Të premten u regjistrua përmes videos në internet programi “Dialogu me botën: ‘Bashkëpunimi 17+1’, si të trajtohen sfidat e tanishme?”, i organizuar nga Qendra e Programeve të Gjuhëve Europiane dhe të Amerikës Latine e CMG-së. Ekspertë dhe studiues nga Kina, Polonia, Republika Çeke dhe Kroacia diskutuan mbi tema si “‘Bashkëpunimi 17+1’”, “Sfidat me të cilat përballet Kina dhe vendet e Europës Qendrore e Lindore në epokën pasepidemike”, “Nisma ‘Një brez, një rrugë’ dhe ‘Bashkëpunimi 17+1’” etj.
Radek Pyffel, ish-drejtor i degës së Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore në Poloni dhe shef i Kursit të Biznesit Kinez në Universitetin Kominsky të Polonisë, tha se “Bashkëpunimi 17+1″ ka katër karakteristika, të cilat janë potenciali i madh, diversiteti, sfidat dhe ndërlidhshmëria. ’17+1′ është një platformë e mirë për dialog e komunikim dhe të gjitha vendet pjesëmarrëse mund të përfitojnë prej tij, theksoi Pyffel.
Ndërsa Marek Hrubec, drejtor i Qendrës së Kërkimeve Globale pranë Institutit të Filozofisë të Akademisë së Shkencave të Çekisë, u shpreh: “Mekanizmi i ‘Bashkëpunimit 17+1’ promovon jo vetëm bashkëpunimin midis vendeve të Europës Qendrore e Lindore dhe Kinës, por edhe brenda rajonit të Europës Qendrore e Lindore, prandaj ka një domethënie të gjerë në mbështetjen e multilateralizmit në nivel global.”
Ding Yifan, studiues në Institutin e Kërkimeve mbi Zhvillimin Botëror të Qendrës së Studimit të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, tha: “Investimet e përgjithshme të Kinës në vendet e Europës Qendrore e Lindore i kanë kaluar 12 miliardë dollarët amerikanë, ndërsa vëllimi i tregtisë dypalëshe ka arritur mbi 95 miliardë dollarë. Në vitet e fundit, kemi parë shumë produkte nga vendet e Europës Qendrore e Lindore të hyjnë në tregun kinez. Veçanërisht janë promovuar produktet dhe shërbimet e tyre përmes platformave dhe veprimtarive të tilla si Ekspozita Ndërkombëtare e Importit e Kinës, duke krijuar epërsitë e tyre në tregun kinez dhe duke arritur suksese të mëdha”.