Në ndryshim nga ditët e kaluara, java do të sjellë një përkeqësim të motit. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, e hëna do të nisë me kthjellime, por më pas do të kemi një dendësim të vranësirave, që do të shoqërohen edhe me reshje të dobëta shiu.
Ditën e martë e deri mëngjesin e së mërkurës, në vend do të mbizotërojnë vranësirat e dendura dhe reshjet e shiut.
Këto, do të jenë të intensitetit mesatar në mesditë deri në mbrëmje, ndërsa në pjesën bregdetare kryesisht në brigjet e Jonit në formën e shtrëngatave me rrufe. Në majat e maleve, kryesisht në verilindje reshjet do të kthehen në dëborë të përkohshme.
Kjo situatë do të marrë kthesë të menjëhershme të enjten dhe të premten ku do të mbizotërojë moti me diell dhe vranësirat kalimtare në zonat malore.
Sa i përket temperaturave do të pësojnë ndryshime të ndjeshme veçanërisht mëngjesin e së premtes, ndaj, veç çadrave, javën që vjen bëhuni gati të visheni me veshje dimërore.