Kompania izraelite “GeoCartography” që nxori rezultatin më të saktë në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës, ka zhvilluar një sondazh në Shqipëri ku del fituese opozita në zgjedhjet e 25 prillit. Sipas pyetësorit të zhvilluar me 3778 persona, rezulton se Rama nuk arrin të marrë mandatin as në Vlorë dhe as në Durrës, ku PS parashikohet me më pak se 8 deputetë. Në Durrës 6 mandate, ndërsa në Vlorë shkon në shifrën 7. Kryeministri e ka renditur veten në listë i 8-ti në të dyja qarqet. Pa mandat ngelen dhe Taulant Balla në Elbasan, Blendi Klosi në Berat, Niko Peleshi në Korçë, të cilët janë larg kufirit të zonës së sigurt ku i vendosi kryeministri. Opozita përmbys rezultatin në Tiranë, Durrës dhe Korçë, ndërsa del barazim në Elbasan
Opozita shqiptare është fituese e zgjedhjeve të 25 prillit. Në këtë përfundim ka dalë kompania izraelito-shqiptare, “GeoCartography” e cila ka zhvilluar një sondazh për llogari të gazetës Express në Kosovë dhe Televizionit 7. Duhet theksuar se kjo është kompania që nxori rezultatin më të saktë në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Në sondazh kanë marrë pjesë 3778 persona në të gjithë vendin, dhe Partia Demokratike përllogaritet të marrë 61 deri në 63 mandate. LSI, 10 deri në 11 mandate, ndërsa mazhoranca aktuale 65 deri në 67 mandate. Rezultati për të majtën është shumë larg pretendimeve të Edi Ramës, i cili ka vënë një kufi minimal prej 78 mandatesh dhe maksimalin 88.
Sipas të dhënave të përpunuara rezulton se PD dhe aleatët, ruajnë pozitat e tyre në bastione, ndërkohë që rikuperojnë mandate ose përmbysin rezultatin e vitit 2017 në Vlorë, Fier, Berat, Durrës, Elbasan. Interesant është fakti, se sipas sondazhit Rama nuk merr mandat në rast se nuk arrin votat nominale as në Durrës dhe as në Vlorë. Përkatësisht, në Durrës e majta nuk merr më shumë se 6 mandate dhe në Vlorë jo më shumë se 7 mandate. Në të dyja këto qarqe Rama e ka renditur veten të tetin. Sipas të dhënave, Rama humbet Tiranën, Durrësin dhe Korçën, të cilat i fitoi në vitin 2017. Në Elbasan kemi barazim në shtatë me shtatë, duke lënë pa mandat Taulant Ballën. Në Korçë duket i pamundur mandati për Niko Peleshin. Po aq të pamundur e kanë të marrin mandate dhe Blendi Klosi në Berat, Bledi Çuçi në Gjirokastër, Gramoz Ruçi në Fier po nuk morën vota nominale, megjithëse janë drejtues të qarqeve atje. Ndërsa shpresat për Pandeli Majkon, Mimi Kodhelin apo Fatmir Xhafën në fund të listave në Tiranë janë afër zeros.
Qarku i Tiranës
Qarku i Tiranës sipas sondazhit fitohet nga koalicioni Opozitar (PD-LSI). Sipas të dhënave 17 deputetë do të ketë Partia Socialiste, 16 Partia Demokratike dhe 3 deputetë LSI. Mundësia që rezultati PD-PS të përmbyset në favor të PD-së (pra 16 me 17) është 29.5%, ndërsa që ta ruajë epërsinë (17 me 16) është 69.5%. LSI i ka të konsoliduar 3 deputetë, forca të tjera nuk marrin deputetë.
PS 17, PD 16, LSI 3
Qarku i Fierit
Fieri, një bastion historik i Partisë Socialiste do të shënojë një rezultat të mirë edhe këtë vit. Sipas të dhënave që vijnë nga sondazhi, Partia Socialiste ka të sigurt 8 mandate dhe ka 66% mundësi për të nëntin. Partia Demokratike merr 6 deputetë, dhe LSI merr 1 deputet (ka shanse 34% për të dytin).
PS 9, PD 6, LSI 1
Qarku i Durrësit
Në qarkun e Durrësit nga rezultatet e sondazhit kuptohet që Partia Demokratike ka të sigurt 7 mandate dhe PS 6. Do të jetë luftë e fortë treshe (PD, PS dhe LSI) për deputetin e fundit.
PS 6, PD 7, LSI 1
Qarku i Elbasanit
Elbasani nxjerr 14 deputetë. Sipas sondazhit Partia Socialiste i ka të siguruar 7 mandate por ka shumë pak shanse për të tetin. Partia Demokratike merr 5 mandate ndërsa LSI 2 mandate.
PS 7, PD 5, LSI 2
Qarku i Vlorës
Qarku i Vlorës duket sikur nuk ka dilema nga sondazhi. Fitorja e PS-së është e ndjeshme por jo me rezultatin e 2017-ës.
PS 7, PD 4, LSI 1
Qarku i Korçës
Qarku i Korçës do të jetë në një luftë të vazhdueshme. Aty janë 11 ulëse në parlament nga të cilat 4 i ka të sigurta PD, 4 i ka të sigurta PS dhe një LSI. Për dy mandatet që mbesin do të luftojnë fort treshja PS, PD dhe LSI. Mund të shkojë në 5 me 5 me 1, por edhe 4 me 5 me 2. Gjithsesi Opozita duket se do ketë më shumë vende sesa Mazhoranca.
PD 5, PS 5, LSI 1.
Qarku i Shkodrës
Shkodra paraqitet mjaft interesante në rezultatin e sondazhit. Partia Demokratike ka të sigurt 5 mandate në këtë qark, Partia Socialiste ka 4 mandate të sigurta, LSI ka një mandat të sigurt ndërsa PSD e Tom Doshit dhe Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit do të luftojnë për një mandat. Ky është edhe mandati i vetëm jashtë treshes PS-PD-LSI në gjithë Shqipërinë.
PS 4, PD 5, LSI 1
Qarku i Beratit
Qarku i Beratit zgjedh 7 deputetë. Në rezultatet e vitit 2017 kjo zonë është ndarë 4 PS, 2 LSI dhe 1 PD. Në sondazhin e Gazetës Express, rezultati pritet të jetë një ndryshim vendesh mes Partisë Socialiste dhe LSI-së, pra 2 deputetë PD dhe një deputet LSI. Partia Socialiste do të marrë përsëri 4 deputetë. Probabiliteti që PS të marrë 5 deputetë është 25% ndërsa LSI ka 75% mundësi për ta marrë një deputet.
PS 4, PD 2, LSI 1
Qarku i Lezhës
Qarku Lezhë është një qark tjetër ku Opozita PD-LSI do fitojë më shumë deputetë sesa PS. Rezultati i parashikuar është PD 3 mandate, PS 3 mandate, LSI 1 mandat
PD 3, PS 3, LSI 1.
Qarku i Kukësit
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot do të kishim këtë rezultat zgjedhor: PS 37,03% 1 mandat; PD 59,27% 2 mandate; LSI 3,7% 0 mandate
Qarku i Dibrës
Nëse zgjedhjet do të bëheshin sot në Dibër rezultatet do të ishin si më poshtë:
Qarku i Dibrës gjithsej 5 mandate
PS 39,25 % 2 mandate
Aleanca PD 54,75% 3 mandate
Shqipëria është udhëhequr në 8 vitet e fundit nga PS-ja e Edi Ramës, i cili herën e fundit fitoi i vetëm mbi 50 për qind të votave. LSI-ja atëherë e Ilir Metës, me të cilën Rama kishte nisur udhëheqjen, kaloi kah opozita, duke qenë e ashpër ndaj pushtetit të PS-së.