BallinaOP EDDetyra e kujtesës, kujtesa si detyrë!

Detyra e kujtesës, kujtesa si detyrë!

Nga Ardi Stefa

Teoria se komunizmi e ka mbyllur llogaritë me ne dhe Shqipërinë, sepse nuk është më në pushtet është e gabuar dhe është opium i harresës.

Asnjë llogari nuk mund të mbyllet për aq kohë sa ekzistojnë kaq shumë varre.

Gjatë dekadës së viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000, kur kishin filluar të largoheshin nga jeta dëshmitarët okularë të tragjedive njerëzore të periudhës së komunizmit në Shqipëri, shumë vetë menduan se mos tragjeditë kishin përfunduar.

Përgjigjja ishte se largimi nuk do të thotë harresë, ngaqë të mbijetuarit kanë “detyrën e kujtesës”, qoftë se i jetuan ata, qoftë edhe në rast se jo.

Pak a shumë kështu në ndërgjegjegjen kolektive të pashuar të demokracisë vazhdojnë të qëndrojnë të gjalla kampet e përqëndrimit të nazizmit dhe Gulagët e komunizmit, në ish- BS, por edhe në Shqipëri me kampet e famshme të internimit.

Detyra e kujtesës u evoluua në një qëndrim moral dhe fitoi një kujtesë letrare, kur u përdor për titull në një botim të pasvdekjes të veprës së Primo Levit, në 1995. Ishte një bashkëbisedim, i njeriut që solli “dëshminë e Aushvicit” me dy historianë italianë (1983).

Ky qëndrim moral asnjëherë nuk u vu në dyshim në shoqëritë demokratike. U bë rregull i përgjithshëm.

Por, kur lexoj apo dëgjoj disa që të referojnë sot “të drejtën e harrresës” për periudhën e komunizmit në Shqipëri, sidomos nga disa kandidatë për “etër të kombit” (kujto deklaratën e Luljeta Bozos, se sipas mendimit të saj Enver Hoxha bëri më shumë të mira sesa të këqija gjatë 46 viteve të regjimit të tij), atëherë jam i detyruar të rikujtoj, t’ju rikujtoj atë që është e kuptueshme.

Të drejtën dhe detyrën që të kujtojmë.

Cilët e thonë? Çuditërisht janë një grup njerëzish, të cilët me “mëshirë” dhe “shpirtmadhësi” kishin ndjekur nga sallonet e shtëpive të tyre rënien e komunizmit. Edhe po qe se nuk janë të njëjtit njerëz, janë të njëjtat ide, të njëjtat konkluzione, e njëjta ideologji, të njëjtat justifikime.

Janë të njëjtit pinjollë, të cilët sot qeverisin Shqipërinë!

Në mendjen e tyre komunizmi “Vrau, u gjykua, u dënua dhe… kaq! Si bëni kështu?”

Madje e ripërsëris frazën e kandidates së PS për zgjedhjet 25 prillit “Enver Hoxha bëri më shumë të mira sesa të këqija gjatë 46 viteve të regjimit të tij!”

Mendimi i saj dhe i të gjithëve si ajo është i qartë si drita e diellit.

Komunizmi ishte krijim i një epoke, veproi me një logjikë politike, e cila nuk ekziston më, kishte një synim, i cili “ishte në të mirë të popullit” dhe, si rrjedhojë, nuk ka më kuptim ta risjellim në vëmendje apo bisedë. Përfundoi!

Dakord, por kush e fishkëlleu fundin? Viktimat? Demokracia? Koha? Gjykatat?

Mendoj se është varianti më i poshtër dhe cinik i të drejtës së harresës, e cila është hedhur në dialogun publik. Një harresë, e cila ngjan me të drejtën, pasi ende nuk kujton asnjë dënim!

Pra cilët do të abrogojnë detyrën e kujtesës dhe me çfarë justifikimi? Meqënëse komunizmi në pushtet nuk është më?

Por as Aushvici nuk ekziston më, as Gulagët, as Spaçi e as Burreli, as kampi famëkeq i Tepelenës, por nuk kam dëgjuar ndonjërin që ta harrojmë. “E shkuara nuk është e vdekur; në realitet nuk është e kaluar”, do të thoshte Folkner.

Detyra e kujtesës, në të kundërt është ajo që i kërkon demokracisë një qëndrim kolektiv moral përballë asaj që nuk duhet harruar.

Më shokon fakti kur njerëz publikë e ëndërrojnë të ardhmen e tyre brenda referimeve nekrofile dhe delireve të përgjakura. Kur fyejnë inteligjencën tonë duke na thënë se “Enver Hoxha bëri më mirë se keq!”…

Nuk e di se çfarë ideali apo fisnikërie ka të qëllosh mbi njerëz njerëz të paditur apo naivë.

Është riciklimi i një rrethi (në rast se ende jo ende…) gjaku, të paktën urrejtjeje, e cila e bën detyrim kujtesën!

Teoria se komunizmi i mbylli llogaritë me shqiptarët, meqënëse nuk është më në pushtet përbën hipnozën e harresës. Asnjë llogari nuk mbyllet kur ka kaq shumë varre.

Vetë komunistët thjesht sa kanë rënë “në gjumë”, pasi janë prezent në pushtetin qendror e ekonomik, madje edhe në botën e krimit.

Të gjithë që nënvizojnë mungesën e pendesës së komunistëve apo bijve të tyre, nuk e bëjnë sepse interesohen për shpëtimin e shpirtit të tyre. Por sepse shohin të shfaqet një lëndë plasëse dhe nuk duan të legalizojnë shkrepësen.

Natyrisht që armiqtë e demokracisë do të humbasin përsëri. Por kush e di se sa do të “vdesin” deri sa të ringjallen përsëri ashtu siç ëndërrojnë?

Çështja nuk është nëse lidhet Partia Socialiste me komunizmin.

Dëshiroj të besoj se ekziston një fraksion i tillë, qoftë edhe tek e majta në pushtet, që të ushqehet nga dhuna politike e ideologjike komuniste. Por fatkeqësisht një gjë e tillë ekziston.

Çështja është të ringremë kujtesën dhe të paraqisim krimet e komunizmit përballë kërcënimit të harresës, lehtësimit apo të qenit bashkëfajtorë e bashkëvuajtës. Përballë atyre që mendojnë apo që dinakërisht shprehen se gjaku që u derdh apo vuajtjet justifikoheshin prej qëllimit.

“Kush e harron të kaluarën është i destinuar ta rijetojë” është postulati i shumëpërdorur i Santayana. Në rast se nuk e regjistrojmë gjakun dhe vuajtjet si tragjedinë më të madhe, atëherë do ta rijetojmë, do t’i rijetojmë.

Dhe një mëkat i përsëritur dy herë është një çedim dhe fyerje e rëndë për demokracinë!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular