BallinaOP EDFaktori ndërkombëtar dhe pamundësia e Ramës për një mandat të tretë!

Faktori ndërkombëtar dhe pamundësia e Ramës për një mandat të tretë!

Nga Ermal Xhelilaj

Nën dritëhijen e kaq shumë skandaleve, problematikave dhe dështimeve që kanë karakterizuar Qeverinë e tij, Ramës i është dashur në mënyrë konstante gjatë viteve të fundit të improvizoj mënyra e strategji për të dalë nga situata e paprecedentë politike, ekonomike e sociale që ai dhe marionetat e tij partiake e kanë përfshirë vendin. Pavarësisht propagandës, akrobacive e manipulimeve politike që po implementon për t’i integruar skandalet e Qeverisë së tij si një standard normal i një qeverisje tipike ballkanase, Rama duket se ka keqkalkuluar qendrimin e partnerëve të huaj strategjik dhe faktorit ndërkombëtar në tërësi lidhur me të ardhmen e tij politike.
I spikatur në mënyrën e tij hibride të politikbërjes me faktorin ndërkombëtar, ku shpesh herë nxjerr në pah nuanca modeste agresiviteti, cinizmi e arrogance, dhe nga ana tjetër aplikon metoda populiste e ekstravagance politike apo një lloj “sharmi” diplomatik, tipike për autokratët e parëndësishëm aziatikë të viteve 60, Ramës kësaj here duket se nuk po i funksionon kjo strategji politike me partnerët e rëndësishëm ndërkombëtar të BE dhe SHBA.
Kjo jo vetëm për faktin se tashmë qeverisja e Ramës konsiderohet problematike dhe e dështuar për institucionet themelore të BE, për arsyet që tashmë janë kthyer në legjendë, por për më tepër edhe për prezencën e një tjetër arsye madhore që për ndërkombëtarët konsiderohet e papranueshme.
Qeverisja e Ramës ka eksportuar në shtetet e BE problematika dhe fenomene që ndoshta për Shqipërinë mund të quhen normale, por jo për sistemin politik, ekonomik e social dhe vlerat demokratike që promovon BE. Shqipëria si pasojë e keqqeverisjes tashmë po eksporton në BE në përmasa të pamenduara, si kurrë më parë, trafik ndërkombëtar të drogës, lëndë narkotike si qendër kanabizim rajonal, emigracion masiv të paligjshëm, refugjatë politiko-ekonomik, krim të organizuar, etj.
Cedimi i nivelit të demokracisë e pluralizmit politik, kriminalizimi i pushtetit, megakorrupsioni qeveritar, standartet skandaloze të zgjedhjeve, kultura e mosndëshkimit të pushtetarëve të inkriminuar, problemet me lirinë e medias dhe orientimi i pushtetit drejt një autokracie hibride, janë gjithashtu kritere e standarte që BE nuk është e prirur t’i konsideroj si elementë të pranueshëm në kontekstin e Qeverisë Rama apo të çdo qeverie tjetër që ka për synim integrimin në institucionet dhe tempulli e BE.
Agresiviteti e arroganca e Ramës në raport me partnerët e BE me anë të presioneve tipike anadollake apo metodave antikonvencionale në kundërshtim me objektivat strategjik të vendit dhe normat diplomatike euro-atlantike, të cilat po ashtu kanë shtuar pakënaqësinë te partnerët e huaj, pasqyrojnë nervozitetin e Kryeministrit lidhur me të ardhmen e tij të pasigurt politike dhe forcës që ai përfaqëson. Sulmet dhe gjuha e ashpër e Ramës kundër aleatëve e partnerëve tanë strategjik ndërkombëtar, e kamufluar në formën e vaksinës anti-Covid, e pasqyruan qartë dëshpërimin dhe nervozitetin e tij në kontekstin e një personi që e sheh të zymtë rezultatin zgjedhor të 25 prillit.
Përgjimet e Ndraghetës në proces, ku implikohet rëndë Qeveria dhe eksponentët e saj themelor, kanë nxjerrë në dritë dy komponentë të rëndësishëm. E para ato përfaqësojnë një indikacion të qartë se situata në të cilën ndodhet Qeveria Rama përngjet me një humnerë të thellë politike, ekonomike e sociale nga ku nuk ka asnjë rekuperim apo rrugëdalje, veçse kapitullim pa kushte.
E dyta, këto përgjime dhe të tjerat që mendohet të dalin në vijim, si dhe refuzimi aspak diplomatik që iu ofrua Ramës për mos hapjen e negociatave me BE, mund të jenë një sinjal i fuqishëm se partnerët ndërkombëtar nuk do të tolerojnë vazhdimin e një qeverisje që si moto të saj politike nuk duket se ka progresin dhe mirëqenien e shqiptarëve por objektiva të tjera që bien ndesh me interesat e vendit si dhe me vlerat dhe standartet e BE.
Tashmë Ramës i duhet shumë më tepër se propaganda tradicionale apo makinacionet dhe akrobacitë e tij politike për të përballuar një situatë të pashpresë politike, ku mbijetesa në pushtet përtej 25 prillit duket për atë dhe forcën e tij politike një mision i pamundur.
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular