BallinaKultureLibri "Pushtetarët e mjegullnajës" nga Ismail Arsllani - Një studim mbi proceset...

Libri “Pushtetarët e mjegullnajës” nga Ismail Arsllani – Një studim mbi proceset dramatike politike

Nga Urim HASIPI

Publicisti Ismail Arsllani botoi këtyre ditëve në “Shtypin Akademik” në Shkup librin më të ri “Pushtetarët e Mjegullnajës”, me një vëllim prej 300 faqesh. Në recensionin mbi librin nga prof. Xhelal Zejneli, nënvizohet se Ismail Arsllani është autor i disa librave që janë pjesë e mendimit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Në librin me titull metaforik “Pushtetarët e mjegullnajës”, flet për zhvillimet dramatike në këtë vend, kryesisht në periudhën e viteve 2009-2019. Në këtë përmbledhje shkrimesh kritike, autori na paraqitet si pasqyrues i ngjarjeve, si analist politik, si studiues i proceseve, por edhe si vizionar. Vepra në fjalë është shumëdimensionale ngase në të trajtohen dhe pasqyrohen në mënyrë të qartë dhe objektive zhvillimet politike, si dhe degradimet në rrafshin etik. Autori i analizon marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë raporteve midis dy bashkësive etnike – shqiptarëve dhe maqedonasve.

Në shkrimet e përmbledhura në këtë libër, autori paralajmëron në mënyrë vizionare se pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, Maqedonia e Veriut kurrë s’ka për të qenë shtet i qëndrueshëm dhe i konsoliduar. Zgjidhja e statusit politik dhe juridik të shqiptarëve është conditio sine qua non për një Maqedoni demokratike dhe me perspektivë euro-atlantike. Ai konstaton me shqetësim se shqiptarët nuk do t’i realizojnë të drejtat e veta primordiale duke i matur ato në shtratin e Prokrustit. Projektet antishqiptare të qarqeve shoviniste maqedonase, të ndërtuara mbi ideologjinë anakronike dhe retrograde garashaniniste dhe çubrilloviqiste, rrezikojnë ta çojnë Maqedoninë e Veriut në zhbërje.

Ismail Arsllani, si autor i librit “Pushtetarët e mjegullnajës” paralajmëron me shqetësim se shteti demokratik nuk mund të ndërtohet me fjalë dhe shprehje degutante ndaj shqiptarëve, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së këtij vendi. Fyerjet ndaj tyre flasin qartë për frymën që ka mbizotëruar në këtë vend. Kjo frymë antishqiptare nuk ka lindur rastësisht. Ajo është pjellë dhe produkt i politikës së shtetit, i ideologjive të perënduara dhe i inteligjencies maqedonase që nuk ia del të shkëputet nga terri bizantin për të marrë rrugën që shpie drejt familjes perëndimore.

Autori i sugjeron faktorit politik shqiptar që, në funksion të paqes dhe të qëndrueshmërisë së vendit, të veprojë pareshtur që shqiptarët të fitojnë statusin e popullit shtetformues – në përputhje me potencialin demografik, intelektual, ekonomik, prodhues, krijues dhe mbrojtës.

Recensenti prof. Xhelal Zejneli, më tej thotë se kritika politike e autorit të kësaj vepre është thërresë, ironike, sarkastike, por edhe konstruktive. Përfitimet meskine të individëve dhe të klaneve partiake fare s’kanë të bëjnë me interesin kombëtar të shqiptarëve. Politikanët shqiptarë duhet të mbajnë përgjegjësi për dështimet në rrafshin politik. Arritjet në mikroplan nuk mund të amplifikohen dhe të propagandohen si suksese madhore.

Ai nuk është vëzhgues pasiv i proceseve dhe regjistrues i thjeshtë i tyre. Njëherazi sugjeron edhe mënyrat e veprimit politik, si dhe objektivat që duhen arritur. Ka qëndrim kritik ndaj inteligjencies shqiptare e cila, për të ruajtur interesat personalë mban qëndrime oportuniste dhe konformiste ndaj subjekteve politike. Në shënjestër të kritikës së tij parimore janë edhe poltronët e partive politike, qëllimi i vetëm i të cilëve është përfitimi vetjak, në dëm të interesit të përgjithshëm. Sipas autorit, marrëdhëniet ndëretnike do të rregullohen atëherë kur shqiptarët të fitojnë statusin e popullit shtetformues. Pa zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndëretnike dhe pa integrimin në organizmat euro-atlantikë, Maqedonia e Veriut nuk do të mund të konsolidohet si shtet i qëndrueshëm dhe demokratik.

Paralajmërimet dhe vizionet politike të autorit të librit “Pushtetarët e mjegullnajës”, Ismail Arsllanit i dëshmoi koha. Ai sugjeron veprime politike me mjete paqësore dhe demokratike. Është për veprime politike në kuadër të institucioneve të sistemit. Pjesë e demokracisë është edhe prishja e koalicionit qeveritar dhe dalja nga qeveria. Është për një Maqedoni, me shqiptarët popull shtetformues, për kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike, për bashkëjetesën midis etnikumeve, për marrëdhënie të mira me fqinjët dhe për integrimin në strukturat perëndimore. Sugjeron luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në shoqëri e sidomos në majat e shtetit. Bën thirrje për ndërtimin e shtetit ligjor, për mediume të pavarura, për afirmimin e mendimit kritik, të kritikës politike dhe të kritikës shoqërore.  Ndonëse trajton çështje të politikës ditore, shkrimet e Ismail Arsllanit kanë bazë të fuqishme ideologjike, kombëtare dhe demokratike. Mesazhet e tij janë humane, ndërsa mendimi kritik i tij e çon shoqërinë përpara, thuhet ndër të tjera, në recensionin e prof. Xhelal Zejnelit.

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular