BallinaAktualitetRrëfimi/ Dhuna në familje, gruaja: Burri në vendosi pistoletën në kokë në...

Rrëfimi/ Dhuna në familje, gruaja: Burri në vendosi pistoletën në kokë në sy të fëmijëve, më kërcënoi se do të më vriste

Sot në ekranet e televizioneve shqiptare mund të shohësh emisione nga më të çuditshmet, mund të shohësh histori dashurie si ato të hollivudit. Por a është ky realiteti shqiptar? A është kjo ajo që jetojnë familjet shqiptare? Sigurisht që jo, e vërteta është tepër larg.

Përtej mureve të këtij Institucioni të Sigurisë së Lartë, që monitorohet nga kamerat 24 orë, strehohen 16 gra dhe vajza të marra në mbrojtje nga shteti.

Realiteti i tyre janë e vërteta e jetës së shumicës së shqiptareve. Alda, është 30 vjeç, nënë me fëmijë të mitur.

Prej shtatorit të vitit të kaluar ajo strehohet në këtë qendër rehabilituese. Arsyeja pse ka ardhur këtu, është një histori dhune, që i ka shkatërruar martesën me njeriun të cilin nuk e kishte zgjedhur vetë.

“Kështu ishte vendosur nga të tjerët, nga prindërit e mi. Ata më njohën dhe donin që të martohesha me të”, thotë ajo.

Përtej pikëpyetjeve të shumta që Alda kishte, të cilat nuk merrnin asnjëherë përgjigje, iu deshën 10 vite që të mposhte mentalitetin e zonës ku jetonte.

“Kam qenë e pasigurt për jetën dhe nuk vendosa dot më herët. Nuk kisha siguri në vetvete se mund t’ja dilja. Nuk kisha mbështetje as nga familja ime, në zonën time ekziston akoma tabu-ja e divorcit dhe duhet të ulësh kokën”, shprehet ajo.

Gjatë kohës së karantinës për shkak të pandemisë, dhuna ishte më e shpeshtë por durimit të saj i erdhi fundi, kur ajo dhe dy fëmijët e saj, u përballën me vdekjen. “Ishim prezent bashkë me fëmijët e mi dhe familjarët e ish-bashkëshortit, nga debatet e shumta që lindën mes meje dhe familjarëve të bashkëshortit, ai më dhunoi dhe më kërcënoi se do më vriste, nxori armën”, tregon Alda.

Alda tregon se fillimisht bashkëshorti i saj nuk ishte agresiv. “Në fillim ishte tip i qetë, por me kalimin e kohës ndryshoi. U bë tip agresiv, temperamenti i ndryshoi vit pas viti. Kohët e fundit filloi edhe dhuna fizike, po ashtu edhe pinte”, shprehet ajo.

Ajo nuk i di ende arsyet e kësaj dhune brutale, por ka bindjet e saj. “Besoj që në fillim ishte papunësia, por pastaj nuk di të them arsye të tjera… Ata nga zonat veriore kështu e kanë zakon, që duhet tu bindesh të gjithë familjarëve të bashkëshortit. E shohin nusen si shërbyese që nuk ka të drejtë as të mendojë dhe as të veprojë”.

Instikti i nënës, që kërkon të mbrojë me çdo kusht krijesat e saj, u bë më i fortë se nënshtrimi ndaj dhunës pa arsye, që kishte duruar prej vitesh. Ky moment shënoi kthesën e jetës së saj.

“Po ziheshin fëmijët me njëri-tjetrin. E motra e tij nuk duronte zhurmën dhe dhunoi fëmijët. Unë nuk e durova, reagova menjëherë duke i thënë që mos të prekte fëmijën, pastaj u përfshinë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Edhe ata ndërhynë me ofendime ndaj meje dhe fëmijëve. Për gjithçka që ndodhte në shtëpi, fajtorja isha unë, por në fakt nuk ishte ashtu”, thotë ajo teksa vijon rrëfimin.

Sytë bojëqielli të Aldës, nuk e kanë humbur shkëlqimin, edhe pas dhimbjes dhe frikës që ende janë prezente e reflektohen në zërin e saj.

“Bashkëshorti është i lirë, por është shpallur në kërkim. Nuk është kapur ende”, tregon ajo. Pas gjithë mundimeve të shumta që kaloi, Alda po mundohet të futet përsëri në rrjedhën normale të jetës. “Pas një muaji që mu desh të kaloja gjendjen e rënduar psikologjike që kisha kaluar bashkë me fëmijët e mi, nga qendra dhe një shoqatë mu ofrua një kurs profesional të cilin e ushtrova deri tani. E vetmja gjë që dua tani është punësimi. Kam aplikuar jo vetëm për parukiere por edhe në vende të tjera”, thotë Alda.

“Çdo rast që vjen caktohet një punonjës social që merret me vlerësimin e nevojave dhe pas një muaji nga momenti që akomodohet bëhet plani i ndihmës. Qëndrimi i qendrës është në varësi të urdhrit të mbrojtjes. Pra për aq kohë sa kanë urdhër mbrojtje duhet të qëndrojnë në qendër. Në momentin që mbaron urdhri i mbrojtjes dhe nuk rimarrin urdhër tjetër mbrojtje, këto duhet të jenë gati për integrim. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore duhet të jetë bërë fuqizimi i tyre në komunitet dhe duhet të dalin të pavarura”, sqaron psikologia e qendrës rehabilituese.

Megjithatë, përtej mureve të larta të një institucioni të sigurisë së lartë, që survejon gjithçka, duket se e presin një sërë të panjohurash për një jetë të re dhe të sigurt. Deri tani, Alda ka një urdhër mbrojtje nga Gjykata i cili i jep siguri dhe një strehë që i ofron gjithçka i nevojitet, po më pas? Po në korrik, kur urdhri i mbrojtjes të përfundojë dhe ajo duhet të marrë fëmijët, e të dalë jashtë kësaj strehe të sigurt? Çdo bëhet me jetën e saj?/ Burimi Abcnews

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular