Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka reaguar pas sulmit nga maxhoranca që iu bë marrëveshjes së nënshkruar sot mes PD dhe LSI për zgjedhjet e 25 prillit. Në një postim në “Twitter”, Bardhi shkruan se Rama e kupton që është humbës dhe thekson se bashkimi i opozitës sjell ndryshim. Sipas tij, Rama ka dështuar për 8 vjet me radhë në të gjitha fushat.
“Edi Ramën e ka kapur paniku, sepse ka kuptuar që sot ka nisur fundi i tij. Rama e kupton që më 25 prill do të shkojë në shtëpi.
Ne u bashkuam që të sigurojmë ndryshimin në Shqipëri dhe atë ndryshim do ta sjellim ne: shpresa të reja për të gjithë dhe plane serioze pune në të gjitha fushat, ku Rama ka dështuar për 8 vjet me radhë: ekonomi, shëndetësi, arsim, emigrim, infrastrukturë. Kohës tënde i ka ardhur fundi, Rama. Ka ardhur çasti të ndryshojmë. #ShqipëriaFITON 🇦🇱✌”, shkruan Bardhi.