BallinaKultureUrat e dashurisë që ngrenë poetët vështirë t'i shembin shtetet

Urat e dashurisë që ngrenë poetët vështirë t’i shembin shtetet

spot_img
spot_img

REXHEP SHAHU

(“Diell pa hije” – Antologji poetike ballkanike në gjuhën shqipe) “Diell pa hije” – Antologji e poezisë ballkanike të shekullit XXI, me 54 autorë të njohur nga 12 shtete të Ballkanit, zgjedhur e shqipëruar me dashuri e përkushtim nga poeti e studjuesi elitar shqiptar Ramadan Musliu, në muajt e fundit të jetës së tij, përgatitur e botuar nga Shtëpia botuese e promovuese Klubi i Poezisë, me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, është libër që i ka munguar bibliotekës shqipe dhe lexuesit shqiptar që nga fillimi i shkrimit, për shkak të urrejtjes. Lumenjtë e dashurisë në Ballkan, nuk kanë mundë t’i shembin digat e urrejtjes që kanë ngritë shtete të ndryshme të udhëhequra nga makthe e ankthe luftrash që kanë fituar humbje, shpërngulje e dëbime masive njerzish dhe e kanë mbjellë tokën e bukës me varre. Kur mësova se nuk ka të botuar në gjuhën shqipe, të regjistruar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë asnjë Antologji poetike të autorëve ballkanas, ndjeva një ftohtësi dhe fillova të filozofoj naivisht për ta shtuar edhe këtë mungesë si një shkak më shumë për urrejtjen e verbër, mosmarrëveshjet tragjike dhe mungesën e një paqeje të qëndrueshme mes shteteve të ndryshme ballkanike. Regjimi komunist diktatorial që sundoi në disa vende ballkanike nuk i ka lejuar as i ka nxitur, detyruar a përkrahur shkrimtarët të ngrenë ura dashurie mes ballkanasve, s’i ka lejuar të ngrenë ura mes popujsh fqinj, ura me dy këmbë, se me një këmbë, urat nuk janë ura… Në gjuhën shqipe, në bibliotekën shqipe ka Antologji nga anëekënd botës, por nuk ka Antologji poetike ballkanike ku të jenë bashkë autorët e Ballkanit, të këtij rajoni fatlum djep i poezisë së botës, fron hyjnor i Homerit, atdhe i baballarëve të tragjedisë, në gurët, gjakun, lotin, malet e detet e të cilit i ka rrënjët poezia e njerzimit. Në shekullin e luftrave e urrejtjeve të verbëra gjejmë justifikime pse nuk është hartuar një antologji poetike e ballkanasve, gjejmë bashkangjitje me shtetet në urrejtje e mëni edhe të ndonjë shkrimtari ballkanas, por edhe çudia çuditet që urrejtja na u bë ves dhe as në dekadat e paqes nuk u bë një Antologji poetike ballkanike modeste si kjo që po ia japim lexuesit të gjuhës shqipe. * Për këtë Antologji të parë ballkanike me poetë nga 12 vendet e Ballkanit, (Bosnje e Hercegovinë; Bullgari; Greqi; Kosovë; Kroaci; Mali i zi; Maqedoni e veriut; Rumani; Serbi; Slloveni; Shqipëri; Turqi, ku autorët janë renditur sipas moshës së tyre, si botues marr përsipër mbi vete të gjitha qortimet e mundëshme. Të gjitha lavdërimet e mundëshme i takojnë dhe duhet t’i jepen nga lexuesi e studjuesi poetit, studjuesit e përkthyesit Ramadan Musliu, i cili, duket e ka ndjerë këtë peng tonin dhe për të na e larë mëkatin të gjithëve se nuk kemi bërë dot deri tani një Antologji të tillë, në muajt e fundit të jetës së tij bëri këto përkthime të mrekullueshme si kartolina dashurie për ne duke ngritë kështu ura të mëdha e të sigurta miqësie mes vendeve të Ballkanit, ura nga do të kalojë e sigurtë dashuria. Poezitë e zgjedhura e të përkthyera prej Ramadan Musliut nga poetë në zë të Ballkanit të përfshira në këtë Antologji janë perla, hymne të jashtëzakonshme dashurie për jetën, njeriun, metafora brilante, brenga e dhimbje therëse që turbullojnë detet e rrafshojnë maja malesh. Poezitë e mrekullueshme të kësaj Antologjie të poetëve të Ballkanit si këngë e kumte zogjsh që shtegtojnë te ikë e te ardhë pa pushim, na tregojnë kushedi për sa të mijtën herë se jemi në të njejtin kalë prej mijëra vitesh në rendjen drejt dashurisë, drejt njëri – tjetrit, po për çudi gjithmonë dashurinë e kërkojmë larg e urrejtjen gjithmonë afër, në qerpik, ajo na mbin në sy. * Gjatë muajve të mbylljes e izolimit prej pandemisë Covid 19 në vitin 2020, Ramadan Musliu ka përkthyer në gjuhën shqipe cikle poetike nga rreth 100 poetë botërorë. Mes tyre 40 poetë ballkanas që ai i donte, ua njihte dhe pëlqente krijimtarinë. Shumë prej tyre i kemi botuar dhe do t’i botojmë në illz, revistë letrare e Tiranës. Ramadani si poet e studjues klasi e kishte zënë vendin e nderit në letrat shqipe dhe ishte tërhequr në një farë mënyrë, nga përditshmëria, ku për shumë vite kishte qenë lider me shkrime, opinione e analiza. E njihja që nga viti 1998 kur me dashuri i dha vend në gazetën “Rilindja” që drejtonte në Tiranë një shkrimi për promovimin e librit tim të parë me poezi “Mali i Hënës” që u bë nga Lidhja e shkrimtarëve në Tiranë. I kërkova një shkrim për Teki Dërvishin për ta botuar në revistën illz, revistë letrare e Tiranës të cilën e botoj me mikun tim, Izet Duraku, që është drejtor i saj dhe me humanistin Flamur Hoxha që është sponsor i saj. “Viteve të fundit, më tha, kam pushuar së bashkëpunuari me gazetat e revistat, por ja që emri i Tekiut, mikut tim të shtrenjtë, më detyron ta thyej edhe këtë betim.” E botova shkrimin e tij si i domosdoshëm për figurën e shkrimtarit Teki Dërvishi. Më kishte dërguar për revistën “illz” poezitë e disa autorëve që kishte përkthyer dhe i kemi botuar e do të vazhdojmë t’i botojmë aty. Në fund të gushtit 2020 i thashë Danit që për përkthimet e autorëve ballkanas, më llogarit edhe mua për ta botuar një Antologji të poezisë ballkanike me shtëpinë time modeste botuese “Klubi i Poezisë”, veçse unë nuk kam mundësi të paguaj asnjë cent për përkthimet. Ia përmenda se kam botuar Antologji me poezi turke me 101 poetë turq me titull Puthje mbi Bosfor, Antologji me 80 poetë persë iranianë me titull Trëndafila Persie, Antologji e tregimit shqiptar me 101 shkrimtarë, jam në proces për një Antologji me 101 poetë shqiptarë, pres një Antologji me poetë rumunë e një me poetë grekë. I thashë se unë botoj me tirazhe të vogla se nuk ka shitje por librat që botoj ua dhuroj bibliotekave nëpër qytetet kryesore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe bibliotekave të institucioneve qëndrore si Akademia e shkencave, Instituteve, Universiteteve shtetërore në të tria këto shtete, etj. “Ra COVID-i dhe u bënë edhe këto përkthime se në rrethana të tjera as që do të më ishte kujtue puna e përkthimit, më tha ai. Propozimi yt me pelqeu… Kërkesa ime e vetme është që mundësisht nja 100 kopje të librit, (Antologjisë), me i marrë, sa me pasë mundësi me ua shpërnda miqve dhe shokëve të shumtë. Po ashtu librit duhet t’ia bëj një parathënie të shkurtë në mënyrë që të jetë sa më i plotë.” Ramë dakort me të gjitha dhe gjatë shtatorit unë e kisha sistemuar pak a shumë Antologjinë. Prisja parathënien prej tij dhe do të diskutonim për autorët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e veriut që do të përfshiheshin në Antologji. Mendova se më mbeti mua parathënia dhe të gjitha gjërat e papërfunduara për Antologjinë, pasi fatkeqësisht, me 22 tetor 2020, Ramadan Musliu, ndërroi jetë prej Covidit të zi në moshë të re, 66 vjeçare, shumë para kohe sa e mendojmë jetën e njeriut, duke lënë në pikëllim familjen, miqtë e të dashurit e tij. Duke lënë pas një emër të madh, të paanashkalueshëm në kulturën dhe letrat shqipe, një trashëgimi të rrallë që do të jetojë gjatë. Para se ta fusja librin në shtyp, publikova nga këto radhë që patën jehonë dhe komunikova me bashkëshorten e Ramadanit zj. Misrete Musliu. I tregova asaj se çfarë po bëja. Po, më tha, faleminderit për çfarë po bën, e dimë kush je se na ka tregue Ramadani që ti do ta botosh antologjinë e Ballkanit, e dimë edhe për 100 librat…. Por kishim me tu lutë me pritë pak… a mos po ta dërgojmë Antologjinë e renditur prej Danit dhe parathënien se ai e pati krye. Do ta çelim edhe kompjuterin e Danit se akoma nuk e kemi çelë pas vdekjes së tij… Prita. Nuk vonoi, pak ditë pasi e publikova këtë tekst, dhe zj. Rajmonda Çollaku më njoftoi se ajo e kishte Antologjinë e Danit me gjithë parathënien e saj ashtu siç ia kishte postuar ai për korigjime. Në të njejtën kohë më shkruan me mirësi, përkushtim e angazhim serioz, Halil Musliu, vëllai i Ramadanit dhe më thotë se e gjetën në kompjuterin e Danit Antologjinë të përfunduar bashkë me parathënien e saj dhe dëshirojnë të botohet ky variant i fundit siç e ka përgatitë Dani. Ashtu po bëhet, po botohet ai variant që më dërgoi Halili. Pjesa ime në projektin e Antologjisë ballkanike ra. Autorët shqiptarë që unë kisha përfshirë në antologji dhe renditja e autorëve në Antologji sipas alfabetit shqip për shtetet dhe autorët, ra. E kisha përfshi si autor në antologji edhe Ramadanin pasi ai është poet i përveçëm. Në variantin final të Antologjisë Dani ka përdorë kriterin e moshës së autorëve të zgjedhur për renditje. E ndjej si amanet këtë Antologji të parë poetike me autorë ballkanas që po e merr në dorë lexuesi shqiptar me titull bogdanian Diell pa hije. Shpresoj të jem i paqortueshëm nga Dani. Do t’ia çoj në familje 100 Antologji që ti ndajnë nga Dani. Shpresoj se edhe poetët nga vendet e ndryshme të Ballkanit që me dashuri e përkushtim i zgjodhi dhe i përktheu Dani për këtë Antologji, do t’i jenë mirënjohës atij që i bëri të flasin edhe shqip. Faleminderit Ramadan Musliu! Çdo lexues ka me të falenderue sa të jetojë ky libër i rrallë dashurie, kjo urë e pashembshme shpirtrash e zemrash të poetëve ballkanas. Unë besoj fort se urat e dashurisë që ngrenë poetët, veshtirë t’i shembin shtetet. 31.12.2020

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular