BallinaAktualitetBeteja e ekraneve/Çfarë ofrojnë televizionet për darkën e ndërrimit të viteve

Beteja e ekraneve/Çfarë ofrojnë televizionet për darkën e ndërrimit të viteve

Për shkak të pandemisë, fundi i këtij viti nuk ka shumë alternativa për të shfrytëzuar ditët e pushimit të festave. Thuajse të gjithë do të jemi mbyllur në shtëpi natën e ndërrimit të viteve. Me mbylljen e lokaleve, të restoranteve dhe të kufinjve, darka do të jetë më tradicionale se kurrë dhe sado vëmëndje të marrë ekrani i celularit, prap ai i televiziorit ka rëndësinë e vet.

Pikërisht për natën e ndërrimit të viteve, televizionet tentojnë të bëjnë më të mirën, duke qenë se shikuesi është aty dhe shikueshmëria duhet të jetë maksimale. Televizioni Publik RTSH do të sjellë një programacion të dedikuar për natën e ndërrimit të viteve me titullin “Urimi i Bardhë” me humor, muzikë dhe personazhe të njohur të skenës, me autorësinë e Altin Bashës.

Ndërkohë Televizioni Klan dhe Top Channel, këtë vit do të joshin shikuesit me komedianët e tyre. Natën e ndërrimit të viteve, Klan i ka lënë hapësirë Klanifornia-s, ndërsa në anën tjetër si çdo 31 dhjetor do të jetë në transmetim një maratonë e Portokallisë. Skeçe, batuta dhe të qeshura këtë të enjte, sikur të ishte e dielë.

Një natë me humor, muzikë dhe valle premton edhe Vizion Plus që në orët festive do të shndërrohet në Vizion Pozitiv. Nën drejtimin e Bledar Laços, Vizon thotë se do ta mbyllë “siç duhet kapitullin e vështirë të 2020-ës, me atë që duam më shumë në momente festive, muzikën”.

Ndryshe do të jetë këtë vit edhe Abc, që është zhveshur nga “news” dhe kërkon shikueshmërinë përmes shfaqjeve argëtuese. Nata e 31 dhjetorit në këtë televizion do t’i përkasë Soiree, emisionit që transmetohej dikur në Top Channel dhe që do të ketë të ftuar vetë punonjësit e ekranit në fjalë.

Televizionet informative normalisht “hapin krahun” përgjatë orëve festive. Natyrshëm, janë të paktë ata që tërhiqen nga statistikat, përmbledhjet e fundvitit apo analizat me tone dramatike. Por të mos harrojmë se 2020 ishte një vit i paparashikueshëm. Dhe nuk ka mbruar ende.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular