti që donte iluminizmi ka patur sukses por edhe po tregojmë se nuk dimë të jemi kurrë seriozë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular