Duhet të jenë të parët të jenë në mbrojtje dhe të zbatojnë moratoriumin e vendosur nga qeveria për mos peshkimin e koranit, peshkut të rrallë në liqenin e Ohrit, por të parë që e shkelin janë vetë drejtues e shoqatës së Peshkimit të Pogradecit.
Policia e Pogradecit bën të ditur se ka kryer me sukses operacionin e koduar “Korani”. Operacioni erdhi pas një pune hetimore nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit, për goditjen e aktivitetit kriminal të peshkimit të paligjshëm, ndërsa janë arrestuar tre persona.
Bëhet fjalë për kryetarin dhe dy punonjës të Shoqatës së Peshkimit në Pogradec, ndërsa është sekuestruar një sasi peshku i llojit koran dhe një sasi lekësh.
Të arrestuarit:
Adriatik Dokollari., 49 vjeç, banues në Hudënisht, Pogradec (me detyrë kryetar i Shoqatës së Peshkimit Pogradec);
Mariel Durollari., 47 vjeç, banues në Hudënisht (me detyrë punonjës në këtë shoqatë);
Endri Pera., 43 vjeç, banues në Memëlisht, Pogradec (me detyrë punonjës në këtë shoqatë).
“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Pogradec ka urdhëruar ndalimin e këtyre tre shtetasve, në bazë të vendimeve të Gjykatës e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi nga hetimet e kryera rezultoi se në bashkëpunim mes tyre ata kanë shpërdoruar detyrën, duke detyruar peshkatarët në Pogradec që të kryenin peshkim të paligjshëm të peshkut koran dhe më pas këtë sasi e tregtonin në lokalet e qytetit të Pogradecit, për të siguruar përfitime personale.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre u gjetën një sasi peshku e llojit koran dhe një sasi lekësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Tregtimi i specieve të mbrojtura të faunës dhe florës së egër” kryer në bashkëpunim“, njofton Policia.
Pjesa e Maqedonisë së Veriut e ka të ndaluar peshkimin dhe tregtimin e koranit dhe për këtë banorë të zonës së Pogradecit e dërgojnë kontrabandë drejt Maqedonisë ku edhe ka edhe çmimin më të shtrenjtë.