BallinaAktualitet'Shqipëria nuk ka plan vaksinimi'/ Soreca: I habitur nga kritikat e Ramës

‘Shqipëria nuk ka plan vaksinimi’/ Soreca: I habitur nga kritikat e Ramës

Ambasadori BE në Tiranë Luigi Soreca në një intervistë për Zërin e Amerikës shprehet se beson që negocitatat me Shqipërinë do të hapen gjatë presidencës protugeze në 6 muajt e parë të këtij viti.

Në lidhje me tonet kritike të kryeministrit Edi Rama ndaj BE-së për mungesë solidariteti ndaj Ballkanit në proçesin e vaksinimit, zoti Soreca tha se ndjehej i habitur nga ky qëndrim i kryeministrit.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, Kryeministri Edi Rama ka qenë kritik në lidhje me qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë dhe rajonit për procesin e sigurimit të vaksinave. Një koment nga ju?

Ambasadori Soreca: Më duhet ta pranoj se u habitëm nga deklarata e dhënë nga kryeministri në fillim të vitit, veçanërisht pasi solidariteti i Bashkimit Evropian nuk ka qenë kurrë aq i dukshëm sa në vitin 2020. Pas disa ditësh kemi përvjetorin e parë të Konferencës së Donatorëve në Bruksel, pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019, kur Bashkimi Evropian mblodhi aq shumë aktorë për të vënë në dispozicion të Shqipërisë më shumë se 1 miliardë euro dhe menjëherë 115 milionë euro nga Komisioni Evropian, që tani, pas një viti, po japin rezultate konkrete në terren, në fushat e kulturës dhe arsimit.

Më pas, vjen ndihma e Bashkimit Evropian gjatë pandemisë së Covid-19. Të gjithë e kanë parë sasinë e pajisjeve mjekësore. Unë vetë kam bërë shtatë dhurime pajisjesh, që u kanë mundësuar shqiptarëve ta përballojnë këtë periudhë. Pastaj Plani Ekonomik dhe i Investimeve, me 9 miliardë euro për tre vitet e ardhshme. Në çastin kur nisi vaksinimi, ndryshe nga partnerët e tjerë, Bashkimi Evropian nuk e mbylli derën për ndihmën me vaksinimin, përkundrazi, vuri menjëherë në dispozicion 70 milionë euro që janë të disponueshme për vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, që do të marrë një sasi të rëndësishme të kësaj kuote, për t’u siguruar që Shtetet tona Anëtare që dëshirojnë ta bëjnë këtë mund t’i përdornin këto para për t’ia dhuruar apo rishitur vaksinën Shqipërisë.

Unë e kuptoj zhgënjimin, por ky është një proçes jashtëzakonisht i ndërlikuar. Zhvillimi i një plani vaksinimi i ka angazhuar gjithë shtetet e botës, si dhe Shtetet Anëtare, dhe kjo ka rezultuar shumë e vështirë. Ne po shohim se situata e Covid19 në Europë është ende shumë e vështirë dhe numri i vaksinave që janë të disponueshme, është ndoshta më i vogël nga sa shpresonim. Ka një pengesë për prodhimin e vaksinës. Pavarësisht kësaj, jemi gati t’i japim ndihmë Shqipërisë. Dje Shqipëria nisi vaksinimin, dhe ne jemi gati t’i japim ndihmën tonë Shqipërisë.

Unë jam takuar me Ministren e Shëndetësisë, do të takoj edhe ambasadorët e Shteteve Anëtare, për të punuar të gjithë së bashku, për t’u siguruar që javët e ardhshmetë ketë më shumë vaksina të disponueshme për qytetarët shqiptarë. Por duhet të kuptojmë se Shqipëria duhet të përgatisë një plan vaksinimi për t’i mundësuar BE-së të ndërhyjë, por edhe Covax-it, më vonë gjatë vitit, që të vazhdojë vaksinimin. Ky nuk është një moment i vetëm, plani i vaksinimit do të kërkojë muaj, me qëllim që të mbulojë gjithë komunitetin këtu. Kështu që Bashkimi Evropian është këtu, siç ka qenë pranë shqiptarëve gjatë gjithë kohës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular