Nga Mina HYSA
Pak ditë kanë mbetur nga data e vulosjes përfundimtare të fitores së PD dhe triumfit të Lulzim Bashës së bashku me ekipin ndaj Rilindjes, së keqes së madhe që ka kapluar vendin prej viti 2013. Listës së kandidatëve për deputet, por dhe ekipit që ka kontribuar për një program europian, zhvillues dhe integrues të PD, i janë bashkëngjitur me qindra personalitete ku secili prej tyre ka një përvojë të vyer në profesionin nga vijnë. Njëri prej tyre është histori suksesi nga ato që kërkojnë vëmendje. Vjen natyrshëm në PD, është një personazh që veçmas spikat për faktin sepse si një anëtar i saj prej ditës së themelimit, ka kontribuar dhe kurrë deri më sot nuk e ka parë këtë të lidhur më të shpërblyerit, derisa ky moment erdhi me ofertën përmes afrimit në ekipin “Basha”. Është hera e dytë që kandidon në listën e PD, duke mundur të japë kontributin e tij të çmuar në fushatat elektorale. Në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë fitues!. Informacionet nga zona ku kandidon të konfirmojnë se emri i tij është pritur me entuziazëm dhe optimizëm jo vetëm nga strukturat dhe anëtarësia e PD, por dhe tek qytetarët pa dallim bindjesh, garanci kjo për fitoren e të dielës, por dhe qeverisjen e nesërme.
Quhet Flamur Hoxha, kandidat dhe drejtues politik i PD në qarkun Kukës.
Çdo banor i Kukësit, Hasit dhe Tropojës gjejnë te Flamuri veten, njërin prej tyre rritur mes sakrificash dhe personifikimin e njeriut të ndershëm. Ndaj dhe mbështetja që po gëzon në zonë, është historike për PD ku pritet një rezultat plebishitar në kutitë e votimit. Flamur Hoxha shpreh mirënjohjen për kandidimin nga PD, por Lulzim Basha me afrimin e tij në këto zgjedhje dhe caktimin si kandidat dhe drejtues politik në qarkun Kukës diti të bëj një zgjedhje shumë të mirë. Kukësi ka një sërë personalitetesh në fusha të ndryshme, kontribues për PD, por ky ishte moment i Flamur Hoxhës. Eshtë një nga kandidatët e PD që plotëson çdo kriter për deputet, për të qenë përfaqësues në Kuvend i partisë që rrëzoi diktaturën dhe mban vulën e proceseve integruese të Shqipërisë. Kur themi plotëson çdo kriter, kemi parasysh faktin që Flamur Hoxha është komunikues, human, i ndershëm, një histori suksesi në biznes, që e ka ngritur gjithçka me mund dhe djersë. Eshtë nga ata njerëz që di të thotë se si e bëri milionin e parë. Afrimi tek PD që ditët e para të themelimit dhe kandidimit janë natyral për të. Zoti Hoxha është një fëmijë i rritur në internim, me gjysh të pushkatuar, anëtar i PD që nga Dhjetori i 1990, i shkolluar në vitet e demokracisë për faktin se kjo nuk i mundësohej në diktaturë. Është një njeri i ndershëm dhe sipërmarrës i suksesshëm prej 29 vitesh, pa qenë asnjëherë pjesë e fondeve publike e tenderave. Sot ai është në garë për të përfaqësuar bashkëpatriotët e tij si ligjvënës, mban dhe detyrën e drejtuesit politik të PD në qarkun Kukës. Në këtë betejë politike Flamuri përfaqëson dhe shtresën e ish-të përndjekurve politikë nga vjen. Ka provuar vuajtjen, mjerimin, dënimin politik në diktaturë ndaj nuk e njeh përbuzjen, është njeriu i përkushtuar për njerëzit e sidomos ata në nevojë dhe tani do ti duhet të jetë i përkushtuar për të gjithë zgjedhësit. Flamuri nuk e njeh mburrjen, është rritur pa urrejtje, por as nuk harron dhe nuk ka se si të harrojë për çfarë ai dhe familja e tij përjetuan në diktaturë.
Kush është Flamur Hoxha
Flamur Hoxha, u lind në Kukës në vitin 1968. Eshtë familjar e bashkëshort i përkushtuar, baba i një vajze dhe dy djemve, i diplomuar për drejtësi Master i Shkencave Juridike. Iu është gjendur shumë njerëzve dhe mbështetës pa kushte i Partisë Demokratike. Rrjedh nga një familje me shkollim fetar dhe laik, me aktivitet si klerik musliman dhe aktivitet tregtar, me lidhje miqësore në shumë prej familjeve më të njohura në Lumë, dalluar në luftrat patriotike ndaj pushtuesve qysh nga gjysma e dytë e shekullit të 18-të. Pas pushkatimit të gjyshit Haki Hoxha, ende pa mbushur 8 vjeç, në vitin 1976, Flamuri internohet me të gjithë trungun familjar në fshatrat në periferi të Durrësit.
Deri në 1990 jetuan familjarisht nën skamjen dhe vështirësitë e punëve të rënda dhe të papaguara në sektorin e bujqësisë në fshatrat Shetaj, Perlat e Porto Romano. Me krijimin e Partisë Demokratike Flamur Hoxha rreshtohet me të gjithë familjarët e tij në lëvizjen e dhjetorit si anëtar dhe aktivist i saj në degën e Partisë Demokratike Durrës. Në vitin 1991 i ndërpret studimet e sapo nisura në Fakultetin e Ekonomisë dhe merr rrugën e mundimshme të emigrimit si mijëra qytetarë shqiptarë të cilët ende nuk shihnin dritën e shpëtimit pas humbjes së zgjedhjeve të 31 marsit të atij viti. Pas kthimit nga emigracioni kreu studimet në fakultetin e shkencave juridike në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Vitet e vështira të emigracionit i dhanë eksperiencën dhe njohuritë e duhura të cilat i vuri në jetë në kushtet e lirisë ekonomike të krijuara pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike.
Me përkushtim për zhvillimin e sipërmarrjes private, që nga viti 1993 ka drejtuar, menaxhuar dhe zhvilluar një seri biznesesh. Së bashku me bashkëshorten drejton ndërmarrjen KLER shpk Shqipëri dhe KLER SRL Italia, produktet cilësore të të cilave shpërndahen dhe tregtohen në të gjitha vendet e Evropës, në Amerikë dhe vende të tjera. Që nga viti 2008, themelon kompaninë FB-ART shpk dhe angazhohet në sektorin e ndërtimit duke u shndërruar në një prej bizneseve më cilësore të kësaj fushe. Tregu imobiliar është një tjetër sektor i rëndësishëm në aktivitetin e tij ekonomik. Në të gjithë veprimtarinë e tij të biznesit nuk ka asnjë rast të marrëdhënieve kontraktuale për përdorimin e fondeve publike të buxhetit të shtetit në nivel qendror apo lokal. Krahas ngritjes së kompanive private në fushat e mësipërme të aktivitetit ekonomik është angazhuar gjithë kohën në fushën e politikës në krah të Partisë Demokratike dhe ka treguar humanizmin e tij në mbështetje të artit kulturës dhe sportit.
Angazhimi politik/Dy herë kandidat i PD
dhe kontribues për programin ekonomik
Flamur Hoxha është anëtar i Partisë Demokratike që nga Dhjetori i 1990. Eshtë anëtar i Këshillit Kombëtar, ka qenë i ngarkuar i kryesisë së PD për riorganizimin e strukturave në Tiranë dhe në Qarkun e Lezhës. Para sesa të caktohej si drejtues politik dhe kandidat për deputet në Qarkun e Kukësit për zgjedhjet e 25 Prillit, drejtoi për disa kohë degën e PD në Kamëz duke konsoliduar dhe përgatitur për fushatën zgjedhore strukturat partiake të asaj dege. Ky është kandidimi për herë të dytë i Flamurit sepse në vitin 2017 kandidoi në zgjedhjet parlamentare të atij viti në qarkun e Tiranës. Ndër vite sikurse dhe kësaj here ka kontribuar për programin ekonomik të Partisë Demokratike, për një ekonomi të fortë dhe të ardhme të sigurtë.
“Ju garantoj si deputet i juaj, se do të jem i përulur dhe i drejtë për të gjithë”. Ky është premtimi që Flamur Hoxha ka për qytetarët duke i ftuar që të dielën të votojnë Partinë Demokratike, nr.9. Qytetarët i besojnë, e njohin mirë. Kanë besim tek Flamur Hoxha, sepse shohin tek ai njeriun që në takimet derë më derë, di të lexoj në sytë e tyre çdo shqetësim e problem dhe shpreh gatishmërinë për të iu gjendur. Në të gjitha takimet Flamur Hoxha shihet me një bllok në dorë teksa personalisht mban shënim çdo shqetësim të banorëve të qarkut Kukës duke nisur nga abuzimet me taksat e tatimet, për mungesën dhe mbifaturimin e energjisë elektrike, për ujin e pijshëm, për rrugët e kanalizimet, heqjen nga skema e ndihmës ekonomike, presionin që ushtrohet nga pushteti mbi ta etj. Thuajse në çdo takim Flamuri ka marrë angazhimin që pas fitores së 25 prillit do të përkushtohet personalisht për zgjidhje. Në çdo takim dhe trokitje derë më derë, Flamur Hoxha së bashku me ekipin dhe strukturat energjike të degëve të PD Kukës me Arif Rexhmatin, Has me Miftar Dautin dhe Tropojë me Isuf Çelën njëkohësisht dhe kandidat për deputet kanë prezantuar para çdo qytetari planin “Basha” për Kukësin dhe një Shqipëri të zhvilluar e cila shumë shpejt do t’i bashkohet BE. Ndaj në këto zgjedhje Flamur Hoxha apelon sërisht për banorët e qarkut Kukës që të dalin masivisht në votime, të votojnë Partinë Demokratike, nr.9 duke votuar për familjen tonë të përbashkët larg veseve, krimit, drogës dhe emigrimit, për të votuar për Shqipëri të zhvilluar dhe aspirante për BE.
Mbështetës i artit, kulturës dhe sportit
Me angazhimin dhe pasionin e tij për sportin, ideoi dhe ndërmori inciativën për të bërë bashkë një grup kontribuesish të rëndësishëm me synimin e qartë për ngjitje të Klubit të Futbollit Kukës nga kategoria e dytë në të parën dhe në superiore. Si rezultat i këtij angazhimi FK Kukës nga viti 2009 deri në vitin 2013 shënoi sukseset e para në Shqipëri e në kupat e Evropës. Me dëshirën për artin, historinë, etnografinë dhe kulturën në tërësi u bë mbështetës kryesor dhe sponsor i vetëm në themelimin dhe daljen në shtyp të Revistës IlLz. Krahas me këto ka mbështetur hulumtimin, dokumentimin dhe publikimin e një serie botimesh të karakterit historik, letrar e kulturor dedikuar Kukësit, Hasit, Malziut dhe Fanit të Mirditës.
Si mbështetës i shtresës së bashkëvuajtësve të tij dhe të të përndjekurve politikë, bëhet promovues i veprës së shkrimtarëve të dënuar, me varje e pushkatime si Havzi Nela, Vislon Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika etj. Koha e vyer dhe energjitë e dedikuara për sipërmarrjen, politikën, artin, sportin e kulturën do të ishin të mangëta pa sakrificën dhe mbështetjen e familjes. Mira, bashkëshortja, me përkushtim ka marrë drejtimin e sipërmarrjes dukë shënuar progres cilësor dhe sukses ndërkohë që i është dashur të kujdeset edhe për tre fëmijët dhe prindërit e tij. Fëmijët kohën e munguar me babain e kanë kthyer në motivim për edukim e përkushtim ndaj të ardhmes së tyre.