BallinaOP EDGjumi i qeverisë apo i disa shqiptarëve?

Gjumi i qeverisë apo i disa shqiptarëve?

Nga Xhesian Shazimani

Gjithmonë kur dal për të shkuar në punë, ndaloj tek mensa aty në lagje për të ngrënë mëngjesin. Pronari i mensës, Iliri, një burrë zotëri, rreth të 50-ve, që tash e 3 vite njihemi dhe jemi shokë. Për aq minuta sa jam aty, nuk më lë asnjëherë të iki pa diskutuar pak rreth aktualitetit politik apo rreth gjendjes ku ndodhet vendi, me pak fjalë si gjithë shqiptarët e tjerë dhe ne.
Kohët e fundit, ose më saktë vitet e fundit, e kam dëgjuar të më ankohet jo pak herë për uljen drastike të xhiros, rritjen e taksave, rritjen e energjisë elektrike, gjobat që ka marrë që ende se ka kuptuar se pse i ka marrë, presionin e taksidarëve, madje pas pandemisë më ka përmendur dhe mbylljen e biznesit të tij 20-vjeçar, që përveç pasionit e ka punë që siguron të ardhurat që mban familjen. Normal, këto ankesa gjithmonë shoqërohen me të shara ndaj qeverisë, si fajtorja kryesore për këto probleme dhe që nuk i dha një ndihmë tjetër, shqiptarçe domethënë.
Një ditë, si të gjitha ditët e tjera, u takova prapë në mëngjesin e të premtes. Dihet që e premtja ka diskutime, pasi është dita pas të enjtes ku emisionet politike kryesore të vendit kanë përplasjen më të madhe të javës dhe si rrjedhojë e nesërmja është ditë krahasimesh. Atë të enjte në dy emisionet kryesore, ishin të ftuar kryeministri i Shqipërisë, i cili edhe kësaj radhe si të gjitha radhët e tjera, kishte treguar një performancë përtej qesharakes. Me muhabete timonësh, tepsish, gjumi dhe përqeshjesh për kundërshtarët në studio dhe jashtë studios. Ndërsa në emisionin tjetër, akoma më të rëndësishëm, ishte kryetari i opozitës.
Duke pasur parasysh gjendjen jo të mirë që po kalon me biznesin, si dhe kryeministri nuk kishte përmendur as kësaj radhe ndonjë paketë tjetër ndihme për biznesin, nga Iliri prisja sharje më të mëdha për kryeministrin. Por jo! Ishte krejtësisht e kundërta. Në fjalën e parë pasi më shërbeu porosinë, duke iu referuar kryeministrit më tha: Hë, e pe mbrëmë? Ej, është dreq s’ke ç’i bën. Është helm nga goja, s’ia merr asnjë. E pe si tallej me gazetarët? Po kur i thoshte Lulit që është në gjumë? Etj…
Teksa vazhdonte e fliste, mua në fillim më bëri të çuditem! Pse do thoni ju, që nuk më kuptoni se pse habitesha? Sepse Iliri, ishte hipnotizuar nga gallatat e kryeministrit, saqë kishte harruar që taksat i ka akoma të papaguara, se kishte marrë borxh për të mbajtur biznesin hapur, se energjia elektrike që paguan është e shtrenjtë, se shteti nuk i dha paketë tjetër ndihme, madje as nuk i kishte shkuar ndërmend që ta pyeste veten; ore si ka mundësi kryeministri thotë vetëm gallata, ndërkohë që biznesi im po mbyllet?!
Kishte ndjekur dhe emisionin tjetër, por asnjë fjalë nuk kishte mbajtur mend! As se lideri i opozitës kishte bërë thirrje që qeveria të jap ndihmë tjetër për biznesin duke anuluar koncesionet dhe lekët të shkojnë për një paketë të tretë, as se kishte shpjeguar që taksa e sheshtë 9% është zotim i qeverisë së ardhshme, as se bizneset që kanë xhiro deri 140 milionë lekë të vjetra do konsiderohen biznese të vogla, as mënyrën se si do shpëtohet biznesi nga taksidarët, asnjërën nga këto! Iliri dukej aq i ngushtë në atë që kishte zgjedh të mbante mend, sa më zhgënjeu menjëherë në mendimin tim për të, si një njeri i zgjuar, dhe qeshte e qeshte! Unë, i habitur me këtë thagmë më dukej e pavlerë çdo fjalë që mund t’i thoja, qesha dhe unë me të.
Pasi mbarova së ngrëni, u afrova te banaku për të bërë pagesën. Ilirit papritur i kishte ikur e gjithë ajo buzëqeshje dhe ishte i skuqur i tëri nga nervat. Pasi e pyeta se pse kjo fytyrë, duke sharë qeverinë, më thotë se i kishte dërguar mesazh banka për të paguajtur këstin e radhës të kredisë që kishte marrë për të mbajtur hapur biznesin. Përveç mesazhit të bankës, kishin ardhur dhe faturat e energjisë dhe një gjobë që se merrte vesh se pse ja kishin vënë. I nxehur aq shumë, fliste e fliste, shante e shante, qahej e qahej, sa mua më erdhi koha që të iki nga mensa, u bëra vonë për në punë dhe fjalën e fundit që dëgjova kur mbylla derën nga zemërata e Ilirit ishte e shumë përsëritura “…me çfarë do i paguaj unë këto?!”
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular