BallinaAktualitetGenc Ruli flet për 30 vitet në politikë. Çfarë vlerëson te Berisha,...

Genc Ruli flet për 30 vitet në politikë. Çfarë vlerëson te Berisha, Rama, Nano dhe Alia

Ish-ministri Genc Ruli ka treguar në emisionin “Opinion” fillimet e angazhimit të tij në politik dhe disa nga ngjarjet e viteve ’90 që kanë lënë gjurmë në tranzicion shqiptar

Ruli është ndalur në marrëdhëniet që ai ka pasur me ish-kreun e PS-së, Fatos Nano. Teksa tha se ka pasur njohje me Nanon, ai shtoi se ky i fundit e rriti ndikimin e tij tek socialistët pasi u dënua me burg.

Sipas ish-ministrit Nano ka lënë një model kolegjialiteti mbi PS-në dhe strukturat e saj.

Fatosi ka qenë në një gjimnaz me mua. Pastaj ishte pedagog i jashtëm i Ekonomikut. U ndeshnim. Kishim njohje, goxha njohje me Fatosin, pastaj qe politika, qe politika që njëherë pak i nervozuar më tha kur ishte kryetar i PS “pse çfarë diference ka në mendime, në liberalizëm filozofi mes meje, Gramozit dhe ty. Madje kam qenë dhe më liberal se ty”. “Po”, i thashë unë. Ndryshimi qe në atë sekondë, në atë moment. Përgjithësisht kam pasur respektin për të në formatin e tij intelektual. Në lidhje me qeverisjen dua të them, Fatosi si kryetar partie së pari, konsolidimin e pushtetit ia dha burgu. Në momentet e para ai qe një figurë krejt e re e papërshtatshme për trupin e Partisë së Punës dhe e shihnin si të huaj. Martirizimi i dha pushtetin. Fatosi në finale la një vijë të qartë të një liberalizmi konseguent nga ana e tij. Një liberalizim që vinte dhe nga një lloj moskokëçarje, por ama la një model kolegjialiteti mbi emrin e partisë dhe strukturave të partisë”, tha Ruli.

Në rrëfimin e tij, Ruli ka kujtuar takimet që ka pasur me Ramiz Alinë. Ai shprehet se takimet me Alinë kanë qenë të vështira, pasi ai ishte një person dinak.

“Absolutisht që jo. Dy tre biseda që i kam pasur me atë njeri, i kam pasur gjithmonë të vështira. Ishte gjithmonë dinak dhe dredharak në bisedë. Nuk të shihte në sy. Nuk rrezatonte fare tiparet e një lideri. Lideri përgjithësisht rrezaton vetësiguri dhe të imponon respekt”, tha Ruli.

Gjatë intervistës, Ruli e cilësoi kryeministrin Edi Rama si njeri me qëndrime dhe ide, por njeri që nuk realizon.

Njeri i marketingut. Duhej të ishte presidenti i një shoqërie marketingu shumë të suksesshme. Politika nuk është spektakël.  Kur vjen puna tek realizimi, ka dy reforma të realizuara kryesisht keq dhe 12 të pretenduara për t’u nisur .

Është karakter që ka qëndrime dhe ide, por nuk është karakter për të realizuar. Por në qëndrimet që ka bërë duket se ka synuar të vendosi veten në panteonin, që është mbi të tjerët. Për mua ka diçka që ua kalon të tjerëve. Ka pothuajse të gjitha defektet që kanë patur paraardhësit e tij, një shumatore e defekteve të tyre. Dhe në finale, e bën figurën më komplekse më difektuese që mund të ketë prodhuar lidershipi shqiptar”.

Ndër të tjera ai ka treguar se si Sali Berisha erdhi në krye të Partisë Demokratike. I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu lidhur me këtë aspekt, Ruli pohoi se Berisha konkurronte me Gramoz Pashkon për të marr drejtimin e PD.

Ai e cilësoi jetik rolin e Berishës në konsolidimin e PD-së.

“Roli I Berishës ishte jetik për PD. Në selinë e PD nuk flitej me ju. Madje unë më shumë debate kam patur me Gramozin dhe Ben Imamin se me Berishën. Ky raport i Berishës ka qenë i domosdoshëm në konsolidimin e PD”, u shpreh Ruli.

FevziuSi shpjegohet dominimi që shumë shpejt mori Sali Berisha në Partinë Demokratike, kur kryetari i komisionit nismëtar ishte Hajdari. Por u deshën 2 muaj, që Berisha të vihej në krye të PD….

Ruli: Azem Hajdari qe tribun, njeriu që rrezatonte kurajon e krisur, një lloj thirrjeje që i duhej pjesës më të trembur të popullatës. Kur vinte puna tek lidershipi që duhej të rrezatonte edhe ide edhe karizëmn e  bërjes së shndërrimit, si do të vijë ajo e nesërme, këtu duhej të hynin mendje më të maturuara dhe padyshim konkurronte Gramozi me Saliun.

Gramozi pati në fillesat e tij një përqëndrim më të madh, për faktin që njihej edhe nga shtypi ndërkombëtar, qoftë intervistat që e mernin, qoftë Zëri I Amerikës etj…Saliu vinte nga një traditë më shqiptare  e ndërtimit të pushtetit, që nga njësia me e vogël tek familja, deri në njësinë më të lartë.

Gramozi ishte në një njësi më liberale. Kështu që vetvetiu Saliu ka një kuptim më të mirë se si gjestohet dhe si duhet rrezatuar pushteti. Njerëzit duan të gjejnë emëruesin e përbashkët tek lideri dhe kërkojnë një emërues të përbashkët. Në këtë aspekt tek Shqipëria e asaj kohe, figura më tradicionale, megjithëse intelektual i formuar, filloi të tingëllonte më i pëlqyeshëm, sidomos për prurjet e ndryshme që vinin në PD.

Gramozi me aristokracinë intelektuale të tij, me padurimin dhe ngutjen që kishte dhe me një element që qe i natyrës së Gramozit…Nuk ishte shumë i disiplinuar me veten. Politika kërkon një disiplinë perfekte që duhet t’ja imponosh dhe vetes. Këto mund të kenë qenë ato rrjedhje të vogla që dora -dorës, hija e tij po bëhej më e rëndë se hija e të tjerëve, derisa u zyrtarizua në zgjedhje. Doli një farë balotazhi, qe dhe ndërhyrja e Neritanit dhe në këtë mënyrë u konfirmua Saliu”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular