Prof.Dr. Trifon Ziu
Dr. Ervis Krymbi
Pse në Shqipëri përmbytjet janë bërë një dukuri e shtuar, është një çështje e lidhur me shumë kushte e faktorë, natyrorë, por më shumë humanë. Në analizën e mëposhtme janë përmbledhur disa dukuri natyrore dhe humane. Nuk ka mbetur asnjë pjesë e territorit të vendit, pa u prekur nga këto përmbytje apo dukuri të tjera gjeomorfologjike, e humane zinxhir. Së pari shumë sipërfaqë prej mijëra hektarësh tokë, u vendosën nën pushtetin e ujit, i cili ka mbuluar të mbjellat, bimët e arave, kulturat e plantacioneve të ndryshme drunore, kulturat foragjere. Këto përmbytje kanë shkaktuar e do të shkaktojnë dëme shumë të madha ekonomike për njerëzit e prekur nga ato dhe do të shtojnë varfërinë e këtyre banorëve. Specialistët e bujqësisë mund t’i shpjegojnë më mirë, por do të përmendim, kalbjen e bimëve të arave të mbuluara nga uji, atrofizim të kulturave drunore dhe ulje të produktivitetit të tyre, dëmtim të kullotave blegtorale, përkeqësim të strukturës së tokës bujqësore. Së dyti shumë rrugë ose segmente rrugorë mbulohen nga ujërat dhe bëhen të pakalueshme. Kjo ndodh sepse nuk merret në konsideratë niveli i përmbytjeve, ndërtohet në nivel të ulët, ndërkohë që ka qenë e domosdoshme ngritja e nivelit të trasesë me materiale inerte. Së treti rrëshqitjet e dherave nga shpatet, shembjet dhe rrjedhjet e baltrave, të inerteve të imëta si dhe dherat e mirëfillta, rrëzimet, krijimi i prroskave të reja, përbëjnë dukuri që janë shfaqur kudo në të gjitha pjesët e territorit të vendit. Këto janë bërë dukuri shumë të shpeshta e më shumë të përhapura gjatë çdo periudhe reshjesh dhe përmbytjesh. Materialet e ngurta të këtyre dukurive, janë depozituar dhe kanë mbuluar tarracat e sheshta me bimësi natyrore e sidomos me kultura bujqësore, si dhe pasuri të tjera që çdo territor përmban. Këto dukuri gjeomorfologjike do të ishin shumë më të pakta nëse shpatet pranë rrugëve do të ishin të mbrojtura nga ana inxhinjerike, siç janë rrjetat mbrojtëse, fiksimi i shpateve me lëndë lidhëse, fiksimi nëpërmjet plintave prej betoni apo hekuri, rregullimi i ujërave të shpateve, duke i kanalizuar ujërat siperfaqësor që të rrjedhin të drejtuara në ulluqe sipërfaqësorë e jo të depërtojnë në brendësi të masës shkëmbore. Këto masa janë më se të domosdoshme, sidomos në rastet e shpateve të pjerrëta dhe që janë të përbërë me shkëmbinj argjilorë, shtuforë, flishorë dhe në ato ku korja e alterimit është shumë e zhvilluar, pasi këto materiale janë të paqëndrueshme, të shkrifta dhe prodhojnë sasira të mëdha materialesh të ndryshme inertesh, deri në shkëputjen e blloqeve shkëmborë. Së katërti ka pasur veprimtari të fuqishme erozive anësore, pra në brigje, nga ujërat e përrenjve dhe lumenjve, gjë që ka çuar në erozionin e sipërfaqeve të tëra tokash bujqësore, si në zonën e Bërdicës së sipërme apo të Anës së Malit. Materiale kolosale të ngurta janë shkëputur nga vendi dhe janë transportuar, duke u depozituar në mënyrë të diferencuar sipas peshës nëpër shtretër ose dhe nëpër fusha e vende të tjera të sheshta, nëpër livadhe, nëpër rrugët e vendbanimeve, duke sjellë probleme jo të pakta ekologjike, me ndotje inertesh, me dëme fizike dhe me një nevojë të madhe pune për t’u pastruar. Erozioni i shtuar anësor i përrenjve dhe lumenjve është bërë rrezik i madh dhe i vazhdueshëm i ujërave të rrëmbyeshëm në Shqipëri, sidomos në rast plotash. Por kjo dukuri mund të minimizohet shumë në rast se punimet bëhen bazuar në studime të vërteta shkencore mbi litologjinë e truallit, mbi regjimin e reshjeve dhe sasinë e tyre, mbi sasinë e prurjeve që mund të prodhohen nga reshjet. Dukuria e erozionit anësor që ndodh në brigje është e lidhur me disa faktorë e kushte, por sidomos me masakrën që u është bërë shtretërve të lumenjve e përrenjve nëpërmjet shfrytëzimit të inerteve që ato mbajnë dhe që nëpërmjet tyre ruajnë ekuilibrin natyror midis forcës gërryese të ujërave dhe rezistencës që sigurohet nga volumi dhe pesha e materialeve inerte. Kur materialet inerte hiqen, siç ka ndodhur në gjithë lumenjtë e përrenjtë e vendit tonë, atëherë ekuilibri natyror prishet, rritet shpejtësia dhe forca e ujërave të rrëmbyeshme, në raport me rezistencën e truallit, ujërat sulmojnë brigjet, pra tokat bujqësore që ndodhen në anët e tyre.