Teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet e 25 prillit, kryetari i PD, Lulzim Basha i ka befasur të gjithë pasi ka botuar një libër që mban titullin “Misioni Im”.
Kandidati për kryeministër, i cili tashmë ka nisur fushatën elektorale në qytetet e Shqipërisë, ka ndarë në ‘Facebook’, një foto ku shkruhet pikërisht titulli i librit të tij të parë. Përmes librit, Basha u bën një ftesë publike shqiptarëve që të votojnë kandidaturën e tij për kryeministër.
Kopertina e librit mban foton e kryedemokratit Lulzim Basha, emri i tij i shkruar me shkronja kapitale të bardha, ndërsa titulli i librit po ashtu i shkruar me shkronja kapitale me ngjyra të kuqe.
Në këtë libër, Basha rrëfen në vetën e parë të gjitha ngjarjet gjatë karrierës së tij politike, si i ka përjetuar që nga viti 1992, dhe betejën opozitare të viteve të fundit.
Çmimi i librit është 1 mijë lekë të reja.
Basha jep arsyet se pse e botoi këtë “letër të hapur”
Në prag të zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në ftesën publike për të votuar kandidaturën e tij për kryeministër dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, Lulzim Basha sjell këtë letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve.
Në të qasjet e tij personale mbi jetën politike në vend dhe zhvillimet e opozitarizmit nën drejtimin e tij; lidhjet e tij familjare e personale dhe historikun e përfshirjes së tij në politikën aktive në vend; tezat mbi gjendjen e ekonomisë sot dhe mënyrën për të dalë nga kolapsi; nevojën akute për të shmangur instalimin e një diktature përmes uzurpimit të institucioneve më të rëndësishme shtetërore, kërcënimit të medias, mercenarizimit të administratës dhe formave të tjera të presionit politik; idetë mbi ndryshimin e sjelljes politike e të kthimit të mjedisit politik e publik në qetësinë dhe normalitetin europian; thirrjen për të bashkuar ëndrrat dhe dëshirat e çdo shqiptari për një rimëkëmbje të vërtetë kombëtare: ekonomike, kulturore, shpirtërore, me po atë forcën ndryshuese që shpesh shqiptarët kanë treguar se dinë të bëjnë.
Lidhjet e tij familjare e personale me Kosovën, i japin këtij traktati një frymë kombëtare dhe shpjegojnë idetë e tij se si duhet t’i qasemi çështjes kombëtare, jashtë nacionalizmit të zbrazur e për t’i kthyer shqiptarët në kontribuuesit e vyer në rajon dhe në Europë.