BallinaKryesore“E vërteta e shëmtisë qeverisëse nuk fshihet dot pas zbukurimeve të gënjeshtërta...

“E vërteta e shëmtisë qeverisëse nuk fshihet dot pas zbukurimeve të gënjeshtërta festive”

Nga Ardit Gjinali

Gjatë rendit keqqeverisës që po jetojmë, e vërteta është shndërruar në një bashkim bashkëtingëlloresh dhe zanoresh; e tilla ka humbur kuptimin e saj dhe konsiderohet një temjan për djallëzinë që kërkon të fshehë babëzinë që tregon shëmtinë…..shëmtinë e një qeverisjeje që ka tjetërsuar tepsinë duke lënë një lugë bosh, e tilla  si kujtim për ekzistencën e mëparshme të së njëjtës.  Kjo është Shqipëria e së sotmes, një përjetim dramatik  i korrupsionit dhe drejtësisë së munguar që inkurajon vullnetin e tjetërsuar qytetar, gjithashtu; propaganda qeverisëse që ka inkurajuar fshehjen e së vërtetës në sirtarët e dyllosur që kyçin pazarin e rradhës klientelist në funksion të instalimit të mëtejshëm të autokracisë , e tilla që përmes akteve po zhbën fytyrën e ashtuquajtur demokratike  të paraqitur  për të hedhur hi në sytë e miqve të Shqipërisë.

Epilogu kohor i rrugëtimit qeverisës është në koherencë  me bojë-daljen e fasadave të njëpasnjëshme që u ngritën si mjet dhe qëllim për të fshehur jo vetëm fytyrën  por gjithashtu dhe mendësinë qeverisëse. Mendësia autokratike e dalë sheshit njëjtë si djalli nga fasadat e së bukurës së gënjeshtërt është shëmtia e një qeverisjeje të ulur këmbëkryq për ta dërguar  Shqipërinë në një udhëkryq;- i tilli që imponon demokratikisht një zgjidhje të përshtatshme politike ku dëgjimi , vlerësimi dhe numërimi i  saktë i vullnetit qytetar përbëjnë elementët thelbësorë që do të nxirrnin vendin nga një spirale e rrezikshme e sigurisë së munguar shoqërore që imponohet nga demokracia e cënuar, ligji i shkelur dhe qeverisja e munguar.

Dritat dhe ndriçimi llamburitës i qendrave të qyteteve nuk mund të mbulojnë errësirën e periferisë që vuan prapambetjen për shkak të investimeve dhe vëmendjes së munguar; dritat festive nuk mbulojnë dot trishtimin e prindit në moshë të tretë që vuan largimin e fëmijëve të tij nga vendi për shkak të pamundësisë të të jetuarit; nuk mbulojnë dot errësirën e apartamenteve të zbrazura sepse askush nuk jeton në të njëjtët; ndriçimi i fasadave të Rilindjes urbane nuk mbulon zbrazëtinë tërësore territoriale të fshatrave të braktisur; dritat festive të propagandës që përdorin gëzimin e fëmijëve të pafajshëm si dekor për të treguar harenë e rremë shoqërore, por nga ana tjetër të njëjtët dhe prindërit e tyre janë kthyer në skllevër të borxhit të shkaktuar nga keqqeverisja.

Fytyra qeverisëse e Shqipërisë së ditëve të zymta autokratike, të tillat të së tashmes dhe të shkuarës së afërt, është shëmtia e papërgjegjshmërisë së shtetarit, dhunës policore ndaj të rinjve protestues, gazetarëve të arrestuar dhe të dhunuar, praktikave korruptive, njerëzit që enden në acarin e dimrit të dytë në çadra për shkak të dështimit të proçesit të rindërtimit, infrastruktura dhe logjistika e vajtueshme e spitaleve, jeta e qytetarëve në “dorën e Zotit” si tregues i dorës së munguar të shtetit;- fytyrë e tjetërsuar në secilën formë të shëmtisë që rreket të trembë, kërcënojë dhe të ndalojë reagimin e flukseve shoqërore që vërejnë një qeverisje në degradim të thelluar dhe reflektim të munguar, gjithashtu. Shëmtia e qeverisjes nuk fshihet dot; e njëjta është një e vërtetë ulëritëse në fytyrën politike të ushtruesve të së njëjtës dhe frymëzuesve së ndërtimit të një qerthulli monstruoz që rreket të kapë dhe ngërthejë shumëçka përfshirë dhe shpresën.

Shpresa nuk  mund të vidhet apo tjetërsohet; një shpresë e re për një Shqipëri ndryshe, të tillën normale të ditëve më të mira ku barazia përpara ligjit dhe barazia e shanseve janë elementët thelbësorë që do të garantonin një qeverisje normale, gjithashtu. 25 Prilli është dita dhe data e shembjes së një sistemi qeverisës që ka vjedhur të tashmen qytetarëve të tij dhe tenton të vrasë dhe të ardhmen, gjithashtu. Koha për një bashkim të madh për të shënuar fundin e makth-qeverisjes dhe për një shpresë të re  është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular