BallinaKryesoreLuçiano Boçi: Emancipimi politik nis nga elitat

Luçiano Boçi: Emancipimi politik nis nga elitat

Nga Luçiano Boçi

Kurrë më shumë se sot Shqipëria nuk ka pasur nevojë për të emancipuar politikisht mjedisin e saj. Fakti që në shek.21 një mazhorancë politike guxon t’i përmendë një specialisti në administratë, një mësuesi, një mjeku, një inxhinieri vendin e punës, bukën e gojës dhe fatin e jetës së tij/saj dhe të familjes – tregon se në çfarë krize të thellë jetojmë.
Publiku shqiptar është shtrënguar për shumë gjatë të përjetojë një model të luftës politike asgjësuese, ku tjetri nuk është kundërshtar, por armik. Politika qysh prej viteve 1920 ka militarizuar këdo, përfshi elitat – me sjelljen e pa principtë ‘fituesi i merr të gjitha”. Kjo ka vrarë në mënyrë graduale por të pandalshme hapësirat e debatit të mençur publik. Enver Hoxha pastaj vrau edhe ata që e bënin këtë debat.
Një prej arsyeve të kësaj situate është shkatërrimi historik i etikës, e cila përbashkon palët në një bashkëjetesë. Cili parim mund t’i mbijetojë përdorimit të ligjit për përfitime personale? Cili parim mund t’i mbijetojë klientelizmit të bërë ashiqare me forcën e vendimarrësit që sillet si pushtues? Sa hipokrizi duhet që të flasësh për “fundin e qenërisë” në ligjërimin publik – i veshur me mantelin e njeriut që tallet me çdokënd dhe fyen çdo personalitet?
Na duhet me urgjencë të emancipojmë mjedisin!
Raporti bardh-e-zi i publikut shqiptar me politikën duhet të ngrihet mbi kollona të qarta të etikës, që elitat së pari dhe pastaj çdo nivel tjetër shoqëror, ndajnë, konsolidojnë dhe i bëjnë pronë të publikut. Ligjshmëria si shinë e meritokracisë për rritjen individuale dhe progresin shoqëror është parimi i parë që duhet të rikthejmë në fuqi dhe të promovojmë me ligje, vendime dhe politika të qarta.
Nuk mundet që nxënësi të përbuzë mësuesin dhe të ketë zili shpërndarësin e drogës. Si mund të emërohen në pozita ligjbërëse, në poste kyçe apo të fitojnë tagre përfaqësues njerëz që nuk kanë asnjë kapacitet, as shprehi’ përveç lidhjes me paranë e zezë dhe me ata që e prodhojnë atë?!
Sistemi edukohet me shembuj. Elitat i çertifikojnë ato.
Ky vend ka parë injorancën të vishet firmato dhe të kryesojë grupe parlamentare me arrogancën e atij që di gjithçka pikërisht sepse nuk di asgjë.
Dëmi që Rilindja ka prodhuar nuk është vetëm në mënyrën e menaxhimit të burimeve, në grabitjen massive të ushtruar sistematikisht mbi një popull të tërë, nuk është vetëm një dëm material. Ai së pari dhe kryesisht është një dëm moral i tmerrshëm që do të kërkojë vite për t’u ndrequr.
Rilindja rrëzoi me qëllim shtyllat morale të shoqërisë për të sunduar mbi një baltovinë të krijuar me dhunë, të sunduar me varfëri dhe të përçarë me dikotominë asgjësuese të cinizmit, ku nuk lulëzon dot asnjë ide ripërtëritëse. Eshtë kjo frymë mbytëse që i largon shqiptarët masivisht, sikur të iknin nga lufta. Eshtë kjo klimë paligjshmërie që i bën ata të nënshtruar ndaj çdo oferte kriminale, brenda dhe jashtë vendit.
Shqiptari ka jetuar edhe pa bukë. Por jo pa nder. Edi Rama investoi 20 vjet në politikë për t’i degraduar ata moralisht.
Sot Rama do të ikë. Por do të ikë më së shumti për dëmet materiale që ka prodhuar dhe për faktin se “mbreti është lakuriq”.
Dëmi i tij moral mbetet mes nesh dhe rrezikon të mbetet, nëse nuk emancipojmë me shpejtësi shoqërinë tonë. Elitat mund ta bëjnë këtë. Elitat duhet!
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular