Nga Vehap Kola
Thirrjet e Edi Ramës dhe të gjithë eksponentëve të rëndësishëm të regjimit në politikë dhe media që Lulzim Basha të lerë opozitëbërjen dhe të sqarojë shqiptarët për disa deklarata individësh andej e këndej Morinit janë çertifikata më e vërtetë se ai është duke bërë opozitë si duhet.
Kakofonia, turbullira, kontradiktat dhe bllofet në fushatën e shpifjeve ndaj Lulzim Bashës që shtyllat politike, ekonomike dhe mediatike të regjimit kanë ngritur e po përpiqen të mbajnë me oksigjen këto ditë është dëshmi e qartë se Edi Rama dhe enturazhi i tij janë zënë në befasi. Po nga çfarë?
Sepse të besosh se kryeministri i ka hyrë një fushatë propagandistike kundër rivalit të tij me kaq shumë të çara dhe bllofe na çdon shtyn të mendojmë se ai është në hall të madh. Ç’hall të ketë vallë?
Të jetë më i shqetësuar për fatin e z. Thaçi më shumë se sa për fatin e tij politik që mendjelehtësia me të cilën ai e mori pandeminë duket se e ka vënë nën satër? Edhe kjo nuk tingëllon e besueshme për një politikan kaq egoist dhe narcizist si Edi Rama. Aq më tepër në ethet e fushatës që ai ka nisur për të mbajtur pushtetin pas zgjedhjeve të 25 prillit.
Atëherë, cila është patatja e nxehtë që e detyron Edi Ramën të ngutet dhe të bëjë gafa të tilla në propagandën e tij perfide?
Pandemia, që ka futur në vështirësi të gjithë vendet perëndimore, në vendet e keqqeverisura dhe të korruptuara si Shqipëria, ka nxjerrë në dritë gjithë batërdinë që është bërë tash sa vite jo vetëm me shëndetësinë, por edhe me financat publike, me sipërmarrjen e vogël, me punësimin dhe ekonominë e shtresës së mesme dhe me arsimin.
Opozitës konstatuese, denoncuese dhe akuzuese e Partisë Demokratike po i zë fjala vend. Nëse në kushtet e një normaliteti të zymtë siç ishte qeverisja e Partisë Socialiste përpara tërmetit, qeverisja mund të fshihte problemet e saj, karantina dhe së fundmi vala e dytë e përhapjes së COVID i ka shkërmoqur të gjitha fasadat dhe ngjyrat e propagandës së regjimit.
Ajo që e ka bërë më të padurueshme këtë situata është edhe lidershipi që ka treguar Lulzim Basha gjatë këtyre muajve të tërmetit dhe pandemisë. Në vend që ai ta shfrytëzonte fatkeqësinë për qëllime politike, Basha i ka mëshuar fort imponimit të masave dhe hapave të nevojshëm nga ana e qeverisë me qëllim që t’u lehtësohet situata qytetarëve të ndikuar prej këtyre dy sprovave.
Menjëherë pas tërmetit, lideri i opozitës i bëri thirrje kryeministrit që të anulonte konçesionet dhe PPP-të e debatueshme dhe të strehonte me urgjencë mijëra familjet e mbetura në qiell të hapur që në fillim të dimrit. Fillimisht u desh që Basha të bënte shumë ditë presion që qeveria të shpallte gjendjen e fatkeqësisë natyrore, gjë që do të garantonte zhdëmtimin e pasojave për familjet e goditura. Vetëm pas ditësh ngulmimi Rama e shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
Ndërkohë, me urgjencë Basha u konsultua me komunitetet e dëmtuara dhe dhomat e biznesit dhe bëri publik një plan konçiz me 5 pika për rimëkëmbjen nga tërmeti tragjik. Përmbledhtazi plani përfshinte anullimi i tarifave vendore, përjashtimi nga tatim-fitimi për bizneset që riinvestonin fitimin për të rikuperuar dëmet, pezullimin e kontributeve shoqërore gjatë rikuperimit, heqjen e TVSH-së mbi materialet që do të përdoreshin në rindërtim dhe anullimin e faturave të energjisë dhe ujit gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore.
Që në janar vendet europiane po përgatiteshin për mbërritjen e COVID në Europë, opozita i kërkonte çdo ditë qeverisë të merrte masat paraprake. Refuzimi i atëhershëm i Ramës dhe nënvlerësimi i rrezikut nga kjo sëmundje deri në mes të marsit është i njohur për qytetarët.
Vendosja e karantinës nuk u shoqërua me masa ekonomike lehtësuese për biznesin dhe të papunët dhe me investime në shëndetësi. Sërish opozita imponoi axhendën e diskutimit publik duke i kundërvënë shfaqjeve pa orar të Ramës në televizor me tone apokaliptike, kërkesat për masa konkrete nga buxheti. Shumë pak u bë nga ato masa, por gjithsesi qeveria u detyrua të zvarritet pas lidershipit Lulzim Bashës.
Prej më shumë se 6 javësh, Basha e ka bërë temë të ditës Planin e tij me 5 Pika për Rimëkëmbjen Ekonomike e Shoqërore. Financimi i sistemit shëndetësor, ndihma ekonomike për biznesin dhe të papunët, mbrojtja e mjekëve dhe mësuesve dhe shtrirja në kohë dhe vlerë e asistencës financiare për biznesin ishin propozimet kryesore të këtij plani. Refuzimi kategorik i Ramës për t’i dëgjuar thirrjet e Bashës ka sjellë shqiptarët përballë një skenari apokaliptik, kur shohin spitalet e tejmbushura me të sëmurë dhe ambulancat e paralizuar nga pacientët që presin të lirohen shtretër në spital.
Paralajmërimet e opozitës për pasoja të tmerrshme në jetën dhe shëndetin e njerëzve nëse qeveria nuk do të merrte masa u provuan. Mijëra shqiptarë luftojnë me sëmundjen në shtëpitë e tyre, të braktisur tërësisht nga shteti. Pavarësisht se ligji për epidemitë dhe sëmundjet ngjitëse detyron qeverinë të rimbursojë çmimin e medikamenteve, qytetarët janë të detyruar t’i blejnë vetë ilaçet në tregun e zi, edhe kur të afërmit e tyre janë të shtruar në spitalet COVID.
Shtimi i nurmit të të infektuarve dhe viktimave ditët e fundit e ka shpërfaqur brutalisht braktisjen totale të qytetarëve nga qeveria. Paralelisht me lënien e plotë pas dore të sistemit shëndetësor, Rama ka vijuar pa u trazuar financimin e PPP-ve të përfolura për korrupsion e bashkëpunim me mafian. Dhe Basha ka 6 javë që nuk e heq këpucën nga kjo plagë e opinionit publik.
Siç duket, i alarmuar nga animi i përgjithshëm i opinionit publik në krah të propozimeve të Lulzim Bashës dhe fajësimi i gjerë i Ramës për dështimin e plotë në menaxhimin e pandemisë dhe rrënimin e ekonomisë e ka shtyrë kryeministrin të nisë një furtunë në gotë që u shfry shumë shpejt.
Intervistat e ish-kryeprokurorit të EULEX-it Uilliamson dhe ekspertit të OKB-së Baraybar kanë hedhur poshtë përfshirjen e Lulzim Bashës në hetimet për të cilat e akuzon propaganda e regjimit. Dëshmitë kontradiktore e deri qesharake të dëshmitarëve Gashi e Bellanica ishin një krisje tjetër e madhe që e thërrmoi plotësisht gotën ku Rama kishte ngritur stuhinë. Tani regjimit dhe elementëve të tij në politikë dhe media u ka mbetur të recitojnë gënjeshtrat e stërpërdorura me shpresë së shumë shqiptarë nuk do të marrin vesh faktet e vërteta, sipas parimit “shpif, shpif, se diçka do mbetet”.
Vulën e kotësisë këtyre akuzave ia vunë ditët e fundit vetë drejtuesit më të lartë politikë të dy partive kryesore në Kosovë, kryetari në detyrë i PDK-së z. Enver Hoxhaj, nënkryetari i PDK-së z. Sami Lushtaku dhe kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa.
Pas tërheqjes së ujërave të sforcuara të fushatës propagandistike të regjimit, mbetet vetëm vula e cilësisë së opozitës që po bën kohët e fundit Lulzim Basha.