Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, në A-Show se: Prioriteti numër një në bashkëpunimin dypalësh Shqipëri-Kosovë është që ne të njëjtësojmë ekonomitë e vendeve tona, arsimin dhe të gjitha aspektet sociale dhe kulturore, për të qenë së shpejti së bashku anëtare të Bashkimit Europian.’
Lulzim Basha: Qëndrimi në raport me Kosovën është i qartë dhe ne do ta mbështesim Kosovën dhe institucionet e saj në të gjitha sfidat. Së pari, në njohjen ndërkombëtare nga vendet që nuk e kanë njohur akoma, në anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare në të cilat meriton të ketë vendin e saj dhe në koordinimin e fuqishëm të të gjitha vendimmarrjeve sa i përket politikës së jashtme të Shqipërisë në funksion dhe në mbështetje të Republikës së Kosovës, institucioneve dhe qytetarëve të saj. Padiskutim prioriteti numër një në bashkëpunimin dypalësh është që ne të njëjtësojmë ekonomitë e vendeve tona, të njëjtësojmë arsimin dhe të gjitha aspektet sociale dhe kulturore duke bërë kështu edhe provën e parë gjenerale të aftësisë tona si dy shtete për të qenë së shpejti së bashku anëtare të Bashkimit Europian.