Tetë persona janë ndaluar në Kosovë, në fshatin Llapnasellë afër Prishtinës, pas një sulmi ndaj djalit të politikanit lokal serb, Nenad Rashiç
Nuk dihen ende motivet e këtij sulmi, ndërsa Rashiç tha se i biri është sulmuar dhe rrahur nga një grup prej dhjetëra personash dhe se ka plagë në kokë.
Sipas tij, sulmi ka të bëjë me veprimtarinë e tij politike.
Pas sulmit ka reaguar Presidentja në detyrë, Vjosa Osmani, duke e cilësuar atë si “akt kundër demokracisë dhe lirisë së individit”.
Ajo u bëri thirrje forcave të rendit që të vënë para drejtësisë autorët e sulmit.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se sulmi erdhi pasi Rashiç “s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë”
“Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiçit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiçin, ia rrahën të birin Nikollën. Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt”, tha Kurti.