Partia Socialiste po përballet me largimin e disa figurave tradicionale të saj në kohën kur po afron skadimi i afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit në KQZ.

Ish-prefekti i qarkut të Tiranës, Sadi Vorpsi, njoftoi të shtunën se nuk do të jetë pjesë e listave të kandidatëve.

Me anë të një shënimi në rrjetet sociale ai e shpjegoi tërheqjen nga kandidimi si një akt që ka për qëllim krijimin e hapësirave për të rinjtë.

“Të nderuar miq, mbështetës e dashamirës!

Pas 4 vitesh kontribut si Prefekt i Qarkut Tiranë dhe 4 vitesh si deputet i Partisë Socialiste, kam vendosur t’ia kaloj stafetën prurjeve të reja për t’u fokusuar më shumë tek familja ime dhe në angazhime të tjera private. T’i sherbeja vendit dhe qytetit tim ka qenë nder dhe privilegj i jetës sime.

Partia Socialiste është jo vetëm shtëpia më e madhe politike, por dhe më përparimtarja e gjithëpërfshirësja. Edi Rama e transformoi nga një parti në opozitë të vështirë, në forcën vendimtare për qeverisjen dhe modernizimin e vendit.

Kam shijuar çdo moment përfaqesimin e komuniteve nga zemra e Tiranës, e më pas në Vorë e në Farkë dhe jam krenar për gjithçka kemi arritur së bashku. Edhe pse nuk do të kandidoj sërish, do të jem po aq aktiv në fushatën e 25 Prilllit për mandatin e domosdoshëm të PS dhe Edi Ramës për t’i çuar gjer në fund punët e nisura e për ta bërë Shqipërinë zonjë.
Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për të gjithë mbështetjen dhe mezi pres të bashkojmë forcat për fitoren e 25 Prillit.”

Burime nga Partia Socialiste thonë se në listat e socialistëve nuk do të jetë as deputetja e pavarur Reme Lala, megjithëse motivi i këtij vendimi është ende i paqartë.

Ekipit të mazhorancës do ti mungojë edhe deputeti Besnik Baraj, i cili njoftoi të premten tërheqjen nga kandidimi pas një vendimi personal për t’ju krijuar mundësi angazhimi emrave të rinj.

Besnik Baraj ka qenë deputet i PS-së për dy legjislatura në qarkun e Tiranës por ka drejtuar edhe degën e PS në kryeqytet.

Tre ditë më parë edhe deputetja Vasilika Hysi njoftoi tërheqjen gjatë një organizimi të PS për prezantimin e kandidatëve të rinj të PS.

Kryeministri Rama tha se do tu hapë rrugën kalamajve.

Në listat e PS ditët e fundit janë shfaqur emra si Tonin Gogu, ministrja Etilda Gjonaj apo dhe prurje të reja si mjekja Najada Çomo dhe inxhinierja e njohur Luljeta Bozo.

sadi vorpsi