BallinaOP ED“Maska që nuk mbulon dot fytyrën e munguar”

“Maska që nuk mbulon dot fytyrën e munguar”

Nga Ardit Gjinali

Kronika e Shqipërisë së sotme dëshmon pasojat negative të keqqeverisjes që fillojnë me indiferentizmin, vijojnë me arrogancën dhe përfundon me gënjeshtrën  në dritën e diellit që sjell errësirën për qytetarët; të tillët që vuajnë dhe nuk kanë zë për të folur dhe mungojnë veshët e duhur  për të dëgjuar të njëjtët, gjithashtu. Në fakt, nuk ka asgjë pozitive për tu shënuar nga kronika e keqqeverisjes që endet mes dramës së propagandës dhe kufijve të tragjikes që buron prej keqmenaxhimit sistematik që e ka fillesën kohore në marsin e hershëm të këtij viti.

Propaganda është maska që përpiqet të mbulojë fytyrën e munguar të një qeverisjeje që ka braktisur dimensionin njerëzor dhe ka përqafuar duke mos u liruar nga kthetrat e klientilizmit që dikton politikën e së njëjtës; -paaftësia, keqmenaxhimi,  vizioni i munguar, shurdhëria ndaj alternativës ndryshe, tallja me të ndryshmin politik, nuk mund të mbulohen me masën e maskës, e tilla që duhet përdorur, por nuk përbën thelbin e suksesit në luftën kundër pandemisë. Maska e propagandës  mund të mbulojë ngërdheshjen njerëzore të keqqeverisësit që shfaqet në fytyrën e munguar politike të të njëjtit, por nuk mund të mbulojë sytë që dëshmojnë  hipokrizinë dhe gënjeshtrën që artikulohet nga zëri i mveshur nga vendosja e maskës;- maska nuk mund të mbulojë shumëfytyrësinë e kthyer në pafytyrësi të skalitur të një rendi pushtet-mbajtësish që ofrojnë një përzierje strategjish ku përbërësit kryesorë janë improvizimi dhe kopjimi dhe  të njëjtat serviren në regjinë e KryeKreut dhe interpretohen nga  enturazhi deledash qeverisës si një sukses dhe menaxhim efektiv qeverisës.

Maska është i vetmi send që ka mbetur për qytetarin e shumë halleve dhe vuajtjeve sistematike; e vetmja që duhet vendosur dhe mbajtur  për tu mbrojtur dhe për të mos u dergjur halleve të shtuara shëndetësore dhe ekonomike, gjithashtu; një maskë e mbetur diku që nuk mbulon dot fytyrën e drobitur të qytetarit nga hallet, prapambetja ekonomike, taksat e larta, rroga e ulët, pensioni qesharak, ndihma ekonomike e hequr, vendi i humbur i punës, shtëpia ende e pandërtuar pas tërmetit që shkatërroi të njëjtën, çmimi i rritur i energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm që nuk mund të pihet;-  enumeracioni tragjik i halleve është shkaku kryesor i ofshamës dhe psherëtimës njerëzore që buron nga shpirti i drobitur prej mundësive të pabarabarta, padrejtësisë institucionale, pafuqisë për të reaguar; qytetari mundimhumbur dhe halleshumë mund të harrojë vendosjen e  maskës, por trupa policore nuk do të harronte gjobitjen e të njëjtit sepse ndodh që ligji është i barabartë për të gjithë kur subjekt janë të pamundurit, të tillët jo vetëm fizikisht.

Shqipëria e së sotmes nuk mund të identifikohet me keqqeverisjen sistemike që e ka pllakosur, me pushtetin e gjithë-pushtetshëm, korrupsionin endemik, shpopullimin masiv, hapat prapa në Integrimin Europian, sistemin arsimor të shkatërruar , të njëjtin shëndetësor me infrastrukturë të vajtueshme dhe  ekomominë e dobësuar. Shqipëria e sotme vuan dhe lëngon, por shpirti i saj nuk mund të tjetërsohet; shpirti i saj që ka në themel vokacionin perëndimor dhe pritshmëritë e një jete me liri, punë dhe dinjitet; shpirti i saj janë njerëzit e thjeshtë të këtij vendi ,që nuk janë  dreqi që shndërrohet në djall politik , të tillët që nuk do të lejojnë që ky vend të shkojë për dreq. Shpirti i Shqipërisë mund të shkurajohet dhe pengohet, por nuk mund të tjetërsohet . Bashkë sepse ka ende shpresë…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular