PROFIL/Për fitoren, Shkodra ka drejtues politik djalin e saj që ka lënë vetëm gjurmë të mira

3
6418

Nga Mina HYSA

Çdo ditë që kalon, i ofron shqiptarët pranë kutive të votimit, ditës së vetme kur gjykojnë politikanët. 25 prilli nuk është thjeshtë një ditë kur pritet largimi i Edi Ramës dhe Rilindjes nga pushteti, por është një datë që do të sjellë një qeverisje për qytetarin, një qeverisje me standarte europiane, do t’i japë akses real qytetarit për llogaridhënie, do të jetë pjesë e rëndësishme e historisë.
Opozita shqiptare, veçanërisht Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, kanë një përgjegjësi te madhe, duhet të rrëzojnë një regjim si në vitin 1990, të sjellin për shqiptarët një demokraci të vërtetë dhe funksionale. “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishte kërkesa e studentëve të dhjetorit dhe oshëtimat që vinin nga Qyteti Studenti, kur u themelua PD, ndaj kjo forcë politike duhet ta integrojë vendin në BE. Të gjithë proceset demokratike, reformat reale dhe hapat e bashkimit të Shqipërisë me BE dhe Perëndimin kanë ndodhur vetëm atëherë kur PD ka qenë në pushtet. Kësaj here Lulzim Basha me programin e një Shqipërie të zhvilluar, vizionin e tij të qartë si lider me shkollim dhe mentalitet perëndimor, po nxjerr dhe një ekip shprese dhe garancie se ndryshimi do të jetë rrënjësor. Ka nisur me drejtuesit politikë, numri i të cilëve ka shkuar 5 deri më tani, ku secili është një personalitet i padiskutueshëm i PD dhe i pranueshëm në të gjithë shoqërinë pavarësisht bindjeve.
PD dhe Lulzim Basha i kanë emëruar si kordinator politik Shkodrës, një emër, por dhe një mbiemër me peshë madje. Jo thjesht në qytet, por për çfarë ka dhënë në funksionet që ka mbajtur realisht në administratën e shtetit shqiptar, ka nderuar jo vetëm familjen, mbiemrin që mban, por çfarë është shumë e rëndësishme, faktin e të qenit shkodran. Jo vetëm që nuk ka asnjë cen në biografi, por shquhet që ka lënë veç gjurmë të mira kudo ka shkelur si dhe kryerjen me përsosmëri të detyrave shtetërore, por spikat dukshëm dhe në marrëdhëniet njerëzore. Ka mbajtur pozicione të ndryshme, ka qenë dhe i zgjedhur deputet, por pastërtia e figurës së tij është një element shumë i rëndësishëm për një politikan. Mendoj se kjo të jetë një armë e fortë në misionin më të ri politik që ka marrë përsipër pas besimit të dhënë nga Partia Demokratike dhe lideri i saj Lulzim Basha. Pavarësisht diplomimit për Shkenca Politike, genin e politikanit e ka trashëgimi. Personalisht emrin e tij e kam ndeshur në Ministrinë e Mbrojtjes kur ndër korridore dëgjoje veç fjalë të mira. “Profesional, i komunikueshëm, epo s’ka si të jetë ndryshe ka studiuar jashtë, është shkodran, si mund të mos jetë i mirë ka mbiemrin Bushati” – dëgjoje punonjës të administratës nën zë në konstatimin e tyre, ishin ata që kishin të bënin me të. Në hulumtimet e kryera, i njëjti profesionalizëm, e njëjta sjellje dhe i njëjti komunikim ka qenë dhe në të gjitha detyrat e besuara.
Quhet Helidon Bushati, është nip i Maliq Bushatit i cili ka qenë deputet, ministër dhe kryeministër në vitet 1941-1943, është një pasardhës i denjë i bushatllinjëve të Shkodrës.
Lind e rritur në djepin e kulturës shqiptare,
dhe i shkolluar në Itali dhe Francë
E ku më mirë se në vendlindje mund të lësh gjurmët e tua, të kesh kujtimet më të bukura, të kesh qarë dhe qeshur, të jesh hidhëruar dhe gëzuar. E për kë më shumë mund të ndjesh detyrim, të bësh më shumë se sa për vendlindjen. Ky është obligimi i Helidon Bushatit, një profesionist i denjë i administratës, reflektuar kjo fal shkollimit dhe kulturës së marrë pikërisht nga djepi i kulturës shqiptare, vendlindja e tij, Shkodra. Në kryeqendrën e veriut dhe jo vetëm për kulturën që përçon, Helidoni do të merrte bazat e para të arsimimit dhe kulturës duke përfunduar shkollën e mesme të Përgjithshme “Jordan Misja”. Shkollimin universitar, Helidon Bushati do ta kryente në Itali, do të diplomohej në Fakultetin e Shkencave Politike pranë Universitetit të Padovës me punimin kërkimor “Konteksti ndërkombëtar dhe Lufta e Kosovës” (pjesë e punimit e botuar në revistën zyrtare te Universitetit), ku dhe do të mbaronte studime pas universitare nivel Master. Marrja e sa më shumë dijeve nuk do ta ndalte djalin nga Shkodra zotëruesin e tre gjuhëve të huaja që të thellonte njohuritë e tij më tej ku do të studionte në Francë pranë Universitetit të Marsejës (Aix-en Provence) Fakulteti i Drejtësisë dhe diplomohej nga Programi i KE “Erasmus”. Me kthimin në Shqipëri, fal biografisë së pasur dhe shkollimit ekselent, z.Bushati do të niste punë si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, profesion që e ka ushtruar ndër vite të tjera pranë Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë” si dhe Universiteti Kristal pavarësisht pozicioneve në administratë. Helidon Bushati veç shkollimit mbresëlënës në universitete shumë të mira, ka kryer dhe një sërë trajnimesh të ndryshme në Austri, Itali, Turqi, Shqipëri, Kinë. Veç funksioneve administrative që i ka ushtruar me përgjegjësi maksimale ka qenë personi i kontaktit dhe koordinator i palës shqiptare në projektin e konsulencës me firmën McKinsey, pjesëmarrës në grupin e punës për përgatitjen e raportit të vetë-vlerësimit të FIAS mbi  “Heqjen e barrierave administrative të biznesit” në Shqipëri, dhënien e rekomandimeve për përmirësime si dhe pjesëmarrës në grupin e punës për përgatitjen dhe botimin e Guidës së Investimeve në Shqipëri. Zoti Bushati ka qenë disa herë përfaqësues dhe speaker i Shqipërisë në shumë aktivitete ndërkombëtare me tematikë ekonomike si në Gjermani, Itali, Poloni, Zvicër, Turqi, Kinë, etj.

Mbajti me dinjitet dhe kreu me
nder detyrat në administratë

Në funksionet administrative që Helidon Bushati mbajti gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike ka treguar se është një menaxher i shkëlqyer. Ka ditur ti kryejë më së miri detyrat në shërbim të qytetarëve dhe shtetit, për të qenë sot me ballin lart jo vetëm përballë tyre por dhe forcës politike që i shërben.
Jo vetëm bashkëqytetarët e tij, por dhe çdo qytetar shqiptar e sheh drejt në sy. Helidoni është një aset i vyer i Partisë Demokratike ndaj dhe profesionalizimi, korrektësia dhe ndershmëria bënë që lidershipi i PD pas konsultimeve politike dhe qytetare ta caktonte si drejtues politik në Shkodër, aty ky pritet një fitore spektakolare kundër regjimit dhe oligarkisë. Helidon Bushati nuk do të kishte një karrierë të dhuruar. E nisi si shef i sektorit të eksporteve pranë Agjencia Shqiptare e Biznesit dhe Investimeve e më pas Drejtor i Administrimit të Pronës Publike në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Fal përformancës së mirë në drejtim nga viti 2010 deri në vitin 2013 do të emërohej Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Për disa muaj zoti Bushati do të mbante dhe detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të QSUT duke qenë i suksesshëm në menaxhim. Prej vitit 2018 pas heqjes dorë nga mandati deri tani, Helidon Bushati mban detyrën e Komisionerit në Autoritetin Shqiptar të Konkurencës.

Nga deputet i dorëhequr në drejtues politik,
cilësitë më të mirat të Helidon Bushatit

Shkollimi cilësor, përvoja e suksesshme administrative e provuar në menaxhim, prejardhja familjare nga një familje me peshë në Shkodër, me taban të djathtë, bënë që lidershipi i Partisë Demokratike në zgjedhjet e vitit 2013 t’i besonte Helidon Bushatit kandidimin në Shkodër i cili më pas fitoi një vend në Kuvendin e Shqipërisë. Duke qenë një aset i vlefshëm, i pakonsumuar ku në punët e ngarkuara shumë mirë pati performuar, PD nuk do të kishte luksin të humbte një burim njerëzor të tillë profesional dhe me eksperiencë edhe në zgjedhjet e vitit 2017. Mirëpo Helidoni do të linte mandatit për t’i hapur rrugë sipas tij maksimalizimit të votës së PD në Shkodër. Me devizën e qartë si një intelektual dhe qytetar që: -“Politika nuk është vetëm të marrësh, por edhe të japësh”, Helidon Bushati para hapjes rrugë në misionin politik do të shkruante këtë mesazhi: – “Jam fort i privilegjuar, dhe i nderuar që zoti Basha me bëri pjesë të ekipit të tij, dhe akoma më shumë ndihem nën përgjegjësi, për këtë rol që më është ngarkuar. Pikërisht, nisur nga këto detyrime që ndjej, duke analizuar rrethanat politike e specifike të Qarkut të Shkodrës, kam vendosur të tërhiqem nga lista, ku unë gëzoj një vend të sigurtë fitues, i renditur i katërti, për ti hapur rrugën një maksimalizimi te rezultatit te Partisë Demokratike në këto zgjedhje. Unë besoj se politika nuk është vetëm të marrësh, por edhe të japësh. Po e bëj këtë hap, për interesin më të mirë të demokratëve, para të cilëve, dhe para qytetarëve të Shkodrës, do të jem gjithnjë në shërbim“.
E pikërisht, duke vlerësuar cilësitë e mësipërme të Helidonit, qytetarinë dhe zgjuarsinë për të mirëkuptuar rrethanat politike e specifike, PD dhe Lulzim Basha e ka thirrur sërish “nën armë” Helidon Bushatin pikërisht për të bërë atë që premtoi në vitin 2017, për të qenë në shërbim të bashkëqytetarëve të tij.
Helidon Bushati është drejtues politik i PD për zgjedhjet e 25 prillit, besim ky i lidershipit të saj dhe kryetarit Basha. Ishte një zgjedhje inteligjente e studiuar mirë në të gjithë komponentët e duhur dhe përsa konstatuam më sipër, përpos të qenit një djalë komunikues, aftësi ose veçori që nuk e gjen tek të gjithë. Helidoni është nip i Maliq Bushatit i cili është ekzekutuar nga një skuadër pushkatimi tek Kodra e Priftit, afër Tiranës, së bashku me Lef Nosin dhe Anton Harapin, trupi i tij u mbulua në një varr pa emër. Bushati ishte kapur tradhëtisht nga komunistët më 1945 në Shkodër ku qëndronte i fshehur.
Një drejtues politik dhe kandidat për deputet si Helidonin, Shkodra do ta kishte për nder, për faktin se tek ai reflektohen cilësitë më të mira të një shkodrani. Një detyrim më shumë për ta mbështetur për fitoren plebishitare të djathtët ia kanë për faktin që ai me qytetarinë dhe përgjegjësinë që e karakterizon ka hapur rrugë në zgjedhjet e vitit 2017 për të tjerë kolegë dhe për maksimalizimin e fitores së PD.
Duke njohur cilësitë që gëzon, aftësinë për t’u përshtatur dhe fjalën e mbajtur, Shkodra do t’i besojë kësaj here, me 25 prill 2021 Helidon Bushatit dhe do t’i jap Partisë Demokratike dhe Lulzim Bashës fitoren plebishitare siç di mirë ta bëjë.

 

 

 

3 KOMENTET

  1. … [Trackback]

    […] Find More Info here on that Topic: startnews.news/2021/01/09/profil-per-fitoren-shkodra-ka-drejtues-politik-djalin-e-saj-qe-ka-lene-vetem-gjurme-te-mira/ […]

  2. … [Trackback]

    […] Read More Information here to that Topic: startnews.news/2021/01/09/profil-per-fitoren-shkodra-ka-drejtues-politik-djalin-e-saj-qe-ka-lene-vetem-gjurme-te-mira/ […]

Comments are closed.